IINVESTIGIMI / Krimet mjedisore mbeten të pandëshkuara

Foto: Zjarrvënia në pyllin e Pishë Poros

Nga Ola Mitre

Paraditen e 23 shtatorit 2023 pylli i Pishë Poros u përfshi nga flakët, që për gati 2 javë shkrumbuan qindra hektarë me pishë të butë mesdhetare. Pylli është pjesë e peizazhit të mbrojtur “Pishë Poro – Nartë” për shkak të vlerave të larta natyrore, si dhe pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA. Brezi mbrojtës i pishave u krijua para viteve nëntëdhjetë dhe kishte një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e depërtimit të detit në brendësi të tokës dhe erozionin.

“Djegia e pyllit të Pishë Poros ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur vitet e fundit, jo vetëm në Qarkun e Fierit, por në të gjithë Shqipërinë. Me të drejtë mund të quhet një masakër mjedisore sepse krahas djegies së qindra hektarë pyll pishe aty impakti është edhe në botën shtazore, që e popullon gjithë këtë zonë”, – thotë ish- kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier, Adrian Koçi.

 

Autoritetet kanë pohuar se zjarri u shkaktua nga dora e njeriut, ndërkohë që pamjet e siguruara nga emisioni “EkoSkaner”, tregojnë se zjarrvënia ka qenë e organizuar me të paktën 8 vatra të ndezura në të njëjtën kohë.  Edhe gjurmët pas shuarjes së flakëve tregojnë se autorët kanë përdorur grumbuj dërrasash, për të nxitur nisjen e zjarrit. Por, teksa dëmi mjedisor dhe ekonomik i shkaktuar është kolosal, sot nuk ka asnjë person përgjegjës për masakrën e shkaktuar.

Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor është vepër penale dhe sipas Kodit Penal dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet. Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Ndërkohë, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Ish- kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier, Adrian Koçi i cili e drejtoi këtë institucion për 8 vjet e konsideron ngjarjen të paralajmëruar.

“Ajo gjatë gjithë kohës ka qenë një zonë shumë pranë riskut. Ka qenë nën trysninë e barinjve, të banorëve vendas, por edhe tek ata që herë pas here mundoheshin për të kultivuar bimët narkotike. Por, më kryesorja ishte sepse ajo zonë ka qenë gjithmonë në lakminë e investitorëve strategjikë. Prandaj, mendoj që ajo zonë që ishte aq e lakmuar, u gjet mënyra për ta hequr qafe”, – thotë Koci.

“E kisha lajmëruar më përpara që mund të ndodhte një masakër e tillë dhe që duhej të merreshin masa nga shteti dhe nga organet qendrore kishte indiferencë totale”, – shton ai.

Djegia e pyllit të Pishë Poros është vetëm një nga shumë krime mjedisore, që mbeten të pandëshkuara. Të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se vetëm një numër i vogël i procedimeve finalizohen me dënime, ndërkohë që ekspertët flasin për një zinxhir arsyesh që nga mbivendosja e kompetencave mes institucioneve përgjegjëse, mungesa e kapaciteteve institucionale e deri te parashikimet ligjore, që lenë hapësira të gjera në drejtim të vlerësimit të dëmit. Ata shtojnë se pandëshkueshmëria e krimeve me pasoja të rënda në mjedis po favorizon rritjen e këtyre veprave, ndërsa kërkojnë ndërmarrjen e një sërë masash, në mënyrë që ato të parandalohen apo ndëshkohen.

KRIME TË PANDËSHKUARA

Krimi mjedisor nënkupton të gjitha veprimet që i shkaktojnë dëm mjedisit. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë rendit 19 vepra penale kundër mjedisit. Këtu përfshihen ndotja e ajrit, ujit, tokës, menaxhimi apo tranportimi i mbetjeve, dëmtimi apo tregtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër, dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore, peshkimi i ndaluar, prerja e paligjshme e pyjeve, shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor, etj. Po ashtu, në çdo ligj të posaçëm, që lidhet me ndotjen e ajrit, pyjet, mbetjet, zonat e mbrojtura, etj. listohen një sërë shkeljesh mjedisore që mund të shërbejnë si orientim dhe referencë për identifikimin e krimeve mjedisore.

“Në përgjithësi krimi mjedisor, që nga fjala duket sikur të impresionon dhe pret diçka të madhe. Në fakt, krimi mjedisor gjendet gjithandej. Krimi mjedisor gjendet që tek ndotja e ajrit, që nga ndotja akustike, pastaj toka, ujrat që janë më të prekshme”, – thotë avokatja e qendrës ResPublica, Prof. Dr. Irena Dule.

