INVESTIGIMI / Bujqësia shqiptare kërcënohet nga ndryshimet klimatike

Nga Ola Mitre

Sektori i bujqësisë në vendin tonë rrezikon të futet në në një spirale të re krize si pasojë e ndryshimeve klimatike. Fermerët po humbasin gjithnjë e më shpesh prodhimet si pasojë e “kapriçove” të motit, çka pritet të kushtëzojë edhe produktet që shtrohen në tryezat tona. Por, teksa një pjesë e tyre tashmë ka falimentuar, ndërsa efektet po ndjehen gjithmonë e më shumë, të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se politikat shtetërore në ndihmë të fermerëve janë thuajse inkezistente, duke nisur nga informimi, mbështetja financiare për përshtatje e deri te kompensimi në rast dëmesh. Ekspertët argumentojnë se vetëm sektori bujqësor vuan një kosto të jashtëzakonshme prej 400 mln dollarë humbje në vit, ndërsa shtojnë se kjo kosto do të rritet nëse nuk ndërhyhet në mënyrë urgjente.

Ylver Bylykbashi zotëron një nga fermat më të mëdha të mollëve në zonën e Korçës. Me profesion agronom i lartë, prej vitesh tenton që të gjitha ndërhyrjet në fermën e tij të parandalojnë dëmtimet që vijnë si pasojë ndryshimeve klimatike. Nga 20 ha pemëtore, 6 prej tyre i ka të pajisura me rrjetë kundër breshërit si dhe aplikon vaditjen me pika të sistemit izraelit. Por, pavarësisht kësaj, breshëri i fortë i verës së kaluar i shkaktoi dëme të jashtëzakonshme. Njëjtë si ai, thuajse të gjithë fermerët e zonës humbën miliona euro, pasi molla u dëmtua nga breshëri i fortë.

Ylver Bylykbashi, fermer dhe agronom i lartë

“Dëmet nga breshëri për vitin e kaluar kanë qenë të jashtëzakonshme, pasi është një specifikë te frutat: cilësia e mollës bie gati 10 herë. Nëse do të shitej 30 lekë kg, pas breshërit shitet me 3 lekë kg për lëngje që shkon në Bullgari. Kjo do të thotë se dëmi është i konsiderueshëm”, – thotë Ylveri. “Nëse kemi parasysh që kostoja e mollës është nga 15-20 lekë për kg dhe e shet me 3 lekë kg kuptohet çfarë humbje është.  Vetëm nga breshëri rreth 15 mijë ton mollë ose 1/15 e prodhimit u shit për lëngje. Ky dëm, po ta llogaritësh shkon në miliona euro dhe këto janë të gjitha në kurriz të fermerëve”, – shton ai.

Ylveri, që është njëkohësisht edhe drejtues i Unionit të Prodhuesve të Mollës, thotë se si pasojë e humbjes të cilësisë së produktit nga breshëri i fortë, thuajse gjysma e fermerëve të zonës falimentuan, duke i braktisur pemëtorët.

“Sidomos në zonën e Devollit, gati 40% e fermerëve nuk po i shërbejnë këtë vit sepse nuk kanë më kapital. Në rast se bie breshër, ne jo vetëm humbim në cilësi, sasi dhe lekë, por njëkohësisht duhet të shpenzojmë për ta mbajtur për vitin e ardhshëm. Kështu që,  fermërët u lodhën nga ndryshimet klimatike, nga stuhitë e erërave të fuqishme, breshëri, lagjështira e tepërt dhe kjo bëri që një pjesë që s’kanë mundësi, e lanë fare”, – thotë Bylykbashi.

Agim Rrapaj, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar

Edhe sipas Agim Rrapajt nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, “nëse një fermer do e ndërpresë prodhimin e tij, aktivitetin e tij për një vit, e ka të pamundur të marrë veten në vitin pasardhës”. “Ka ardhur koha që ne ta vlerësojmë siç duhet këtë proces sepse mund të na rritet numri i subjekteve që shkojnë në faliment”, – shprehet Rrapaj.

Në hartën e rrezikut!

Bujqësia është një ndër sektorët më të rëndësishëm në ekonominë tonë. Ajo kontribuon me rreth 20% në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe punëson rreth 40% të krahut të punës. Por, efektet negative të ndryshimeve klimatike do të rëndojnë pikërisht mbi këtë sektor, që rrezikon të shkojë në faliment.  Një raport i Bankës Botërore evidenton se temperatura mestare në Shqipëri është rritur me një gradë, që nga viti 1960, si dhe e rendit Shqipërinë ndër vendet e rrezikuara nga ndryshimet klimatike për shkak të infrastrukturës së dobët dhe varfërisë në zonat rurale. Sipas këtij raporti Shqipëria është nën kërcënimin e valëve të të nxehtit, thatësirave, përmbytjeve dhe zjarret në pyje.

Po ashtu, sipas një prej raporteve të Shqipërisë pranë Konventës së Kombeve të Bashkuara, do të kemi ulje drastike të nivelit të reshjeve, çka do të shoqërohet edhe me avullim më të lartë.

Këto ndryshime tashmë po rëndojnë në kurriz të fermerëve.

“Nëse para 5 apo 10 vitesh, binte një stuhi breshëri në vit, tani bie edhe 5 herë në vit. Pra del domosdoshmëri të marrim masa për mbrojtjen e pemëtoreve, me sistem antibreshër, por njëkohësisht të ndërhyjë edhe shteti nëpërmjet subvencioneve për mbulimin e këtyre sipërfaqeve. Njëkohësisht, shteti duhet të ndihmojë me subvencion edhe në rast dëmi nga faktorët atmosferikë”, – thotë fermeri dhe agronomi i lartë, Bylykbashi.

Sipas Rrapajt, kjo situatë “i ka zënë në befasi sepse shumë nga fermerët nuk i kanë parashikuar dëmet që po ndodhin tashmë si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe që nuk kanë ndodhur më parë kaq shpesh sa po ndodhin tani”. “Ne jemi përballur me përmbytjet, me thatësirat, me ngricat, me zjarret, por ne nuk jemi përballur me breshërin siç po ndodh tani. Njëkohësisht, periudhat me të cilat jemi ndeshur me ndryshimet klimatike nuk kanë qenë kaq të shpeshta, por nuk kanë qenë dhe me kaq dëme sa ne po përballemi sot”, – bën me dije Rrapaj.

Këto ndryshime klimatike mund të sjellin pasoja katastrofike në bujqësi, aq sa ekspertët paralajmërojnë se mund të përballemi me mungesë drastike të prodhimeve të frutave dhe perimeve tipike të verës.

Abdulla Diku, Ekspert mjedisi

“Janë bërë vlerësime të ndryshme, në kohë të ndryshme jo vetëm në Shqipëri ,por edhe në vende të rajonit apo në botë, lidhur me kultura të ndryshme bujqësore që tek drithërat, tek perimet, tek foragjerët, tek vreshtat, tek ullishtet, pemtoret dhe rezulton se në të gjitha  rastet pritet ulja e rendimentit e kulturave bujqësore. Pra, pothuajse në të gjithë kategorinë e kulturave bujqësore, përjashtuar jonxhën”, – thotë eksperti i mjedisit, Abdulla Diku. “Ato që janë baza e njerëzimit në tokë siç janë drithërat dhe perimet parashikohet një ulje e dukshme e rendimentit të tyre, ndërkohë që kërkesa për këto produkte vjen në rritje”, – shton më tej ai.

Pa informacion dhe pa mbështetje, ekspertët parashikojnë se ata që do të vujanë më së shumti kostot e ndryshimeve klimatike, duke u zhytur edhe më shumë në varfëri, do të jenë pikërisht shtresat më të margjinalizuara dhe me të ardhura të kufizuara. Fermerët mendohet të jenë në krye të listës.

Elvin Toromani, Profesor në Universitetit Bujqësor të Tiranës

Sipas profesorit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Elvin Toromani, “studimet kanë treguar se ndryshimet klimatike do të prekin më shumë grupet e margjinalizuara”.

“Fermat bujqësore që janë në vendin tonë janë kryesisht të orientuara te prodhimi ose plotësimi i nevojave të familjeve dhe familjet e varfra janë ato që nuk kanë mundësi që të investojnë në drejtim të zbutjes ose të këtyre impakteve negative të ndryshimeve klimatike”, -thotë Toromani.

Indikatorët e rrezikut në Shqipëri rriten edhe më shumë për shkak të sipërfaqes së limituar të tokës bujqësore, por edhe bujqësisë primitive që ka një sistem të vjetër të ujitjes, kultivimit, ruajtjes, përpunimit të produkteve bujqësore, duke e bërë mjaft të cënueshme sigurinë ushqimore në vend dhe për rrjedhojë dhe sigurinë e jetës.

“Ka përllogaritje për vite të caktuara, për shembull vetëm për përmbytjet kosto shkon rreth 100 milion dollarë, në një sezon përmbytjesh mesatar jo katastrofik, por jo dhe të vogël. Pastaj kostos së përmbytjes, e cila është impakt i drjetpërdrejtë, duhet t’i shtohet edhe kosto e reduktimit apo uljes së rendimentit, për shkak të temperaturave ekstreme, të larta apo dhe të ulëta. Pra, ndryshim i fazave fenologjike të bimëve për shkak ë ndryshimeve klimatike dhe kjo kosto shkon nëse i shtojmë dhe përmbytjet, shkon 300-400 milionë dollarë në vit që është kosto e jashtëzakonshme për bujqësinë”, – argumenton eksperti Abdulla  Diku.

Mungesë veprimi!

Por, teksa fenomenet ekstreme të motit dhe risqet sa vijnë dhe shtohen, politikat shtetërore për përshtatje nuk ecin në të njëjtin drejtim. Megjithëse kemi dy satelitë në hapësirë dhe një zinxhir të tërë hallkash, duke filluar që nga Instituti Hidrometeorologjik, Qendra e Transferimit të Teknologjive apo Shërbimi Këshillimor, që janë përgjegjës për të njoftuar fermerët për ngjarjet e papritura, asnjë prej tyre jo vetëm nuk funksion, por nuk kanë as shërbim të automatizuar që informacioni të mbërrijë në kohë tek fermeri.

“Ne na mungon gjëja më elementare në këtë drejtim, pra struktura bazë e cila të jetë në funksion të fermerëve, që është Instituti Hidrometeorologjik. Ai duhet të jepte informacion të paktën për një javë në avancë, në mënyrë që fermerët të dinin si të veprojnë në raste të tilla. Mungon hallka ndërmjetëse, sesi ky informacion mund të lidhet nga Instituti dhe të shkojë te Shërbimi Këshillimor, që duhet ta përpunojë domosdoshmërisht informacionin”, – shprehet Diku. “Duke qenë se shumë gjëra nuk janë të automatizuara, por vazhdojnë të përpunohen në një fletë ëord apo në excel dhe thjesht filtrimi apo përpunimi i këtij informacioni kërkon ditë, krejt parashikimi që është bërë për motin tashmë ka kaluar koha dhe është i pavlefshëm për fermerët sepse dëmi është bërë tashmë’, – argumenton më tej ai.

Paralelisht, skema e mbështetjes së Bujqësisë që ofrohet nga Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nuk ka planifikuar dhe nuk jep asnjë mbështetje shtesë që kanë si qëllim kompensimin si pasojë e ndryshimeve klimatike. Por edhe mbështetja që jep është shumë larg nevojave të vërteta që ka ky sektor kyç në vendin tonë.  Më konkretisht, për vitin 2023 skema e mbështetjes është 31 mln euro, fond për të cilin janë paraqitur plot 68 mijë aplikime. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre e kanë parë veten në listën e fituesve, për shkak se fondet janë krejt minimale krahasuar me nevojat e fermerëve.  Kështu nga 9 masa që parashikon mbështetje Skema Kombëtare e Bujqësisë, asnjëra nuk merr parasysh ndryshimet klimatike. Rreth 19 mijë fermerë kanë përfituar nga skema e mbështetjes me naftë, dhe rreth 14 mijë të tjerë kanë përfituar nga masat e tjera, që janë mbështetje për krerë lopësh, matrikullim apo bletari. Pra, thuajse gjysma e fermerëve që kanë nevojë për mbështetje, janë lënë jashtë skemës sepse nuk ka fonde. Ndërkohë që, në vendet e tjera të rajonit, që kanë ekonomi të varfër njëjtë si Shqipëria, skemat e mbështetjes janë shumë më të mëdha sesa ofron vendi ynë dhe ato lëvizin në varësi të kërkesave të fermerëve.

Paralelisht, fermerët e vegjël nuk kanë shpresë as tek fondet e IPARD, për shkak të kushteve më specifike.

“Subvencione për prodhimin nuk kemi patur dhe as për dëmet. Për këtë vit në frutikulturë nuk ka asnjë subvencion. Presim fondet e IPARD, në rast se do të vijnë, por edhe ato për fermerët e vegjël nuk janë pasi kërkojnë sipërfaqe të mëdha”, – thotë Ylver Bylykbashi.

Për të kuptuar sesa e papërfillshme është mbështetja që marrin fermerët nga shteti, Ylveri tregon se investimet në fermën e tij i kanë kushtuar rreth 1 mln euro, por ai ka marrë vetëm 80 mijë euro mbështetje.

“Mund të them me bindje që mbështetja për fermerët, sidomos të vegjlit ka qenë relativisht e vogël”, – thotë prof. i Universitetit Bujqësor, Elvin Toromani.  “Ndaj theksoj që, duke qenë se grupet e marxhinalizuar, pra ata fermerët e vegjël do të jenë më të prekur, duhet që masat të jenë më mirë të menduara dhe natyrisht mbështetja financiare të ketë fokus edhe këtë kategori të shoqërisë. Kjo pasi ata, duke qenë se preken më shumë, do të jenë më shumë të impaktuar dhe natyrisht humbjet ekonomike për ta do të jenë shumë më të mëdha krahasuar me pjesën tjetër”, – thotë Toromani.

Shqipëria ka nënshkruar deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër, si dhe ka bërë katër rapotime kombëtare tek Konventa kuadër e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike. Po ashtu vendi ynë, është ndër vendet e pakta që ka miratuar një ligj të veçantë për ndryshimet klimatike si dhe ka një strategji dhe një plan veprimi për përballimin e situatave të ndryshimeve klimatike në Shqipëri. Por problem mbetet zbatim i tyre!

“Dokumentet strategjikë janë të mira relativisht, mirëpo dokumente të tilla strategjike ka çdo sector. E keqja është te zbatimi. Te zbatimi ngelim të gjithë në klasë sepse kjo lidhet me kapacitet financiar. Nëse nuk e mbështet me investime, me zbatim aktivitetesh që janë parashikuar në këtë kuadër, asnjë lloj strategjie apo ligj nuk vlen”, – thotë eskperti, Abdulla Diku.

Për ekspertin e Bujqësisë, Agim Rrapaj, zgjidhja do të ishte ligji i sigurimit të fermave.

“Po na ndodh fakti që nuk po reflektojmë. Së pari duhet të reflektojmë për ligjin “Për sigurimin”. Nëse nuk sigurojmë pronën dhe prodhimin, ne nuk kemi për t’ia dalë mbanë. Vetëm me kompensim nuk mund të përballojmë këto dëmë që po na vijnë nga kushtet natyrore. Në këtë situatë kur po shtohen dëmet nga ndryshimi i kushteve klimatike domosdoshmërisht kërkohet ligji për sigurimin e fermerëve”, – thotë Rrapaj.

Por ky ligj, sipas tij nuk duhet të mbetet në kurriz të fermerëve dhe ta paguajë ata primin, pasi nuk kanë mundësi. Ai sugjeron që të bashkohen katër aktorë: fermerët, shteti, kompanitë e sigurimit dhe një donator i fuqishëm që të jetë pjesë e procesit, për të paguar primin e ku gjithsesi fermeri duhet të paguajë pjesën më të vogël.

“Ne nuk i ndalojmë dot këto fenomene, por ne mund të minimizojmë risqet. Të marrim disa masa që të tjerët i kanë marrë. Unë do t’u bëja thirrje vreshtarëve që të marirm masa për rrjetën, prodhuesve të frutave, mollëve të marrin masa për rrjetëzimin. Atyre që kanë sistemet e ujitjes në kanalet e treta, t’i mirëmbajnë që në rast të shirave të rrëmbyeshëm që po ndodhin shpesh, të kenë mundësinë që ta heqin ujin sa më shpejt të jetë e mundur sepse nëse nuk funksionojnë kanalet e treta uji mbetet në arë dhe bima asfiksohet”, – shprehet Rrapaj.

Ministria e Bujqësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga “EkoSkaner” nëse kishte gati ndonjë paketë masash dhe mbështetje për të ndihmuar fermerët të kapërcejnë dështimet që vijnë si rezultat i kushteve klimaterike.

Pavarësisht neglizhencës, vetë fermerët janë me sytë nga institucionet si e vetmja zgjidhje për të mos e çuar këtë sektor drejt falimentit.

“Ta vlerësojnë më mirë bujqësinë, ta subvenciojnë me atë vlerë që është domosdoshmëri. Të paktën 50 % të shpenzimeve që bëhen në frutikulturë duhe t’i mbulojë shteti. Ne po punojmë që të prodhojmë mollë me logon “Molla korçare”, por dy vitet e fundit ka pasur një rënie drastike të prodhimit të mollës dhe lënia e këtyre tokave nga fermërët do të jetë një humbje, jo vetëm për ta, por edhe për ekonominë kombëtare. Ndaj duhet patjetër, që Ministria e Bujqësisë t’i mbështetë, jo për të fituar, por për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, me qëllim që ata të mbijetojnë në treg”, – thekson Bylykbashi.

Ndërsa, ekspertët bëjnë apel që të vihen në zbatim strategjitë e hartuara, në të kundërt do të jemi shumë vonë.

“Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural duhet që të fokusohet në mbështetjen e këtyre grupeve të margjinalizuara, në drejtim të krijimit të mundësive më të mëdha përsa i përket aplikimit të teknikave të vaditjes, përmirësimit të kësaj infrastrukture, të teknologjive të përpunimit të tokës e kështu me radhë. Ndaj dhe mendoj që është shumë e rëndësishme, që politika të tilla të fokusohen pikërisht te këto grupe, që janë edhe më të prekurit nga ndryshimet klimatike’, – thotë Toromani. “Po ashtu, duhet të punohet më shumë në drejtim të masave përshtatëse sepse ne duhet të fitojmë kohë që të arrijmë të reagojmë ndaj këtyre ndryshimeve. Jo të kapemi të papërgatitur! “, – përfundon ai.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn