Duke pasur parasysh sfidat kryesore klimatike dhe synimet për një zhvillim ekonomik dhe shoqëror të qëndrueshëm, All Green Centre ka realizuar studimin “Rindërtim dhe rinovim i godinave ekzistuese të shkollave në Shqipëri për një zhvillim të qëndrueshëm”, që synon të analizojë dhe të ofrojë zgjidhje për ndërtime të shkollave në vend. Objektivi i tij është të japë disa rekomandime për përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe cilësisë së ambientit të shkollave në studim. Fokusi kryesor është në performancën energjetike, komoditetin, cilësinë e jetës, ndikimin mjedisor dhe përdorimin e burimeve të qëndrueshme.
Auditimi energjetik i shkollave është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për ndërtesat që kanë rreth 50 vite ndërtim dhe tregojnë gjendje të degraduar. Ndaj, në këtë publikim jepet një vlerësim i detajuar i gjendjes së 5 shkollave në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë dhe Tiranë. Ndërtesat e përzgjedhura janë ndërtuar para viteve ‘90 dhe përballen me shumë sfida në lidhje me izolimin termik, sistemin e ndriçimit, si dhe ngrohjen e ftohjen, të cilët shkaktojnë humbje të konsiderueshme të energjisë.
Rikonceptimi i qëndrueshëm dhe efikas në kosto i një shkolle apo i ndërtimeve shkollore ofron një mundësi reale për të sensibilizuar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për efikasitetin e energjisë, si dhe për komoditetin dhe cilësinë e mjediseve të brendshme e të jashtme. Ndërtesat shkollore, pajisjet e tyre teknike dhe operimi mund të shfrytëzohen si një shembull për nxënësit dhe familjet e tyre: një shembull që, sapo t’i përjetojnë, mund të ndikojë sjelljet e tyre dhe t’i udhëheqë drejt një sjelljeje më të përgjegjshme dhe më të kujdesshme, për të mirën publike.
Kjo punë studimore është një burim i rëndësishëm informacioni për profesionistët, studentët dhe autoritetet vendimmarrëse, pasi integron parimet e rikonceptimit të ndërtimeve ekzistuese dhe propozon përfitime të mundshme që mund të aplikohen në të ardhmen.
Ky raport u realizua në kuadër të projektit “Rini eficiente”, i zbatuar nga All Green Centre me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.