Irena Dule, Avokate, qendra ResPublica

Ndjekja dhe ndëshkimi i veprave kundër mjedisit, ndahet në ndjekjen penale dhe dënimin e tyre nga gjykata, nëse këto shkelje konsiderohen kundërvajtje penale dhe shkelje administrative të cilat ndiqen dhe dënohen nga institucionet apo agjencitë përgjegjëse shtetërore që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.  Në varësi të veprës penale, Kodi Penal parashikon dënime me gjobë deri në 20 vite burg.

Gjithsesi, sipas të dhënave nga Raporti Vjetor i Gjendjes së Kriminalitetit, të dorëzuar në Kuvend nga institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm rezulton se numri i personave të dënuar për vepra penale kundër mjedisit, është shumë i vogël në raport me numrin e procedimeve të regjistruar. Sipas këtij dokumenti, në vitin 2022 u regjistruan 372 procedime për vepra penale kundër mjedisit, por vetëm 75 prej tyre u dërguan në gjykatë. Për këto vepra u dërguan në gjykatë 103 të pandehur, ndërsa u dënuan 73 prej tyre. E njëjta situatë rezultoi edhe në vitin 2021, ku u regjistruan 314 procedime, por në gjykatë u dërguan vetëm 80. Për gjithë këto procedime, pati vetëm 65 të dënuar.

Prerja e paligjshme e pyejeve është vepra më e proceduar dhe dënuar, ndërkohë që djegia e tyre është e dyta në listë për nga numri i procedimeve, por të paktën në vitet 2020, 2021 dhe 2022 nuk ka patur asnjë të dënuar. Në fakt, mungesa e ndëshkimeve vihet re edhe në vepra penale që kryhen hapur, duke lënë shkelësit të pashqetësuar. Tregtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër është një prej tyre.

Sipas Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë, pothuajse çdo fundjavë në tregun e ish – uzinës Dinamo në kryeqytet tregtohen lloje të shpendëve të egër në markatën ku tregtohet krapi dhe barbuni. Mirëpo, edhe pse është rast i përsëritur dhe është denoncuar më parë, përsëri vazhdon të ndodhë sikur të ishte një aktivitet normal.

Foto: Shpendë të egër, në tregun e ish – uzinës Dinamo

“Nuk është rasti i parë dhe i vetëm që ne denoncojmë. Ky rast është denoncuar edhe disa herë të tjera, por si duket thirrjet apo denoncimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër dhe ky krim mjedisor vazhdon të konsumohet në mes të qytetit të Tiranës, në një ndër tregjet kryesore industriale dhe këta individë të egër, të kapur në natyrë me metoda të palejuara sepse ligji i faunës ndalon përdorimin e çarqeve, kurtheve, rrjetave, shiten në treg”, – thotë Erald Xeka, biolog pranë Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë.

Erald Xeka, Biolog, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë

“Rasti ka të bëjë me tregtimin e specieve të mbrojtura, të cilat janë pjesë e listës së kuqe për më tepër, specie që nuk janë as objekt gjuetie, pavarësisht se ne jemi në moratorium dhe gjuetia nuk është e lejuar dhe është rast flagrant, pasi ka foto, evidenca të mjaftueshme”, – thotë Klea Duro, biologe pranë Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë.

Klea Duro, Biologe, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë

Metodat e ndaluara për kapjen e këtyre specieve, sipas ekspertëve kanë qëllim rritjen e përfitimit për shkelësit e ligjit.

“Ky është edhe problemi më madhor, me të cilin gjuetia haset sepse në momentin që t’i do vrasësh për të tregtuar, pasi duhet ndarë sepse nuk është më gjueti, por vrajse nga njerëz të papërgjegjshëm që e përdorin këtë mundësi për të nxjerrë ca të ardhura dhe në momentin që ti e shikon këtë aktivitet për të përfituar, vetëkuptohet që ti duhet të vrasësh gjithmonë sasi të mëdha dhe si realizohet kjo? Duke përdorur metoda të palejuara, si: imitues apo rrjeta, që të zësh sasi më të mëdha, që edhe fitimi yt të jetë më i madh”, – thotë Xeka.

Mungesa e dënimeve u konstatua edhe në raportin me titull “Vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundravajtjeve dhe krimeve mjedisore në Shqipëri”, të hartuar nga prezena e OSBE në Shqipëri. Sipas raportit, “edhe nëse nis procedimi për ndjekjen e krimeve mjedisore, nuk arrin deri në dënimin e personave përgjegjës”.

“Vështirësia se përse kemi pandëshkueshmëri të krimit mjedisor është disa drejtimëshe, kuptohet”, – thotë Dule.

Sipas ekspertëve, një nga problemet lidhet me mbivendosjen e kompetencave, mes institucioneve që kanë rol inspektues apo zbatues, duke nisur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Burimeve Ujore, bashkitë, etj.

“Një aspekt që e bën të vështirë hetimin e krimit mjedisor janë mbivendosjet ligjore herë pas here. Nuk dihet kujt i takon çfarë kompetence dhe kjo krijon efektin zinxhir sepse kjo bën të pamundur dhe shumë të vështirë mbledhjen e provave që është momenti i parë ku inspektori do takohet me faktin dhe që do të përbëjë në fund të fundit pjesën tjetër të investigimit që do të shkojë drejt prokurorisë dhe gjykatës”, – thotë Dule.

“Për të njëjtën gjë ka disa institucione që merren dhe shpesh herë kur përshembull një qytetar do të raportojë një krim, e para është ngërçi ku duhet ta raportojë dhe e dyta është se kush do përgjigjet dhe kjo krijon edhe hapësira që institucionet ta shmangin përgjegjësinë nga vetja dhe të thonë që është në pëgjegjësinë apo juridiksionin e një institucioni tjetër”, – thotë Duro.

“Nga praktika brenda AOS, ne e kemi patur gjithmonë problematikë pjesën e mbivendosjes së kompetencave, pasi për ne për një kohë shumë të gjatë ka qenë e vështirë të kuptonim se cili institucion bën çfarë sepse duket sikur të gjithë bëjnë gjithçka dhe në fund askush s’bën asgjë”, – shton ajo.

Por, një nga pengesat kryesore që e bën të pasuksesshëm hetimin kundër krimit mjedisor mbetet mungesa e kapaciteteve institucionale, në drejtim të mjeteve të nevojshme, numrit të punonjësve dhe njohurive të tyre.

“Për të ilustruar mungesën e dijes së institucioneve shtetërore: Qendra ResPublica përpara pak kohësh ka kërkuar informacion nga pushteti lokal lidhur me menaxhimin e mbetjeve dhe ishte për të ardhur keq dhe surprizuese që vinin përgjigje nga bashkitë dhe thoshin që mbetjet e qytetit i groposim mbrapa një shkolle, dikush thoshte që ne mbetjet i hedhim në lumë. Fakti që këto lihen me prova, pra kthehen përgjigje zyrtare lidhur me menaxhimin e mbetjeve tregon sesa injorancë ka, në rastin konkret pushteti lokal, por në përgjithësi kjo është e shtrirë edhe më tej”, – thotë Dule.

Adrian Koçi sjell në vëmendje rastin e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier, ku kushtet e institucionit që ai drejtone ishin një nga arsyet që e detyruan të dorëhiqej 3 muaj përpara se pylli i Pishë Poros të digjej.

“Filloi shkurtimi i karburanteve, makinat që nuk riparoheshin më dhe punonjës që avash – avash fillonin të mendonin për t’u larguar nga vendi për të gjetur një alternativë më të mirë. Por, më e keqja është se pavarësisht se në zonat tona kishim vështirësi në rekrutimin e njerëzve në punë, propozimet që bënim ne nuk merreshin parasyh, por emëroheshin njerëz me banim në Tiranë apo diku tjetër, jashtë zonës që duhet të mbronin. E gjitha kjo pastaj u shoqërua edhe me mungesën e mjeteve teknike për të kryer detyrën”, – thotë Koçi.

“Unë informacionin e kam që edhe AdZM-të e tjera e kanë patur këtë plagë të largimit. Do përmendja Elbasanit, që kishte 4 – 5 largime të tilla”, – shton ai.

Për zonat e mbrojtura, në të njëjtën linjë është edhe ekspertja Duro.

“Kapacitet njerëzore nuk janë të mjaftueshme për të gjitha zonat. Pra, në disa zona që janë më të vogla, mund të ketë kapacitete të mjaftueshme për ta mbuluar zonën e mbrojtur, por mund të ketë zona të tjera që sipërfaqet janë shumë të mëdha, ku kontrolli i territorit që është baza e një investigimi e ku duhet gjetur nëse kemi krim apo jo, nuk është i mjaftueshëm”, – thotë Duro.

“Për pjesën e ekspertizës, edhe kjo është çështje më vete sepse edhe kur bëhet konstatim i një krimi duhet që të paktën personat që merren me konstatimin dhe me raportimin e këtij krimi, ndjekjen e mëtejshme të një çështjeje të caktuar, duhet të kenë një lloj formimi të caktuar për atë gjë. Pra, të kuptohet për çfarë bëhet fjalë, të njohin mirë bazën ligjore, pra nëse është vepër administrative, nëse është vepër penale, cfarë i duhet dhënë rëndësi”, – shton ekspertja.

Paralelisht, trajnimet e stafeve nuk janë të mjaftueshëm, ndërkohë që përfshirja e shumë institucioneve në zbulimin e krimit mjedisor penalizon këtë proces.

“Në punën tonë, ne kemi vënë re që mungojnë trajnimet apo kurrikula, lëndë të posaçme për të drejtën mjedisore edhe në vetë Shkollën e Magjistraturës që prodhon në fund fare prokurorët dhe gjyqtarët. Trajnime të kësaj natyre është mirë që të ndodhin edhe në hallka më të ulta, si në organet e policisë, që janë organet investiguese apo inspektoratet: Inspektorati i Mjedisit, i Mbrojtjes së Territorit, etj. Pra është mirë që përveç shtimit të kapaciteteve në këtë aspekt, këto kapacitete duhet të jenë edhe të specializuara”, – thotë Dule.

“Për të mos folur për bashkitë, që lenë shumë për të dëshiruar nga njohuritë, nga trajnimet që nuk e konsiderojnë fare si krim, nuk e kuptojnë. Edhe për ne bëhet shumë e vështirë që të shkojmë në gjithë këto institucione dhe të trajnojmë persona. Shpesh herë e kemi bërë, vijnë gjithmonë persona të ndryshëm, pra e kuptojmë që shpesh herë janë energji të hedhura kot”, – thotë Xeka.

Ndërkaq, raporti i OSBE gjen mangësi edhe në kuadrin ligjor, pasi aktualisht Kodi Penal kërkon ndihmën e legjislacionit të posaçëm për të klasifikuar veprën penale dhe përcaktuar dënimin adekuat. Kjo, duke qenë se është pikërisht legjislacioni i posaçëm që përcakton rregullat mbi mbrojtjen e ajrit, ujit, tokës, pyjeve, kafshëve, faunës, etj, sjelljet-veprimet apo mosveprimet që duhet të konsiderohen si shkelje administrative, saksionet për këtë shkelje, organet që i përcaktojnë këtë shkelje si dhe vlerësimin e dëmit dhe mënyrën se si do ta kryejnë këtë vlerësim (në shembullin konkret, kufirin e normave të lejuara), në mënyrë që Gjykata të përcaktojë llojin dhe masën e ndëshkimit.

“Ne e dimë që me ligjin nuk është se mund të mbulojmë çdo gjë sepse situatat apo specifikat janë të ndryshme, por ama të mundohemi të ngushtojmë sa më shumë këto hapësira që lenë vend për interpretim”, – thotë Xeka.

Pa kapacitete institucionale e me mangësi në kuadrin ligjor, ekspertët kërkojnë ndërmarrjen e masave për ndryshimin e situatës.

“Të gjitha grupet e interesit, të gjithë institucionet që merren me krimet mjedisore duhet e para të ulen së bashku, të bëjnë një analizë të situatës dhe të shikojnë ku “çalon” puna. Pra, që nga rishikimi i ligjit, që nga ndarja e roleve dhe përgjegjësive midis tyre, që nga hartimi apo përshtatja e protokolleve ekzistuese, pra t’ia bëjnë vetes punën më të lehtë”, – thotë ekspertja Duro.

“Një gjë është e sigurt, me qëllim apo pa qëllim krimi mjedisor vazhdon të gëlojë në të gjitha aspektet, në të gjithë elementet e natyrës që ndikojnë në shëndetin tonë. Kështu që, nëse deri më sot mund të ketë qenë e paqëllimshme, është gjithmonë rasti për të thënë që qëllimi duhet të jetë drejt rregullimit, pavarësisht sesi ka qenë qëllimi deri më sot”, – thotë avokatja, Irena Dule.

“Krimet mjedisore të trajtohen me seriozitet, si çdo krim tjetër. Pra, është krim ndaj natyrës e në fund të ditës është krim ndaj ekosistemit ku ne jetojmë. Pra, nëse ne luftojmë kundër vetes tonë, më duket nonsens kështu që duhet të merret me më shumë seriozitet”, – shprehet Xeka.

Nëse kjo nuk ndodh, mungesa e ndëshkimeve sipas ekspertëve do favorizojë kryerjen e krimeve të ngjashme në të ardhmen.

“Sigurisht mungesa e ndëshkueshmërisë do të nxisë edhe atë shtresë, e cila mbase frika e mban për të shkaktuar një krim tjetër mjedisor, mungesa e ndëshkueshmërisë do t’i nxisë ata për të realizuar atë që ata mendojnë”, – thotë Koçi.

“Patjetër që pandëshkueshmëria e le të hapur që kjo gjë të përsëritet, por patjetër që pasoja kryesore është ulja e cilësisë së jetës tonë sepse mjedisi nuk është një çështje që i përket romantikës, është një çështje që i përket jetës cilësore dhe sasiore madje”, – përfundon Dule.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn