INVESTIGIMI/Projektet e Drilonit u miratuan me VNM plagjaturë e pa konsultime publike

Nga Ola Mitre

Të shqetësuar nga pluhuri dhe rruga e pakalueshme në mesin e sezonit turistik, 40 banorë dhe biznese që operojnë në zonën e Tushemishtit dhe Drilonit u detyruan të dërgojnë ankesë pranë 4 institucioneve si dhe të paralajmërojnë protesta kundër punimeve që po kryhen brenda Parkut Ujor Drilon – Tushemisht dhe segmentit rrugor Tushemisht – Doganë –Shën Naum. “Po hapen kanale të reja çdo ditë, ndërsa ambienti i plurosur detyron turistët të largohen”, – shkruhej ndër të tjera në ankesën e shoqëruar me fotografi ku dukeshin pirgjet e dherave. “Na u premtua se do bëhej mbulimi i sipërfaqes për të mundësuar lëvizjen pa ndotur ajrin, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh”, – shtohej më tej në ankesë.

Por, kryerja e punimeve, në kundërshtim me ligjet dhe vetë vendimin e VNM-së që kërkon minimizimin e ndotjes, është vetëm maja e ajsbergut. Të dhënat e grumbulluara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se institucionet shtetërore anashkaluan procedurat ligjore për miratimin e projekteve dhe hartimin e raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, duke ngritur shqetësime për dëmtimin e zonës së mbrojtur. VNM për projektin e rrugës Tushemisht – Doganë –Shën Naum është marrë ”copy – paste” nga projekte larg zonës së zbatimit, ndërsa dokumentet u hartuan në fshehtësi të plotë, pavarësisht detyrimeve ligjore për njoftim publik. Nga ana tjetër, plani i Përgjithshëm Vendor i Pogradecit i hapi rrugë urbanizimit pranë parkut të Drilonit, pavarësisht se në vitin 2019 zona mori statusin e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, duke i dhënë mbrojtje të dyfishtë elementëve natyrorë, kulturorë dhe historikë që ndodhen përreth.

PROJEKTET

Nga 1 shkurti i vitit të kaluar, parku i Drilonit është kthyer në një kantier të zakonshëm ndërtimi, ku dhjetëra punëtorë dhe makineri të rënda ndërhyjnë në ato pjesë të parkut ku janë parashikuar ndërtime të reja infrastrukturore dhe rikonstruksione të objekteve ekzistuese. Në të njëjtën zonë, po kryhen punime për segmentin rrugor Tushemisht – Doganë – Shën Naum, teksa mjetet e rënda shihen të futura brenda në liqen, ndërsa materialet inerte kanë zaptuar vijën liqenore. Paralelisht, sipërfaqe masive betoni janë ndërtuar në breg në formë bazementesh.

Projektet e kanë zanafillën në Planin e Detajur të Zonës me Rëndësi Kombëtare “Drilon – Tushemisht”, ndërsa në janar 2022 Agjencia Kombëtare e Mjedisit miratoi vendimin e Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, duke i hapur rrugë zbatimit të punimeve. Territori ku po punohet intesivisht, është pjesë e “Peizazhit të Mbrojtur Tokësor/Ujor” të Pogradecit, të shpallur në vitin 1999. Ndërkohë që, pjesë e rëndësishme e këtij terriori janë burimet e Drilonit, që gëzojnë statusin “Monument Natyror”. Gjithashtu, projekti shtrihet në Zonën e Përdorimit Tradicional dhe në Zonën Urbane, që është zona e Trashëgimisë Botërore UNESCO.

Aleko Miho, Profesor, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

“Natyrisht këto mjedise nuk i mbron kot me shumë fanatizëm gjithë bota sepse janë ndër vendet me prodhimtari më të lartë në planet dhe janë vende që në to strehohen e riprodhohen peshq, molusqë e vizitohen nga shpendë ujorë. Kështu që qetësia në këto vende është shumë e rëndësishme në të gjitha aspektet e biodiversitetit, por jo biodiversitet si luks, sepse ne kur themi biodiversitet e kuptojmë luks”, – thotë prof. Aleko Miho, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. “Ne vetë kemi gjetur 500 e ca lloje dhe unë vetë atje kam gjetur lloje të reja për shkencën. Për atë zonë ka doktorata që janë bërë pas meje nga kolegë nga Bujqësori, që japin vlera të biodiversitetit, të cilësisë biologjike të mjediseve të Ohrit në përgjithësi, por edhe të vetë zonës së Drilonit”, – shton ai.

Sipas legjislacionit në fuqi, në zonat që gëzojnë statusin “Monument Natyror” zbatohet shkalla e mbrojtjes, e njëjtë me “Rezervën strikte” apo thënë ndryshe shkalla e parë e mbrojtjes, duke ndaluar të gjitha aktivitetet njerëzore që mund ta dëmtojnë. Në këto zona është e lejuar vetëm prania e vizitorëve, por pa mjete të motorizuara, në mënyrë që të ruhet cilësia e natyrës së egër. Gjithashtu, sipas ligjit “Për zonat e Mbrojtura” në zonat e trashëgimisë Botërore UNESCO zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që ka si funksion ruajtjen parësore të bidoversitetit dhe sigurimin e një zone natyrore pak të shqetësuar nga veprimatritë tradicionale dhe ekoturistike.

Punimet në Drilon – Tushemisht

Por, pavarësisht kësaj, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtuara kanë lejuar zhvillimin e projektit në Drilon – Tushmemisht, duke u mjaftuar vetëm me disa rekomandime për mënyrën e kryerjes së punimeve, që gjithsesi shkelen dukshëm nga kompanitë Albstar dhe 4 AM, që po zbatojnë projektet e financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe qeveria shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Gentjan Kaprata, Urbanist, Doktor në Shkencat Sociale të Aplikuara, UET

Sipas urbanistit, Gentjan Kaprata punimet po prishin ekulibrin ekzistues në zonë. “Nga ana urbanistike mund të thuhet se kemi një ekuilibër, i cili është aty: I mirë, i keq, por është aty. Ky ekuilibër prishet në dy nivele. Ato punime kanë ndryshuar ekuilibrin, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe sigurisht për keq. Punimet gjithmonë, sado mirë të punohet sjellin prishje të ekuilibrit”, – thotë Kaprata.

Edhe sipas prof. Mihos “zona është shumë delikate sepse bëhet fjalë për një mjedis që është ndër të veçantët në Ballkan, përsa i përket vlerave të biodiversitetit, te natyrës por edhe vlerave çlodhëse’. “I them të fundit vlerat çlodhëse sepse ne Drilonin, Tushemishtin i kemi vënë në krye këto vlera dhe asnjëherë nuk themi që atje është një habitat i veçantë i gjithë asaj hapësire dhe që kujdesi ndaj saj, ndaj ndërtimit ndaj turizmit, qoftë ndaj mdërtimit të rrugës, qoftë edhe nga vizitorët duhet të jetë jashtëzakonisht i madh”, – thotë profesori. “Ne nuk mund të sakrifikojmë mjedise të tilla për hir të zhvillimit dhe kjo është ajo që shqetëson në fakt edhe në ndërtimin e rrugës”, – shton ai.

Një një përgjigje me shkrim për “EkoSkaner”, AKZM pranoi se në zonën e mbrojtur punimet do të kenë impakt, pasi do të kryhen gërmime dhe lëvizje të mjeteve, por sipas saj do të jenë të përkohshme dhe me afat të shkurtër. “Punimet do të sjellin përmirësim të zonës dhe rritje të vlerave të peizazhit natyror, siç është rasti i ndërtimit të gardheve të gjelbër në të dy anët e lumit të Drilonit” – thuhet në përgjigjen e AKZM.

