INVESTIGIMI / Dega e lumit Vjosë rrezikohet nga devijimi i burimit

Nga Ola Mitre

Lefter Qejvanaj është banor i fshtatit Kallarat të Njësisë Administrative të Vranishtit në Bashkinë Himarë dhe prej kohësh ka zgjedhur bujqësinë e blegtorinë për të siguruar jetesën për familjen e tij.

“Unë kam 1 ha tokë. Kryesisht mbjell foragjere: Jonxhë, pak misër, fasule dhe pemtari”, – thotë Lefteri, që përveç një pensioni të vogël nuk ka asnjë të ardhur tjetër.

Megjithatë, mjetet e jetesës së familjes Qejvanaj vihen në rrezik, pasi uji i lumit Shushicë, që ata e përdorin për vaditje rrezikon të thahet nga ndërtimi i një ujësjellësi që e ka zanafillën në burimin e tij.

Lefter Qejvanaj, banor i fshtatit Kallarat

Ngjashëm me Lefterin, edhe shumë familje të tjera e përdorin ujin e lumit për të vaditur tokat që kultivojnë me prodhime bujqësore dhe ushqim për bagëtitë.

Sipas kryeplakut të fshatit Kuç, Asllan Lala numri i familjeve që shfytëzojnë ujin e lumit për vaditje arrin në mijëra.

“Vetëm për vaditje janë mbi 1500 familje. Kultivohet misër, me grurë, lakër, të gjitha prodhimet që përdoren për blegtorinë. Krejtësisht tokat iu ngelen pa vaditje nëse iu merret ky ujë. Nëse nuk prodhohet jonxha, blegtoria s’ka çfarë të hajë sepse atje janë stallat me jonxhë, merret misri që dimërojnë bagëtia. Kështu që ngelet bujqësia dhe blegtoria, paralizohet krejtësisht ajo luginë sepse janë 30 fshatra”, – thotë Lala.

Asllan Lala, kryeplak i fshatit Kuç

Lefteri thotë se tharja e lumit “do t’i detyrojë të ikin. “Është e pamundur të jetohet kështu”, – shprehet ai.

Projekti për ndërtimin e ujësjellësit parashikon marrjen e ujit nga burimi i Lepushës, që është furnizuesi kryesor i lumit Shushicë. Në fillim të këtij viti, ky lumë u shpall Park Kombëtar së bashku me lumin Vjosë, si një nga degët kryesore të tij.

Me dhënien e statusit të mbrojtjes, shumë projekte janë të ndaluar të zhvillohen në luginë, ndonëse janë miratuar përpara shpalljes. Ndërkohë që, banorët ankohen se nuk kanë asnjë informacion dhe se projekti është miratuar duke anashkaluar procesin e konsultimit publik, që është detryim ligjor.

Paralelisht, dokumentet e siguruar nga “EkoSkaner” tregojnë se sasia e ujit që do të merret nga burimi është më e lartë se mesatarja vjetore, çka sugjeron se gjatë muajve të verës, kur nevoja për vaditje është më e madhe, do të sjellë tharjen e plotë të lumit.

Nga ana tjetër, ekspertët argumentojnë se zbatimi i këtij projekti bie në kundërshtim me legjislacionin “Për zonat e mbrojtura” dhe se po avancon në një kohë që ende nuk është miratuar Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, që do përcaktojë edhe mënyrën e përdorimit të ujit, që është një nga arsyet se përse kjo zonë u shpall e mbrojtur.

Banorët dhe organizatat e shoqërisë civile kërkojnë ndërprerjen e punimeve dhe shfrytëzimin e burimeve alternative për furnizimin me ujë, ndërsa paralajmërojnë se çështja do të kundërshtohet edhe përmes procesit gjyqësor.

LUMË I MBROJTUR, PA UJË!

Lugina e Vjosës, së bashku me degët e saj ku bën pjesë edhe lumi Shushicë u shpallën “Park Kombëtar” të mars të këtij viti, duke u konsideruar si parku i parë në Evropë, i një lumi të egër.

“Kemi sot vendimin përfundimtar që e shpallim lumin e Vjosës, lumin e fundit të egër në Evropë, Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë si “Park natyror””, – tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro pas mbledhjes së qeverisë. ”E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtjeje në 12 727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore, sipërfaqja bregore e lumit, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore, të cilat së bashku me të tre degët e lumit Vjosë: Lumi Drino, lumi Bënçë dhe lumi i Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër siç është lumi Vjosa”, – shtoi më tej ajo.

Por, paralelisht me hapat për mbrojtjen e zonës po avanconte edhe projekti për ujësjellësin që parashikon furnizimin me ujë të qytetit të Himarës dhe 8 fshatra më të vegjël nga Kuçi në Qeparo.

“Debati publik për shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar” ka nisur që në shtator të vitit 2019, me një dalje publike të kryeministrit dhe që atëhere ka qenë një angazhim gjithnjë e më serioz i qeverisë shqiptare. Dua të them me këtë që plani për ndërtimin e ujësjellësit të Bashkisë së Himarës duhet patjetër të kishte marrë në konsideratë edhe këtë risk në njëfarë mënyre se do të ndërtohej brenda një parku kombëtar, i cili pritej të shpallej. Por, në fakt nuk e ka marrë parasysh këtë gjë dhe kjo është një nga elementet që ne i konsiderojmë si shkelje në këtë pikë”, – thotë Olsi Nika, nga organizata EcoAlbania.

Olsi Nika, Ekspert mjedisi, organizata “EcoAlbania”

Edhe banorët e zonës shprehen të zhgënjyer, pasi besuan se me mbrojtjen e lumit do të ndalohej çdo projekt, që dëmton natyrën.

“Jam gëzuar shumë kur është shpallur Park Kombëtar, e kemi festuar, por kjo paska qenë një mashtrim sepse të prekësh Parkun Kombëtar dhe sidomos pikërisht aty ku rrjedh do të thotë që ti nuk e ke seriozisht këtë punë”, – thotë Sotir Zahoaliaj, banor i fshatit Brataj.

Sotir Zahoaliaj, banor i fshatit Brataj

Por, projekti është shumë pranë edhe Monumentit të Natyrës “Ilqet e Zerecit”, ku sipas legjislacionit në fuqi zbatohet shkalla e mbrojtjes, e njëjtë me “Rezervën strikte” apo thënë ndryshe shkalla e parë e mbrojtjes, duke ndaluar të gjitha aktivitetet njerëzore që mund ta dëmtojnë. Në këto zona është e lejuar vetëm prania e vizitorëve, por pa mjete të motorizuara, në mënyrë që të ruhet cilësia e natyrës së egër.

“Vepra e marrjes së këtij ujësjellësi është shumë pranë dhe ndërhyn praktikisht në një tjetër zonë të mbrojtur, që është pjesë e rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura, që është Monumenti i Natyrës “Ilqet e Zerecit”, çka do të sillte më pas prishjen e gjithë balancës në aspektin e peizazhit”, – thotë Nika.

Sipas profesorit nga Fakulteti I Shkencave të Natyrës, Aleko Miho, “burimi i Buronjave të Kuçit, është një burim i rëndësishëm i gjithë asaj zone”. “Përdorimi i tij për ta kaluar në anën tjetër të pellgut me siguri bie ndesh më atë që është kërkesa e një parku kombëtar të një lumi të egër sepse do heqësh ujrat e do t’i çosh në një tjetër destinacion”, – thotë prof. Miho.

Prof. Aleko Miho, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT

Por, përvec devijimit të lumit, të dhënat tregojnë se projekti u miratua mbi shifra jo të sakta për sasinë e ujit, që ka ky burim.

Vlerësimi i Ndikimit Social Mjedisor, i përgatitur nga shoqëria Taulant SHPK për llogari të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, thotë se prurja e sipërfaqes përllogaritet në 550 l/s, ndaj “duket e mundshme që prurja e kërkuar e ujit prej 139 l/s mund të sigurohet nga burimi i Lëpushës, madje edhe në stinë shumë të thata”.

Këto shifra konsiderohen si të pavërteta nga banorët dhe kryepleqtë e fshatrave, që preken nga projekti.

“Që të thuash “këtu ka 500 l/s kjo është gënjeshtra më e madhe!”, – thotë Qejvanaj.

“Na kanë thënë do të marrin 139 l/s ne dhe do ua lemë 310 l/s, gjë që është gënjeshtër. Me këtë thellim që është bërë këtu, është marrë edhe burimi i Gurës, është prekur edhe burim që vaditen tokat me 4-5 m dhe prapë sasia e ujit nuk është. Me tubat 500 nuk mbushet as gjysma e tubos me këtë ujë. Do të thotë që ngelemi pa ujë. Kuçi dhe zona ngelet pa ujë”, – thotë kryeplaku Lala.

Ndërkohë që, sipas Astrit Balilajt, banor i Kuçit dhe ish-kryeplak “nuk është marrë parasysh edhe diçka tjetër: rënia drastike e nivelit të ujrave nga ndryshimet e klimës”. “Pra, asnjë studim nuk është bërë. Ne që banojmë këtu prej vitesh e shikojmë rënien vit për vit. Në të ardhmen këtu, ky ujë mund të jetë gjysma e kësaj sasie”, – thotë Balilaj.

Astrit Balilaj, banor i fshatit Kuç

Pretendimet e banorëve konfirmohen edhe nga leja për përdorimin e burimit ujor të Lëpushës, e lëshuar nga Këshilli i Basenit Ujor Vjosë, që tregon qartë se sasia e ujit që parashikohet të përdoret për ujësjellësin është më e lartë sesa mesatarja vjetore.

“Praktikisht do të merret pothuajse e gjithë sasia e ujit që gjenerohet nga burimi i Lëpushës. Në lejen e përdorimit të ujit thuhet që do të merret 139 litër/s, ndërkohë që mesatarja e këtij burim është 100 -104 litër/s që do të thotë se në periudhën e thatësirës do të merret praktikisht e gjitha, por është pikërisht kjo periudhë kur uji është i domosdoshëm për banorët e luginës, por edhe për funksionimin e ekosistemit”, – thotë Nika.

“Ky është një park kombëtar i veçantë, i cili nënkupton një rrjedhë ujore dhe po i hoqe ujin s’është më ai që duhet. Por uji është i rëndësishëm edhe për funksione të tjera, të cilat ekspertët duhet ta ndajnë mirë sesa ujë do përdorin për ujëjsjellësin, sa ujë do përdorin për vaditje, sa ujë do përdorin për rrjedhën ekologjike”, – thotë prof. Aleko Miho.

BANORËT, TË PAINFORMUAR

Informimi i banorëve të zonave të cilat preken nga projekti përmes dëgjesave publike është një detyrim ligjor, që duhet të kryhet para hartimit të VNM-së.

Sipas VKM-së “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, ky proces përfshin jo vetëm informimin, por edhe marrjen e mendimit të publikut, shoqëruar me sqarimet për procedurën në zbatim.

Përgjegjësinë për organizimin dhe kryerjen e dëgjesës publike e ka zhvilluesi i projektit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Njësia e Qeverisjes Vendore.

“Këtu nuk është marrë leje sipas ligjit nga banorët e interesit, që nuk janë vetëm kuçiotët. Lumi buron në Kuç, por nuk është pronë e kuçiotëve. Nuk është bërë dëgjesë publike me asnjë banor. Nëse ka dëgjesa publike në letra, janë bërë fiktive dhe janë të dënueshme këto veprime”, – thotë Balilaj, ndërsa sipas Lalës, “është shkruar në materialin e bashkisë që është bërë bisedë me komunitetin dhe nuk prek njerëzimin marrja e ujit, gjë që bie ndesh se njerëzimi preket . . .”

Sipas Olsi Nikës,  “projekti në fazën e tij të planifikimit ka qenë midis viteve 2020 – 2022, ku janë marrë të gjitha aktet administrative të përcaktuar në ligj, siç janë lejet e shfrytëzimit të ujit, leja e ndërtimit, leja e mjedisit gjithashtu. Po, e gjithë kjo fazë në fakt ka çeduar në pjesën e dëgjesave apo konsultimit të komunitetit, i cili është një komunitet mjaft i gjerë që jeton përgjatë lumit”.

“Janë rreth 30 fshatra të cilët e shfrytëzojnë lumin për bujqësi, për blegtori, për peshkim pse jo dhe besoj është kjo që ka gjenuar edhe konfliktin, që ka nisur menjhërë pasi punimet ndërtimore kanë nisur në zonë sepse përpara kësaj ata nuk kanë qenë të njoftuar”, – thotë Nika.

Asterit Balilaj sjell në vëmendje se “mbi 95% e banorëve të zonës kanë firmosur që ujësjellësi të mos bëhet. “Pjesa dërrmuese e kryepleqve të zonës kanë reaguar duke përfaqësuar fshatrat e tyre. Për këtë kemi nisur edhe një peticion”, – bën me dije ai.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga emisionin “EkoSkaner” sesi e konsideron faktin se lumi Shushica rrezikon të mbetet pa ujë dhe nëse planifikohet të ndërmeret një proces i dytë vlerësimi, duke qenë se tashmë lumi është Park Kombëtar. Pa përgjigje ka mbetur dhe kërkesa e banorëve për ndërprerjen e punimeve, drejtuar jo vetëm kryetarëve të bashkive Himarë, Vlorë e Selenicë, por edhe kryeministri dhe presidentit të vendit.

Pasojat

Zbatimi i këtij projekti sipas ekspertëve pritet të sjellë jo vetëm pasoja të mëdha sociale, por edhe mjedisore.

“Habitate e këtyre burimeve janë të rëndësishëm. Janë zanafilla e jetës sepse ne gjithnjë dalim sikur duam thjesht një natyrë, por tek burimi fillon jeta. Është një oaz i larmisë bilogjike, i florës, faunës të cilat janë të rëndësishme dhe mbrojtja ndaj tyre nuk është një mbrojtje thjesht për Buronjën në vetvete apo ujin e ftohtë në Tepelenë, por i jep një lloj vazhdimësie, gjithë biodiversitetit lumor”, – thotë prof. Aleko Miho.

“Ulja e sasisë së ujit, praktikisht ngelja thatë e shtratit në 10 km e para dhe sidomos edhe në 10-12 km e fundit, midis Peshkëpisë dhe Armenit, aty ku Shushica bashkohet me Vjosën ndërpret atë që në ekologji quhet lidhja gjatësore e ekosistemit dhe vijueshmëria e ekosistemit. Praktikisht kjo lloj ndërprerjeje lidhet kryesisht me funksionin e rrugëve të migrimit të specieve, të peshqve përgjithësisht. Kjo me siguri pastaj që do të sjellë një disbalancë në funksionimin e ekosistemit si i tërë dhe kjo është e veçanta edhe e gjithë lumit të Vjosës dhe kjo ka qenë një nga aryset që është shpallur Park Kombëtar”, – vlerëson Nika.

Përveç pasojave të mëdha në bujqësi, blegtori dhe mjedis banorët janë të shqetësuar edhe për zhvillimin turistik të zonës, që sipas tyre do të goditet nga mungesa e ujit.

“Me rrugën e mrekullueshme që është bërë me lumin e Vlorës, që lidh Kurveleshin me Tepelenën dhe me bregdetin ne shpresojmë që të zhvillohet turizmi dhe reklamohet nga qeveria shqiptare turizmi. Ne jemi shumë afër bregut të detit, për 20 minuta dalim në Qeparo”, – shpehet Balilaj.

“Burimin më të madh për fshtatin tim e shoh nga turizmi për shkak të lumit jashtëzakonisht të bukur, si dhe një ure fantastike e disa objekteve me vlerë të veçantë arkeologjike, për të cilat kanë ardhur shumë vizitorë të huaj e vendas dhe e pëlqejën shumë. Por, nëse do të ndërpritej uji apo do pakësohej s’do të kishte asnjë kuptim lumi dhe ura dhe ato gjëra aq të bukra midis gurëve që ndodhen atje”, – thotë Sotir Zahoaliaj.

 

Ndërsa, Andon Sadikaj, një tjetër banor i Kuçit shton se “ka probleme edhe për monumentet e kulturës, që janë të varura nga ky lumë”.  ‘Siç fillon kanali këtu që është monument kulture, dërstila, mulliri, që janë me ujë. Si ka ruajtur asnjë vend, siç janë ruajtur në Kuç”, – shprehet Andoni.

Andon Sadikaj, banor i fshatit Kuç

PROJEKTI DREJT GJYKATËS

Projekti për ndërtimin e ujësjellësit ka avancuar, pavarësisht se bie në kundërshtim me ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe pa përfunduar ende Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës.

“Ligjit “Për zonat e mbrojtura” është shumë i qartë në aspektin e çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet. Një zonë e mbrojtur nuk shpallet asnjëherë në pikën zero: Gjithmonë ka aktivitete që ndodhin dhe kur zona shpallet si e tillë, aktivitetet do të duhet të adaptohen ose ndalohen sepse kompromentojnë thotë ligji qëllimin dhe funksionimin e zonës së mbrojtur. Në rastin konkret, sigurisht faza e planifikimit dhe dhënies së lejeve është më përpara se të shpallej zonë e mbrojtur lumi i Shushicës, por kjo nuk do të thotë që tani që ajo zonë është pjesë e Parkut Kombëatr të Vjosës, aty mund të ndërtohet ndërtohet çfarëdolloj gjëje me apo pa leje, e cila kompromenton funksionimin normal të këtij parku”, – argumenton eksperti Nika.

Ndërkaq, sipas prof. Mihos “përdorimi i ujrave të Parkut Kombëtar të Vjosës dhe tributarëve të tij është një proces i cili është në diskutim në planin e ri të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës”.

“Domethënë ekspertët janë duke punuar dhe një nga pikat e rëndësishme të planit janë përdorimi I ujrave sepse bëhet fjalë për një lumë, bashkë me burimet që ka një gjatësi 400 km. Është një sasi e madhe uji që rrjedh dhe që përdoret, kështu që është duke u hartuar një plan i tillë”, – thotë prof. Miho.

Duke kuptuar rëndësinë e furnizimit me ujë, profesori shton se zona ka edhe burime të tjera alternative, që mund të përdoren në këtë rast.

“Kjo zonë nuk është se s’ka burime. Vjen Italia këtu dhe kërkon nga Syri i Kaltër të marrë ujë. Tani përpara se të mendojmë për italinë ne duhet të zgjidhim për ujë të pijshëm Sarandën, Ksamilin, bregdetin.

Një pjesë e ujit ikën në det dhe mund të gjendet mundësia për ta përdorur. Është një mundësi shtesë dhe vetë zona ka dhe ca burime të tjera që mund të “nikoqirisen” në këtë mënyrë. Nuk ka fjalë shqipja “nikoqirllëk”. Ne duhet ta përdorim këtë për këto lloj burimesh, në mënyrë që të mos dëmtoijmë habitatin e burimit, që është qendra nga merr zhvillim jeta, flora, fauna, por edhe të kënaqim kërkesat për ujë të pijshëm të zonës’, – argumenton profesori.

Kërkesat e banorëve dhe ekspertëve janë të qarta, ndërsa po punohet që çështja të shkojë edhe në gjykatë.

“Të ndërpriten punimet! E dyta, të mbahen konsultime publike rigoroze, ashtu siç i kërkon ligji dhe e treta, patjetër që ky projekt duhet të zhvillohet, por të gjenden mënyra dhe burime alternative për të furnizuar Bashkinë e Himarës dhe fshatrat e bregut, me ujë të pijshëm”, – thotë Nika.

“Ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët e ankimimit, ashtu siç i kërkon ligji, duke nisur nga kërkesat, nga peticionet, nga pjesa e ankimimit administrativ, por do të vijojmë edhe me ankimimin gjyqësor sepse ne mendojmë që ka shkelje në disa akte të nxjerra nga institucionet shqiptare, qofshin këto në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal siç është Bashkia e Himarës në rastin konkret”, – përfundon ai.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn