Nga Ola Mitre
Nëntoka e pasur me krom e rendit Dibrën si qarkun me numrin më të lartë të lejeve minerare në Shqipëri. Në këtë qark janë të paktën 176 leje aktive për nxjerrjen e këtij minerali, ndërsa nuk mungojnë lejet për hidrocentrale apo aktivitete të tjera, me ndikim në mjedis. Të gjithë këta subjekte, kanë detyrimin për t’u pajisur me leje mjedisi dhe të vetëmonitorojnë ndotjen e shkaktuar në tokë, ujë apo ajër, duke dorëzuar raportet pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Por, të dhënat tregojnë se në Qarkun e Dibrës, kanë dorëzuar raporte vetëmonitorimi vetëm 106 subjekte, shumë larg numrit real të atyre që kanë detyrimin ligjor për të kryer këtë proces.
Mosdorëzimi i vetëmonitorimeve nga subjektet në Qarkun e Dibrës është vetëm maja e ajsbergut. Të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se ky detyrim shkelet rëndom, por edhe në rastet kur raportet dorëzohen ato nuk verifikohen nga institucionet përgjegjëse. Për pasojë ndotja reale në shumë zona vihet në pikëpyetje, duke qenë se monitorime alternative të kryera përmes laboratorëve të certifikuar shpesh herë kanë nxjerrë në pah ndotjen tej normave të lejuara.
Ekspertët akuzojnë autoritetet si përgjegjëse për situatën, pasi kanë detyrimin ligjor të kryejnë monitorime, sidomos në zona ku risku i ndotjes në mjedis është i lartë. Ata shtojnë se moszbatimi i ligjit në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, po shkel të drejtën e qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm.
DETYRIMET PËR MONITORIME
Qëllimi i pajisjes me leje mjedisi është parandalimi, pakësimi dhe mbajtja nën kontroll e ndotjes së shkaktuar nga disa kategori veprimtarish, në mënyrë që të arrihet një nivel i lartë i mbrojtjes së mjedisit në tërësi, shëndetit të njeriut dhe cilësisë së jetës. Gama e aktiviteteve që kanë detyrimin për t’u pajisur me këtë leje është shumë e gjerë, duke nisur nga industritë energjetike, prodhimi dhe përpunimi i metaleve, industria minerare, industria kimike, menaxhimi i mbetjeve, veprimtaritë e katramit dhe të bitumit, bujqësia intensive, etj. Legjislacioni për mjedisin i detyron subjektet private, që kanë ndikim shumë të madh në mjedis të pajisen me leje të tipit A, ndërsa ato që presupozohet të kenë emetime më të ulta, me leje të tipit B. Këto subjekte duhet të bëjnë çdo 3 ose 6 muaj dhe më pas një raport vjetor, mbi monitorimin e mjedisit në lidhje me ndotësit që ata prodhojnë. Për ata që nuk dorëzojnë raportet e vetëmonitorimit, ligji parashikon masa drastike.
“Është taksative që çdo subjekt që nuk dorëzon raportet e vetëmonitorimit sipas shpeshtësisë që ka të përcaktuar në lejen e mjedisit dhe parametrave që ka në leje, gjobitet e deri në revokim të lejes së mjedisit”, – thotë ekspertja e vlerësimit dhe monitorimit mjedisor, Ornela Shoshi.
Ornela Shoshi, eksperte e vlerësimit dhe monitorimit mjedisor
Në fakt, raporti i fundit i Gjendjes në Mjedis, një dokument kyç që duhet të tregojë ndotjen në vendin tonë, ekspozon numrin e ulët të vetëmonitorimeve, në raport me subjektet që e kanë këtë detyrim. Por, pavarësisht kësaj, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk flet për shkelje të detyrimeve ligjore, por krenohet me numrin e rritur të kompanive që vetëraportojnë nga viti në vit. Sipas, AKM kjo tregon rritjen e ndërgjegjësimit të subjekteve për vetëmonitorimin e burimeve të shkarkimit të veprimtarisë së tyre.
“Mjedisi ngelet një mjet propagandistik i autoriteteve lokale dhe qendrore në Republikën e Shqipërisë për të thënë sa bukur duket Shqipëria nga lart apo nga një kënd ku rrezet e diellit e nxjerrin bukur, por ndërkohë fakti tregon që hotspotet në Shqipëri shtohen dita-ditës”, – thotë eksperti i mjedisit Rodion Gjoka.