VNM PLAGJATURË!

Por, paralelisht me shkeljen e ligjit “Për zonat e mbrojtura”, projektet po bazohen në raporte të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, që paraqesin mangësi të shumta e që iu referohen projekteve të tjerë, larg zonës së zbatimit. Kjo, pavarësisht faktit se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është dokumenti më i rëndësishëm që rregullon efektet në mjedis në rastet e zbatimit të projekteve dhe garanton balancën mes rëndësisë së investimit dhe impaktit minimal negativ në mjedis.

Aleksandër Trajçe, Ekspert mjedisi, organizata PPNEA

“Normalisht hartimi i VNM-së është i detyrueshëm për çdo projekt infrastrukturor e aq më tepër për projekre që mund të kenë impakt në zona të mbrojtura natyrore. Procesi i VNM-së nuk është thjesht një proces studimor, pra që thjesht pyeten ekspertë apo merren ekspertë të cilët japin një mendim të caktuar, por mbi të gjitha eshtë një proces përfshirës”, – thotë eksperti i mjedisit, Aleksandër Trajçe. “Pra është një proces që duhet të garantojë një përfshirje të madhe të palëve të interesit, ku ato informohen për projektin në fjalë dhe japin mendimin e tyre sesi ky projekt duhet të zbatohet apo edhe në raste të caktuara të mos zbatohet fare pasi bie ndesh me parimet që një zonë e caktuar mund të ketë”, – shton më tej ai.

Në rastin konkret, VNM për projektin e Drilonit dhe rrugës së doganës merr një rol edhe më të rëndësishëm, pasi zbatimi i tyre impakton zonë të mbrojtur nga legjislacioni shqiptar, por edhe UNESCO. Por, dokumenti që duhet të ishte një studim i mirëfilltë dhe serioz, që pasqyronte impaktin e shumëfishtë në mjedis, në fakt rezulton të jetë abuziv dhe brenda tij gjenden të dhëna dhe fakte që i përkasin projekteve në zona të tjera të vendit.

Në Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektin “Rikonstruksioni i rrugës Pogradec – Tushemisht – Doganë” teksa pritet të pasqyrohet impakti dhe një analizë e detajuar për efektet mjedisore thuhet që: “Ky projekt do të ndërtohet në sipërfaqen ujore të plazhit të Golemit, ku pista që do të ndërtohet ndodhet 60 m larg nga bregu i detit.”

“Ne kemi vënë re që në shumë raste kur zhvillohen projekte infrastrukturore brenda zonave të mbrojtura, në VNM nuk përmendet fare fakti që aty është zonë e mbrojtur. Që këtu VNM- ja zhvlerësohet dhe e bën analizën e mëtejshme në dokumentet në fjalë të pavlefshme, pasi ti ke që në momentin fillestar një qëndrim të anshëm ku nuk merr parasysh faktorin kryesor të menaxhimit të territorit në atë vend të caktuar që është fakti që ështe zonë e mbrojtur”, – thotë eksperti i mjedisit, Aleksandër Trajçe. “Zonat e mbrojtura kanë regjime të caktuara të ndryshme në dallim me zonat e pambrojtura se çfarë lloj infrastrukturash mund dhe nuk mund të ndërtohen aty, dhe procedurat që duhen ndjekur”, – shton ai.

Ndërkaq, prof. Miho kritikon ashpër dokumentin e përgatitur.

“Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis vuan shumë nga ana profesionale, në të gjitha senset. Mungon data kur është bërë. Është një gjë e rëndomtë, por çdo dokument ka një datë. Brenda jepet një informacion 60-70 faqe, që është i gjithi plagjaturë sepse në asnjë vend s’ka një burim kujt i referohet. Jepen të dhëna që janë marrë diku, pasi jam i bindur që nuk i ka bërë ekspertiza ato e nuk jepet saktë burimi i tyre e të dalë një listë literature në fund siç kërkon cilësia, profesionalizmi në këto lloj dokumentesh. Pa folur për faktin që branda ka të dhëna që janë të dobta, nuk shprehin qartë se çfarë përfaqëson ajo zonë, ka të dhëna që janë tepër të përcipta për atë habitat ujor që është ndër habitatet në përparësi!”,-  thotë profesori i Shkencave të Natyrës.

