Nga Ola Mitre
Pas një viti me prodhim energjie të kënaqshëm, 2019-a dhe 2020 -a ishin 2 vite të vështirë, pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare përgjysmoi gjenerimin si pasojë e thatësirës. Diferencat ishin të mëdha edhe në vitin 2021. Në 6-mujorin e parë pati prodhim të bollshëm, por në gjashtë muajt e dytë ndodhi e kundërta.
Luhatjet në prodhimin e energjisë elektrike, që varet thuajse 100% nga burimet hidrike, u ndjenë edhe gjatë këtij viti, që ishte i mirë nga pikëpamja hidrike, por ato pritet të jenë më të mëdha në vitet në vijim.
Rodion Gjoka, ekspert mjedisi
Po ashtu, sipas tij parashikohen rritje të fenomeneve të tjera, si valë të nxehti, thatësira të zgjatura, netë tropikale, zjarre apo bomba shiu, që janë reshje me intensitet të lartë të përqendruara në zona të vogla.
Ekspertët i shpjegojnë këto fenomene ekstreme të motit me ndryshimet klimatike. Por, teksa sektori elektroenergjetik është një nga më të rrezikuarit nga ndryshimet, të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se reagimi i qeverisë për t’i zbutur këto pasoja nuk është i mjaftueshëm.
Rreziqe e pasoja
Mungesa e prodhimit në hidrocentralet e Kaskadës së Drinit pasohet me shpenzime që shkojnë në miliona euro për buxhetet e kompanive shtetërore të energjisë dhe buxhetin e shtetit.
Në dy vitet e thatësirës 2019-2020, kur kriza e çmimeve të energjisë nuk kishte nisur, u shpenzuan rreth 200 milionë euro, për të plotësuar nevojat konsumatore. Viti 2021 ishte edhe më i rëndë për financat publike, duke qenë se fatura shkoi në mbi 240 milionë euro, ndërsa, 2022-i shënoi rekord me mbi 446 milionë euro të harxhuara. Totali për 4 vitet e fundit arrin në gati 900 milionë euro shpenzime për blerje energjie. Shifra nuk përfshin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Ekspertët vlerësojnë se rreziqet nga ndryshimet klimatike janë të mëdha. Rodion Gjoka sjell në vëmendje raportin vlerësues nga paneli ndërqeveritar mbi ndryshimet klimatike i Kombeve të Bashkuara, ku theksohet me besueshmëri të lartë se Shqipëria do të duhet të ballafaqohet me 4 risqe kryesore, ku ndryshimi i regjimit të reshjeve që prek drejtpërdrejt prodhimin e energjisë është një prej tyre.
“Efektet e ndryshimeve klimatike, jo vetëm në territorin shqiptar, por kryesisht në pellgun e Mesdheut e sidomos në Ballkan, kanë një impakt goxha të madh dhe jo vetëm nga komuniteti akademik, komunitetet shkencore apo nga instancat e qeverisë por edhe nga vetë banorët e komuniteteve të caktuara po fillojnë të ballafaqojnë efektet”, – thotë Gjoka.
Në të njëjtën linjë janë edhe ekspertët e energjisë, Anduel Çekrezi dhe Gjergji Gjinko.
“Sigurisht, risku për Shqipërinë është shumë i lartë për shkak të prodhimit të energjisë nga i vetmi burim, që është ai hidrik. Për sektorin elektroenergjetik është që përballet me 2 ekstreme të mundshme. Kemi vite shumë të thatë dhe për rrjedhojë uji është shumë i pakët në kaskadë dhe prodhimi ulet në mënyrë drastike. Pastaj, kemi vite me shira, të cilët kanë ekstremin tjetër. Sigurisht, që thatësisa në këndvështrimin tim është më e rrezikshme dhe me kosto shumë më të larta për Shqipërinë sepse do duhet që t’i drejtohemi importit dhe patjetër që importi, sidomos në periudha thatësirash në rajon, çmimet janë shumë më të larta”, – thotë Çekrezi.
Anduel Çekrezi, ekspert për energjitë e rinovueshme
“Ky ka qenë një fakt i shumë viteve i konsideruar si një problematikë në kuptimin e mungesës së diversitetit të energjisë. Mungesa e reshjeve të here pas hershme sjell çekuilibër në furnizimin e sistemit energjetik dhe sjell problematika në balancimet duke rritur shkallën e disbalancimeve, humbjeve dhe gjithë problematikat që pasojnë pas këtij disbalancimi”, – thotë Gjinko.
Gjergji Gjinko, ekspert për çështjet e energjisë
Ndërkaq, në një dokument politikash të publikuar në fund të vitit 2022, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike bëjnë që popullsia dhe industritë të humbasin aksesin në shërbime, duke përfshirë energjinë elektrike, ujin e pijshëm dhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor. Po ashtu, theksohet se Shqipëria goditet nga afërsisht një fatkeqësi në vit, teksa çdo fatkeqësi natyrore shkakton dëme prej rreth 1.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe prek rreth 5 000 për 100 000 banorë.
“Ne praktikisht e dimë që në Shqipëri, 98% e energjisë që ne prodhojmë vjen nga burime të rinovueshme, por duhet të saktësojmë që nuk janë burime të qëndrueshme. Që do të thotë, janë vulnerabël përsa i takon prezencës së sasive të ujit që varen dhe nga reshjet, dhe në këtë drejtim duke qenë vulnerabël, si ndaj tregut të energjisë, në nivel rajonal dhe evropian, si ndaj ndryshimeve klimatike, masat që duhet të marrim duhet të jenë në këtë drejtim”, -thotë Gjoka.
Ndërsa ndryshimet klimatike janë të pranishme, të dhënat e përpunuara nga emsioni “EkoSkaner” tregojnë se pak ose aspak po bëhet në drejtim të zbutjes së pasojave, edhe pse qeveria thotë se çështjet e ndryshimeve klimatike kanë vëmendjen e duhur.
Në fakt, duke njohur problemin e varësisë nga uji, diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është shpallur prej gati 10 vitesh prioritet nga qeveria shqiptare. Edhe një nga pesë dimensionet ku mbështetet Strategjia Kombëtare e Energjisë për Shqipërinë 2018-2030, si dokumenti strategjik thelbësor për sektorin kombëtar të energjisë, është diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë.
Gjithsesi, ndërtimi i kapaciteteve gjeneruese nga dielli dhe era ka ecur me rritme tejet të ngadalta.
Përgjatë 10 viteve të fundit, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, në prodhim ka hyrë një sasi e vogël prej vetëm 40 MW energji diellore, teksa gjysma e saj tregtohet në tregun e lirë. Po ashtu, hyri në prodhim një impiant fotovoltaik i ndërtuar nga KESH me fuqi 5.14 MW, teksa energjia e prodhuar nga burimet diellore zë vetëm 1 – 2% të prodhimit total, nga të gjitha burimet elektroenergjetike në vend.
Ndërkohë që, energjia eolike mbetet ende e pashfrytëzuar.
“Ne ndoshta, në rajon jemi nga vendet e vetme që nuk e kemi akoma prodhimin nga ky lloj burimi energjie”, – thotë Çekrezi.
Po ashtu, “Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën” parashikon që gjatë periudhës 2021 – 2030 në rrjet të shtohen 30 MW energji fotovoltaike në vit ose 300 MW në total deri në 2030. Por të paktën në 2 vitet e para plani nuk ka gjetur zbatim.
Dokumenti përmend edhe ndërtimin e 2 parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë, duke konsideruar shtimin e kapaciteteve gjeneruese me 240 MW dhe përfundimin e tyre në vitin 2023. Por aktualisht ka përfunduar vetëm parku i Karavastasë me kapacitet të instaluar 140 MW, që ka detyrim t’i shesë qeverisë vetëm 70 MW, ndërsa pjesa tjetër do jetë nën menaxhim nga kompania Voltalia. E njëjta kompani është shpallur fituese është në ankandin e Spitallës.
“Sigurisht do ishte e dëshirueshme që të kishim kapacitete shumë më të mëdha të instaluara sepse jemi një vend me mangësi të tmerrshme. Më shumë se 1/3 e energjisë importohet dhe kjo gërryen financat e shtetit. Përveç kësaj siguria energjitike e qytetarëve dhe garancia e një energjie me çmime të përshtatshme për të bërë konkurrues bizneset që përdorin energjinë në sasi të konsiderueshme sigurisht ka vonesë, sigurisht ka gjëra që duhet të plotësohen me urgjencë”, – thotë Gjinko.
“Patjetër që vonesa nuk është pozitive, është vonesë negative, duke parë edhe emergjencën dhe nevojën imediate që ne kemi për shkak të historikut që thamë pak më parë”, – thotë Çekrezi.
Planet janë ambicioze edhe për energjinë eolike, ku parashikohet shtimi i kapacitetit eolik me 150 MW deri në vitin 2024. Kjo shifër është përmendur edhe më herët në Planin e Konsoliduar i Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë 2019 – 2020, por deri më tani nuk është arritur.
Në vitin 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërmori një procedurë ankandi, ndërsa 3 projektet fitues me kapacitet total 222.48 MW, u shpallën në korrik të këtij viti. Aktualisht, ndërtimi i tyre nuk ka nisur.
Sipas ekspertëve, vonesat në arritjen e objektivave për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë janë të dukshme.
“Shqipëria ka vënë objektiva shumë ambiciozë që në vitin 2030 të bëhet eksportuese e energjisë elektrike. Me këto ritme, vështirë se kapet ky objektiv. Edhe objektivat të tjerë, të mëparshëm të Planeve Kombëtare të Prodhimit të Energjisë nga Burime të Rinovueshme nga 2018 deri në 2021, nuk janë realizuar dhe kjo është edhe një kujtesë për të kuptuar që nevoja për të diversifikuar dhe për të rritur energjinë në të gjitha format e burimeve të energjisë të rinovueshme është një nevojë që kërkon përshpejtimin e legjislacionit, liberalizimit, lehtësimin e rregullave, uljen e barrierave, nxitjen dhe incentivimin e programeve mbështetëse”, – thotë Gjinko.
Të nxitet vetëprodhimi!
Për qëndrueshmërinë energjetike në Shqipëri, ekspertët thonë se diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë duhet të shoqërohet me masa të tjera, si rritja e eficiencës së energjisë dhe mundësia e vetëprodhimit të energjisë nga konsumatorët familjarë dhe bizneset.
“Patjetër, që fokusi kryesisht në Evropë është eficienca, pasi nuk arrin dot një suficiencë të energjisë duke vetëprodhuar, por duhet edhe eficiencë përdorimi, që do të thotë pajisje më eficiente, izolim të ndërtesës që është A-ja e eficiencës, pra një izolim termik i mirë, i cili pastaj krijon kushtet që ti të përdorësh energji shumë herë më pak për gatim, për ngrohje, për gjithçka”, – thotë Çekrezi.
Në të njëjtën linjë është edhe Rodion Gjoka.
“Është për të ardhur keq që dhe ligji “Për eficiencën e energjisë”, sidomos me themelimin e Agjencisë Kombëtare të Eficiencës së Energjisë, në praktikën që ngritën me gjithë laboratorët, menaxherët, audituesit e energjisë, sërish nuk ka vend për një ndërhyrje në masë. Shohim godina publike, që po rindërtohen nga e para dhe nuk janë në linjë me standardet që kërkohen nga ligji. Në këtë drejtim unë mendoj që fondet dhe politikat duhet të fokuson shumë sepse në të njëjtën kohë nuk ke nevojë të instalosh apo të rrisësh kapacitetet e instaluara pa masë kur t’i mund të reduktosh dhe përdorësh në mënyrë më eficiente energjinë elektrike nga konsumatorët e brendshëm”, -thotë ai.
Ndërkaq, Ekspertët dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, vlerësojnë se disa hapa përpara janë bërë në drejtim të vetëprodhimit të energjisë elektrike nga panelet fotovoltaike. Sipas të dhënave, janë rreth 150 MW të instaluara në çatitë e bizneseve apo familjeve, por gjithsesi skema duhet të përmirësohet për t’u bërë më tërheqëse. Sipas Sekretariatit, Shqipëria duhet të kalojë në faturimin neto për vetëprodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, duke filluar nga 1 janari 2024. Faturimi neto është një mekanizëm faturimi që lejon një konsumator të marrë një vlerë monetare të llogaritur duke u bazuar në vlerën neto të energjisë elektrike të konsumuar nga rrjeti dhe vlerës të energjisë elektrike të futur në rrjet, brenda një periudhe kontabël. Aktualisht, një skemë e tillë nuk është miratuar.
“Në rastin e vetëprodhuesve, të cilët në mënyrë zyrtare kanë nisur pas udhëzimit të ministrisë të 19 qershorit të 2019, kuptohet që nuk është zbatuar një pjesë e legjislacionit që detyron korporatën përfituese që është OSHEE, që të paguajnë për energjinë shtesë që vetëprodhuesit hedhin në rrjet. Kjo është një mangësi që duhet të zgjidhet me ligjin e ri. Nëse do ishte bërë e mundur pagesa e tarifës, që në vitet e para, kuptohet që sasia e investimeve të vetëprodhuesve, sipas ekspertëve do ishte gati 3-fish më shumë”, – thotë Gjinko.
Sipas ekpertëve ka edhe forma të tjera që mund të aplikohen për të nxitur vetëprodhimin e energjisë nga panelet diellore.
“Duhet të jetë një skemë, që të jetë një lloj incentivimi për t’i dhënë një lloj shtyse. Ne shohim që vende të caktuara, në varësi të konfigurimit të tregut, ka incentivime direkt në një rimbursim të vlerës së investuar apo në një çmim shumë herë më të lartë sesa çmimi i tregut, në mënyrë që t’ia bëjë të leverdisshme konsumatorit. Sugjerimi im është që çdo lloj skeme e re që paraqitet, duhet të jetë më e hapur dhe më e gjerë për publikun dhe për grupet e intersit për ta diskutuar. E dyta, mendoj se një skemë e re duhet të sjellë një lloj incentive për të vazhduar, për të investuar në sektorin e vetëprodhimit. Nëse skema është një masë frenuese, atëhere nuk mund të jetë një suskes, por do të jetë një dështim në këtë drejtim dhe nuk mendoj që do duhet ta kemi të nevojshme në këtë moment”, – thotë Çekrezi.
“Ne punojmë me partnerë nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe në disa prej këtyre vendeve veçanërisht Mali i Zi, ka programe shumë të mira që disa mijëra qytetarë janë përfshirë në skemat e kompesimit të investimeve të tyre në masën 20% dhe ata po instalojnë në çatitë e shtëpive të tyre energji, panele fotovoltaike për të kaluar te fatura 0, për nevojat e tyre por edhe për të kontribuar në tërë sistemin energjitik të vendit të tyre. Është e rëndësishme që të ecet sipas këtyre modeleve, sipas këtyre praktikave më të mira, për të bërë atë që Shqipëria ka nevojë, për të plotësuar deficiencën energjitike, për të rritur sigurinë energjitike, për të ulur koston e prodhimit për bizneset, për të rritur garancinë e furnizimit te qytetarët”, – thotë Gjinko.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgatitur një listë të gjatë masash që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, teksa pjesa më e madhe e tyre konsiderohen me prioritet shumë të lartë. Rritja e efikasitetit të përdorimit të ujit, diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë dhe nxitja e eficiencës së energjisë janë 3 prej tyre.
Sipas ekspertëve, qeveria shqiptare është e vonuar në drejtim të reagimit që duhet të ketë ndaj ndryshimeve klimatike në këtë sektor.
“Shqipëria në Gadishullin e Ballkanit ka potencialin më të madh për të ecur me hapa të shpejtë dhe për të përfituar jashtëzakonisht shumë”, – thotë Gjoka.
“Qeveria duhet të ecë me hapin e ndryshimeve teknologjike dhe politikave. Ne po shikojmë ndryshime galopante të tregjeve të ndryshme në botë, që një burim që ishte shumë i leverdisshëm në një moment, nuk është më. Pra, burime të tjera janë të leverdishme dhe patjetër ju lutem, qëndrojini larg burimeve fosile pasi nuk janë të qendrueshme, nuk i bëjnë nder planetit dhe patjetër që do na sjellin kosto disa herë më të larta në vitet e ardhshme”, – përfundon Çekrezi.