Rodion Gjoka, ekspert mjedisi
Mosdorëzimi i raporteve të vetëmonitorimit është vetëm një prej shkeljeve. Të dhëna të shumta tregojnë se institucionet shtetërore, jo vetëm që nuk verifikojnë raportet që dorëzohen nga subjektet, por i certifikojnë si të dhëna zyrtare. Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis, nga 1813 raportet e vetëmonitorimit të dërguara nga subjektet pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2022 rezulton se parametrat e matur të përcaktuar në lejen mjedisore të tyre janë brenda normave të përcaktuara në legjislacionin përkatës.
“Këtu ka një subjekt fiktiviteti, pra një subjekt pavërtetësie shumë të lartë sepse të gjitha raportet e vetëmonitorimit në të gjithë Republikën e Shqipërisë citojnë që të gjitha subjektet, dhe këtu jam 100% i sigurt, emetojnë dhe shkarkojnë brenda normave të lejuara në lejen e tyre mjedisore, gjë që nuk përputhet me realitetin”, – thotë Gjoka.
“Rëndom raportet e vetëmonitorimit apo thuajse në asnjë rast nuk tregojnë tejkalim të vlerave të ndotësve të caktuar në zona të caktuara. Ky fakt të bën të mendosh që raportet e vetëmonitorimit të kryer nga laboratorë të akredituar nuk kanë të dhëna reale”, – thotë Shoshi.
Rasti më tipik është ai i kompanisë “Bankers Petroleum”, që kryen aktivitetin e nxjerrjes së naftës në fushën e Patos – Marinzës. Në raportet e dorëzuara në AKM, kjo kompani raporton të dhëna brenda parametrave, për të gjithë llojet e ndotësve që shkarkon në ujë, tokë apo në ajër. Por, gjithsesi pranon se në territor ka ndotje, por ajo është e trashëguar dhe jo si pasojë e aktivitetit të saj.
Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit, nuk ka bërë një verifikim shkencor të këtyre të dhënave, pra që të kryejë vetë monitorimin e zonës, por kërkesave për informacion mbi ndotjen iu përgjigjet me të dhënat e depozituara nga kjo kompani. Ndërkohë, një Raport i Vlerësimit Mjedisor të zonës Patos & Roskovec, i kryer nga organizata “EcoPartners” tregon se shumë parametra janë tej normave të lejuara, ndërsa efektet e ndotjes nga nafta, shtrihen në një zonë rreth 23 000 ha.
Situata është e njëjtë edhe në Elbasan. Kompania Kurum, që ushtron aktivitetin në zonën e ish – Metalurgjikut me Uzinën e Çelikut dhe Fabrikën e Petëzimit raporton në AKM të dhëna brenda parametrave të lejuar, por ato ndryshojnë nga monitorimet e pavarura, të kryera nga Co Plan dhe Klubi Ekologjik midis viteve 2019 – 2021, që ekspozojnë ndotjen e ajrit.
“AKM mund të citojë të dhënat që jep operatori në bazë të raporteve të vetëmonitorimit, por duhet të kryejë edhe verifikime nga ana e saj. Sidomos kur kërkohet nga media, komuniteti apo që ka një indicie që në këtë zonë vlerat e ndotësve janë të tejkaluara, por raportet e vetëmonitorimit nuk e japin një të dhënë të tillë”, – argumenton Shoshi.
Në të njëjtën linjë është edhe Jordan Daci, një nga juristët dhe ekspertët që ka punuar për ndryshimet e ligjit të mjedisit në vitin 2011, si dhe eksperti i mjedisit Rodion Gjoka.
Jordan Daci, jurist dhe pedagog
“Kurrsesi nuk mundet që fryma e ligjit të pranojë që subjektet vetëm të vetëdeklarojnë dhe kjo të jetë forma e vetme e vlerësimit sesi një subjekt respekton standardet mjedisore. Nëse do ta bënim këtë rreziku do ishte shumë i lartë. Për rrjedhojë ky lloj aktiviteti do rezultonte në mënyrë të pashmangshme në shkelje që nuk do mbikqyreshin dhe nuk do ndëshkoheshin”, – thotë Daci.
“Nëse në realitet ne shkojmë dhe shikojmë një ndotje të shkarkuar në atë zonë ku operon një industri specifike, nuk mundet ajo industri të çojë në AKM një raport që citon që në aspektin mjedisor shkarkimet janë brenda normave dhe për të ardhur keq dhe për të konsoliduar shkeljen këtu është AKM-ja e cila i pranon vetë këto monitorime dhe ndonjëherë i referon që industria në fjalë është në sinkroni me shkarkimet”, – thotë Gjoka.
Të dhënat kontradiktore mes vetëraportimeve dhe ndotjes reale në territor nuk mungojnë as në rastin e guroreve, një tjetër aktivitet me ndikim të lartë në mjedis. Sipas një raporti të realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, një ndër problematikat më aktuale është ndotja nga pluhuri që shkaktojnë guroret.
“Në zona të caktuara ku operojnë disa industri, pra ku ka disa operatorë që raportojnë çdo 3 ose 6 muaj në AKM, brenda territorit të tyre mund të dalin vlera brenda normave. Problemi qëndron tek ndotja akumulative. Marrim malin e Krujës, ku operojnë disa gurore apo edhe në Bulqizë. Roli i institucioneve shtetërore dhe AKM-së është të identifikojë ndotjen akumulative që ndodh nga 30 gurore që operojnë sepse secila prej tyre kur bën raportin e vetëmonitorimit del në rregull. Problem ndodh që kjo ndotje e 30 guroreve bashkohet me njëra – tjetrën dhe shkakton këtë situatë kaotike”, – thotë Shoshi.
Për shumicën e lejeve të tipit A, ku përfshihen aktivitetet me riskun më të lartë për ndotje, në vitin 2015 u miratua edhe një vendim qeverie, që kërkon krijimin e një databaze në kohë reale online për ndotjen, teksa subjektet duhet të kenë një monitorim 24 orë në 24. Këto të dhëna duhet të raportohen pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe ky informacion duhet të jetë publik për qytetarët, për të identifikuar nëse në zonën ku ato jetojnë ka nivel me të lartë të ndotësve apo jo. 9 vite më pas, në faqen zyrtare të AKM-së nuk ka asnjë gjurmë të këtij sistemi.
“AKM është asistuar me një projekt para disa vitesh, për ngritjen e sistemit të raportimit online dhe 24 orë në 24 për regjistrin e shkarkimeve dhe transferimit të ndotësve. Por, fatkeqësisht ky sistem monitorimi nuk është funksional dhe nuk është i pasuruar me të dhëna nga subjektet që bien nën vendimin e qeverisë “Për regjistrin e shkarkimeve dhe transferimit të ndotësve”, – thotë Shoshi.
“Është shumë e rëndësishme që për industrinë e rënda, që janë të pajisura me leje mjedisi të tipit A, që përfshihen në këtë vendim të krijohet infrastruktura e duhur për monitorim 24 orë në ditë. Çdo qytetar duhet të dijë sa është niveli i ndotjes në zonën ku ai jeton, shkaktuar nga instalimet industriale që operojnë rreth zonave të banuara”, – shton ajo.
Çdo vit Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcakton një program të monitorimit të parametrave mjedisorë që do të monitorojë, por shumica e tyre nuk kryhen për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe kapaciteteve të kufizuara në aparatura.
“Po marrim për referencë ajrin. Citohen në këtë plan kombëtar që janë 121 stacione në të gjithë Shqipërinë. Patosi është një nga këto qytete që duhet monitoruar dhe ka në listën e stacioneve që duhet monitoruar. Dhe ndërkohë që thjesht citohen 121 stacione, nuk as aparate për të mbuluar këto stacione, nuk ka as të dhëna prej 7 vitesh që janë kryer matje në këto stacione. Pra, të gjithë kapacitetet për të ushtruar dhe për të zbatuar këtë plan mungojnë”, – thotë Gjoka.
“Zbatimi i ligjit nuk është çështje vullneti. Ligji kërkon zbatim se s’bën. Pra nuk ka asnjë lloj alternative apo arsyeje se përse ligji nuk zbatohet. Mund të ketë shkaqe të cilat vonojnë zbatimin apo nuk e lejojnë zbatimin në formën e duhur, por thelbi është i thjeshtë: Institucionet duhet sa më shpejt të jetë e mundur të marrin masa që kërkesat që përcakton ligji të respektohen. Kur këto afate shtrihen në afate kaq të mëdha, nuk mendoj se ka asnjë arsyetim të arsyeshëm që të justifikojë mos krijimin e kapaciteteve apo moszbatimin rigoroz të ligjit sepse në momentin që ne nuk zbatojmë ligjin, diskutimi nuk ka më vlerë”, – thotë Daci.
E pyetur nga “EkoSkaner”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mbrojti procesin e monitorimit të ndotjes.
“Ka një sistem të tërë monitorimi të planifikuar që në fillim të vitit, sipas rregullave të inspektimit në Republikën e Shqipërisë, që zhvillohet edhe nga agjencia. Pra, përveç vetëdeklarimit bëhet rrregullisht plan inspektimi për të monitoruar situatën, por edhe për të parë nëse vetëdeklarimet e bizneseve janë në përputhje, me çka kanë deklaruar. Përveç kësaj, çdo indicie që vjen nga media, shoqëria civile, njësitë e qeverisjes vendore apo nga komuniteti është arsye e mjaftueshme për të iniciuar kontrolle të reja”, – tha Kumbaro.
Pasojat që vijnë nga ndotja tej normave të lejuara janë të mëdha për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
“Po marrim rastin e një industrie që prodhon lëndë kimike me karakter helmues. Së pari mund të çojë në helmimin e zonës, tërthorazi mund të çojë në helmimin e kafshëve dhe të njerëzve dhe me paosja tepër të rënda, që mund të jetë humbja e jetës. Në këtë rast, si mund të riparohet kjo?! Kjo nuk riparohet!”, – thotë Daci.
Në kushtet kur institucionet shtetërore nuk kryejnë punë e tyre dhe të dhënat mbi gjendjen reale të mjedisin mund të jenë të manipuluara, është e pamundur të zbatohet edhe parimi “Ndotësi paguan”. Si pasojë kompanitë që shkaktojnë dëmin shpëtojnë nga detyrimi për të paguar për dëmin e shkaktuar.
“Këto kosto i paguajmë të gjithë si shoqëri, i paguan viktima e drejtëpërdrejtë e cenuar, i paguan komuniteti, mund t’i paguajnë individë, por mbi të gjitha ne si shoqëri. Këto lloj kostosh ne e kemi të domosdoshme t’i çojmë tek ai që i shkakton. Për t’i çuar këto duhet të kemi sistem mbikqyrjeje të fortë dhe sigurisht kontrolle, që janë atribute të inspektimit”, – thotë Daci.
Për juristin Daci, e drejta për mjedis të përshtatshëm është një e drejtë themelore, që ka edhe një mbrojtje kushtetuese.
“Për mendimin tim më të rëndësishëm sesa mjedisi nuk mund të ketë sepse nga këtu fillon çdo gjë tjetër. Ne mund të bëjmë plot fabrika të bukra dhe tregti, por nuk do të kemi as turizëm, as shëndet publik. Nuk do të kemi as jetë cilësore, madje mund të kemi vdekje nëse nuk i kushtojmë rëndësi. Mjedisi ka dhe një karakteristikë të veçantë, nga gjithë të drejtat e tjera. Të drejtat e njeriut mbarojnë me mbarimin e jetës së tij, ndërsa mjedisi prezumohet që është një e drejtë që duhet ta trashëgojmë tek të tjerët. E drejta e fjalës mbaron me ne, por te mjedisi jo!”, – thotë Daci.
Përballë kësaj situate, ekspertët kërkojnë trajnimin e stafit dhe rritjen e buxhetit për ministrinë dhe AKM. Kjo mund të bëhet pa pasur nevojë për manovra shtesë, por vetëm duke përdorur taksat që vilen në emër të mjedisit
“Kemi një taksë, që quhet dhe taksa e karbonit në Shqipëri, që i merret çdo konsumatori nafte diku te 3 lekë për litër, dhe përsa kohë e ka emrin taksa e karbonit ajo duhet të shkojë pikërisht për të gjurmuar ndotjen, për të reduktuar ndotjen, etj. Nga vlerësimet e bëra në raport me konsumin vjetor të naftës në Republikën e Shqipërisë, shuma e mbledhur nga kjo taksë varion nga 15 – 20 milion euro në vit dhe kjo është një taksë që ka 15 vjet që aplikohet. Në asnjë rast buxheti i shtetit nuk ka alokuar për mjedisin aq sa mblidhet nga taksa e karbonit”, – thotë Gjoka.
“Duhet që trupat inspektuese të trajnohen dhe të keni rritje kapacitetesh. Duhet të kemi edhe një rivlerësim të masasve të gjobave dhe të indeksohen me ndryshimet ekonomike që kanë ndodhur në vend dhe t’i mëshojmë shumë pjesës së ndërgjegjësimit dhe edukimit në popullatë, pasi parandalimi kushton më pak sesa ndëshkimi dhe riparimi”, – përfundon Daci.