Sipas tij, ky dokument duhet të përmbante të dhëna serioze, edhe për faktin se burimet e Drilonit, ndër të tjera janë në mbrojtje të veçantë, edhe nga direktiva e habitateve për vlerat e biodiversitetit që kanë dhe shërbimet që ato ofrojnë.

“Ekspertiza mund ta kishte gjetur dhe ta kishte dhënë qartë në hartën e vet që ka dhënë se ku janë kufijtë e kësaj zone që quhet Monument i Natyrës i Drilonit. Thuhet që janë 2.5 ha zonë ujore dhe 6.5 ha zonë pyjore, por ku janë dhe si vija e rrugës së re i prek ato, sa larg i prek nuk thuhet. Përshtypja ime është që shkon shumë afër gjurma e rrugës së re që po hapet, por sa afër duhet ta thotë ekspertiza dhe çfarë masash do marrë ekspertiza për ta ruajtur atë, këto gjëra nuk thuhen në VNM”, – analizon prof. Miho.

“Nga ana tjetër ajo që stonon tek ne është ajo se ata që shqyrtojnë VNM këto gjëra duhet ti shohin sepse s’ka rëndësi të jaësh ti të dhëna të tjera sa është flora fauna e gjithë pellgut të madh të zonës së mbrojtur Ohër Pogradec. Ti do përqëndrohesh në këto 10 ha që të preken sepse nuk janë vetëm një hapësirë që është e Bashkisë së Pogradecit, por e gjithë komunitetit mbarëbotëror, është rezervë biosfere ajo zona atje dhe mdër të tjera ne kemi përgjegkësi dhe oër atë që jemi pale. kështu që në këtë sens ky vlerësim është i dobët dhe i dyshimtë në shumë gjëra, i paqartë në shume gjëra edhe ata që e kanë vlerësuar mendoj që e kanë bërë më shumë formalisht sesa e kanë parë atë si kjë dokument që ndërhyhet në një zonë rë rëndësishme. “- shton më tej profesori.

ANASHKALIM I PUBLIKUT

Përveç mangësive të theksuara, dokumetet u miratuan në fshehtësi të plotë, duke anashkaluar detyrimet ligjore të informimit dhe konsultimit publik.

Sipas parashikimeve ligjore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të duhet të informonte publikun për detajet e projektit, por në faqen zyrtare të këtij institucioni nuk gjendet asnjë njoftim i publikuar. Veç kësaj, zinxhiri i institucioneve që nis nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe përfundon tek Bashkia e Pogradecit kanë shmangur në mënyrë të dyshimtë edhe dëgjesat me publikun, gjatë hartimit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor të Planit të Detajur të Zonës me Rëndësi Kombëtare “Drilon – Tushemisht”, duke lënë jashtë ekspertët, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe qytetarët.

Sipas Trajçes “fakti që nuk i jepet mundësia reale publikut apo palëve te tjera të interesit, studiuesve, shkencëtarëve për tu angazhuar me një projekt në fjalë të bën të dyshosh fortësisht që kjo është një qasje e qëllimshme”. “Pra bëhet qëllimisht, në mënyrë që procedurat të përshpejtohen në favor të investitorëve dhe zhvilluesve që duan të procedojnë me projekte konkrete. Kjo sjell atë që VNM-ja kthehet në një mjet në shërbim të klientit apo investitorit në raste konkrete”, – thotë Trajçe.

Në të njëjtën linjë është edhe profesor Miho.

“Konsultime as bëhet fjalë, dhe kur bëhen dëgjesat janë shumë sportive në Shqipëri. Bëhen dëgjesa, mblidhen një grup personash të cilët janë më shumë të interesuar që të zhvillohet aktiviteti sesa të pengohet”, – thotë profesori, duke shtuar se institucioneve shkencore nuk iu kërkohet opinion. “Ne nuk kemi një oponencë ndaj ndërtimeve të tilla, i cili të vinte me një rrugë zyrtare, që të thuhet ne do ndërhyjmë këtu dhe të shihet çfarë do bëhet. Këto fjalë do ia thoja që minimalisht do tregosh gjurmën dhe do rrish të paktën 200 m larg nga vija ku ti ke zonën e mbrojtur. Kështu që në këtë sens ne jemi shumë sportivë edhe në hartim edhe në vlerësim boll që të realizojmë qëllimin paçka se cili do të jetë dëmi”, – thotë ai.

URBANIZIM I ZONËS

Ndërkaq, punimet për këto projekte nuk do të jenë të vetmet brenda zonës së mbrojtur. Plani i Përgjithshëm Vendor i Pogradecit, parashikohet urbanizimin e sipërfaqeve të konsiderueshme dhe ndërtime në zonën mes parkut të Drilonit dhe fshatit Tushemisht për të cilat do të bëhet edhe ndryshimi i kategorisë së tokës nga arë në truall.

“Nga qasja urbanistike është thjesht një projekt si gjithë projektet e tjera të kësaj qeverisje, që drejtohen ose bëhen për t’i shërbyer një grushti të vogël njerëzish. Në këtë rast atyre njerëzve që do të banojnë në këto banesa. Është menduar për rreth 10 -1 5 pallate të ulta, 2 dhe 4 katëshe të cilat janë në shërbim të një grushti njerëzish që do të banojnë në atë zonë. E thënë me fjalë të thjeshta do t’i shkëputet mjedisit të hapur që mund t’i shërbente gjithë shoqërisë dhe do t’i jepet një grushti njerëzish të cilët do të blejnë apartamente tek këto pallate të ulta”, – thotë urbanisti, Gentjan Kaprata.

“Kur ato ndërtesa banimi familjare do të përdoren pasi do të jetojnë njerëz, do të kryhen aktivitete njerëzore ndaj në këtë kuptim të përgjithshëm është shumë e qartë që është një gabim i madh“, – shton më tej ai.

Përmes Planit të Përgjithshëm Vendor të Pogradecit synohet zhvillimi ekonomik me fokus turizmin edhe pse ky i fundit bie në kurriz të zonave të mbrojtura, të cilat në perspektivë afatgjatë rrezikojnë të shkatërrohen.

Sipas prof. Mihos “tek ne, te të gjitha investimet e fundit që janë bërë për ndërtim rrugësh, etj. nuk shihet asnjëherë ana ekologjike”. “Ne jemi të magjepsur nga zhvillimi i turizmit, ne jemi si ai i dehuri që themi turizëm, turizëm. . . Turizmi tek ne është shumë agresiv, turizmi tek ne ndërhyn dhe s’pyet fare për ekologjinë. Por, nëse habitatet dëmtohen, “ju thoni uji është i turbullt në Drilon” çon në lulëzime algash, që janë edhe helmuese ndonjeherë dhe ndikojnë edhe njeriun e vrasin”, -thotë ai.

Bashkia Pogradec nuk iu përgjigj një kërkese për koment, sesi e konsideron planin për urbanizimin e Zonës së Mbrojtur “Peizazhi i mbrojtur ujor tokësor Drilon – Tushemisht”.

Ndërkohë që, Këshilli Kombëtar i Territorit shpërfilli statusin e Sitit të Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, kur miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor të kësaj bashkie në korrik të vitit 2022, duke shtrirë urbanizimin në drejtim të Drilonit dhe Tushemishtit.

KËRKESA PËR TËRHEQJE

Zbatimi i dy projekteve në Drilon vuri në alarm organizatat mjedisore në Maqedoninë e Veriut që ndan me Shqipërinë liqenin e Ohrit, i marrë në mbrojtje nga UNESCO-s.

“Po hidhet beton në liqenin e Ohrit. Makineritë shihen në Tushemisht. Kjo është një tjetër dëshmi se nuk ka mbrojtje reale të trashëgimisë natyrore të Rajonit të Ohrit dhe shkatërrimi vazhdon me ritme të qëndrueshme në anën tjetër të kufirit”- tha përmes një deklarate publike organizata Ohrid SOS në Maqedoninë e Veriut.

Vetë Organizata e Trashëgimisë Botërore, UNESCO që kryen inspektime periodike në zonat që ka marrë në mbrojtjen e saj, i kërkoi Bashkisë së Pogradecit të heqë përfundimisht nga Plani Vendor projektin e zhvillimit në Drilon si dhe reduktimin e sipërfaqeve të planifikuara për ndërtim.

“Ndoshta vendimet e qeverisë për zonat e mbrojtura, nuk kanë si ta pengojnë këtë qeverisje për ta marrë atë veprim ndërtimor, por të shpresojmë që UNESCO do të vazhdojë të këmbëngulë sepse kemi dhe një deklaratë të tyre që e shikon të papërputhshme me asnjë gjë të vetën këtë zhvillim. Nëse ata do të këmbëngulin, do shpresojmë që do të bllokohet”- thotë eksperti i urbanistikës Kaprata.

I vetmi institucion që ka bërë një hap pas duke marrë në konsideratë kundërshtitë e UNESCO-s ka qenë Ministria e Kulturës, që i tha “EkoSkaner” se ndërtimi i Muzeut Ujor në Drilon, parashikuar në projektin për rehabilitimin e parkut, nuk është hartuar dhe nuk do të zbatohet.

Ndërkaq, edhe ekspertët kërkojnë tërheqjen nga projektet infrastrukturore brenda zonave të mbrojtura.

“Shpesheherë ne perceptohemi sikur themi jo për të gjitha dhe sikur jemi kundër zhvillimit. Faktikisht ne jemi në një disavantazh të madh ndaj zhvillimit, pasi ajo çka shumë nga komuniteti i ruajtësve të natyrës kërkon, është që të paktën ai konvencion social që ne kemi vendosur me nocionin “zonë e mbrojtur”, të paktën ai të respektohet. Shqipëria momentalisht ka diku tek 20% të territorit Zonë të Mbrojtur që do të thotë 80% e territorit nuk është zonë e mbrojtur dhe të futesh me zhvillime infrastrukturore agresive apo me infrastruktura gri është e tepërt në pikëpamjen etike dhe në konvencionin social që kemi pranuar si shoqëri, për të mos thënë që është edhe e jashtëligjshme në shumë raste.” – thotë Trajçe.

Sipas prof. Mihos “nuk ka kevojë të bëjmë shumë shkencë, por mjafton të shikohet modeli që është ndjekur në anën e Shën Naumit. “Edhe atje ka kjë rrugë që kalon shumë larg, burimet janë të paprekura, edhe vizitorët shkojnë në ca rrugë ekologjike. Ne nuk njohim fare ç’janë rrugët ekologjike në këto lloj mjedisesh, rrugë ku rruga merr frymë dhe jo e betonuar dhe asfaltuar”, – thotë profesori. “Boll që Pogradeci ta ruajë sa më shumë atë sepse janë vlera edhe për turizmin e shëndetshëm, jo atë turizmin që shkon në mes të zonës atje të lëvizë me varkë dhe të shëtisë pa pasur kujdes që me ndikimin e tij dëmton habitatin. Këtë gjë duhet ta ketë parasysh Bashkia e Pogradecit”, – përfundon ai.

 

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn