Më
14 tetor 2026, All Green Centre organizoi shfaqjen e parë publike të dokumentarit investigativ “PARCELA – Pyjet në hartën e investimeve”, pasuar nga një diskutim me të rinjtë mbi mbrojtjen e pyjeve.
Si merret vendimi për të vënë një sipërfaqe pyjore në dispozicion të një investimi? Çfarë mund të bëjnë banorët kur një projekt propozohet pranë tyre? Këto ishin disa nga pyetjet që u diskutuan me të rinjtë pas shfaqjes së dokumentarit në Kolegjin Preka, në Korçë.
Dokumentari ndjek procesin e vendimmarrjes për përdorimin e fondit pyjor në Qarkun e Korçës. Ai ndërthur shqyrtimin e dokumenteve me verifikimet në terren dhe dëshmitë e banorëve e të ekspertëve, duke treguar se si vendimet administrative prekin territoret dhe komunitetet që jetojnë pranë tyre.
Dokumentari mbështetet në monitorimin e All Green Centre në bashkitë Korçë, Kolonjë dhe Pogradec. Gjatë viteve 2023–2025, monitorimi evidentoi rreth 198 hektarë fond pyjor të përfshirë në procedura për aktivitete ekonomike. Projektet energjetike përbënin rreth 69% të sipërfaqes së evidentuar. Këto gjetje ngrenë pyetje për mënyrën se si zgjidhen vendndodhjet e investimeve, si vlerësohen ndikimet në mjedis dhe kur informohen komunitetet.
Në diskutimin pas shfaqjes, të rinjtë e lidhën atë që panë në dokumentar me situata që mund të hasin në zonat ku jetojnë. Një pjesëmarrës tregoi se, nëse pranë komunitetit të tij do të propozohej një park diellor në një zonë pyjore, pas dokumentarit ndihej më i përgatitur për të bërë pyetjet e duhura dhe për të kuptuar se çfarë hapash mund të ndërmerrte së bashku me banorët e tjerë për të mbrojtur pyjet si pasuri të përbashkët.
Aktiviteti u zhvillua nga All Green Centre në kuadër të projektit “You4est – Youth for Good Forest Governance”, me mbështetjen financiare të Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD), në kuadër të programit BOOST Balkans, koordinuar nga ALDA – European Association for Local Democracy.





