Eficenca e energjisë, “All Green Centre” përmbyll ciklin e trajnimeve me nxënësit e shkollave të mesme në 3 qytete

Përgjatë muajit qershor “All Green Centre” organizoi ciklin e trajnimeve mbi eficencën e energjisë me të rinjtë e Tiranës, Korçës dhe Pogradecit, ku nxënësit e klasave X dhe XI në 3 gjimnaze të këtyre qyteteve morën informacione të plota mbi përfitimet që sjell në mjedis, shëndet dhe ekonomi aplikimi i masave të eficencës së energjisë, si dhe detyrimet ligjore që kanë institucionet shqiptare në këtë drejtim.

Në Tiranë, trajnimet u zhvilluan në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, në Korçë, në gjimnazin “Themistokli Gërmenji” dhe në Pogradec, në gjimnazin “Muharrem Çollaku”, duke krijuar për herë të parë në këto gjimnaze “klasat eficente”, si një model që mund të ndiqet edhe nga shkollat e tjera në të ardhmen.

Trajnimet u realizuan nga disa prej ekspertëve më të mirë në fushës e më konkretisht: PhD. Etleva Dobjani, arkitekte dhe audituese energjie, Prof.As. Dr. Klodian Muço, ekspert ekonomie dhe Kristi Bashmili, ekspert mjedisi. Paraprakisht ekspertët hartuan modulin e trajnimit, përmbajtja e të cilit u përshtat me moshën e të rinjve, duke dhënë informacione të qarta dhe të kuptushme për ta. Ndërkohë që, dokumenti u miratua nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në përfundim të trajnimeve, në bazë të njohurive të fituara, nxënësit propozuan slogane mbi eficencën e energjisë, teksa stafi i “All Green Centre” do të përzgjedhë  për secilën shkollë 1 prej tyre, që do të shpaloset në muajt në vijim në këto qytete.

Në një kohë kur ndryshimet klimatike janë prezente, ndërsa kriza energjetike ka përfshirë edhe Shqipërinë, nevoja për kursimin e energjisë dhe ruajtjen e mjedisit është më e madhe se kurrë. Për këtë arsye, All Green Centre po fuqizon të rinjtë e Tiranës, Korçës dhe Pogradecit për të ndikuar në ndërmarrjen e politikave të eficencës së energjisë, për një mjedis të pastër e të shëndetshëm.

Cikli i trajnimeve u organizua në kuadër të projektit“Të rinj eficentë – Rritja e ndërgjegjësimit rinor mbi masat e eficencës së energjisë për një mjedis të shëndetshëm”, në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn