Forumi i Korçës për pyjet, deklaratë për vendimmarrje më të hapur

Mbi 198 hektarë fond pyjor u përfshinë në procedura për aktivitete ekonomike në Korçë, Kolonjë dhe Pogradec gjatë viteve 2023–2025. Projektet energjetike përbëjnë rreth 69% të sipërfaqes së evidentuar.

Si vendoset se ku mund të zhvillohen projekte ekonomike në fondin pyjor dhe si përfshihen komunitetet përpara se të merren këto vendime? Këto pyetje ishin në qendër të Forumit Rajonal “Pyjet dhe Zhvillimi: Vendimmarrje gjithëpërfshirëse në Qarkun e Korçës”, organizuar nga All Green Centre më 2 tetor 2026 në Korçë.

Në forum morën pjesë prefektja e Qarkut të Korçës, Florinda Zegullaj, përfaqësues të institucioneve vendore dhe të Universitetit “Fan S. Noli”, ekspertë, organizata të shoqërisë civile, banorë, të rinj dhe përfaqësues të medias. Diskutimi solli së bashku gjetjet e monitorimit, këndvështrimin e universitetit dhe përvojat e komuniteteve që jetojnë pranë zonave ku zhvillohen projektet.

All Green Centre prezantoi gjetjet e monitorimit në bashkitë Korçë, Kolonjë dhe Pogradec. Për periudhën 2023–2025, monitorimi evidentoi rreth 198,2 hektarë fond pyjor të përfshirë në procedura për aktivitete ekonomike. Projektet energjetike zënë rreth 69% të sipërfaqes së evidentuar, me peshë veçanërisht të madhe në Bashkinë Kolonjë.

Në fjalën e hapjes, drejtorja ekzekutive e All Green Centre, Ola Mitre, theksoi rëndësinë e zgjedhjes së vendndodhjes së projekteve dhe të vlerësimit të ndikimit të përbashkët kur disa ndërhyrje përqendrohen në të njëjtin territor. Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e të rinjve në qeverisjen e pyjeve. Përmes projektit You4est, 155 nxënës dhe studentë morën pjesë në katër trajnime dhe kontribuuan me ide e mesazhe për fushatën ndërgjegjësuese.

Forumi u përmbyll me miratimin e Deklaratës së Përbashkët për Mirëqeverisjen e Pyjeve në Qarkun e Korçës. Deklarata kërkon që vendimet për përdorimin e fondit pyjor të mbështeten në planet vendore, që alternativat e vendndodhjes të shqyrtohen që në fazat e hershme dhe që ndikimet e projekteve të vlerësohen së bashku kur ato përqendrohen në të njëjtën zonë. Ajo kërkon gjithashtu që komunitetet dhe grupet e interesit të informohen në kohë dhe të kenë mundësi të japin mendimin e tyre përpara marrjes së vendimeve.

Forumi u zhvillua nga All Green Centre në kuadër të projektit “You4est – Youth for Good Forest Governance”, me mbështetjen financiare të Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD), në kuadër të programit BOOST Balkans,  koordinuar nga ALDA – European Association for Local Democracy. 

Ndiqni në videon më poshtë Deklaratën e Përbashkët të Forumit.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn