RAPORTI / Përdorimi dhe Qeverisja e Fondit Pyjor – Analizë e procedurave, kuadrit ligjor e planifikues dhe ndikimeve mjedisore, 2023–2025

 

All Green Centre publikon raportin e plotë të monitorimit të përdorimit dhe qeverisjes së fondit pyjor në bashkitë Korçë, Kolonjë dhe Pogradec, për periudhën 2023 – 2025. Raporti analizon procedurat e dhënies në përdorim të sipërfaqeve pyjore për veprimtari ekonomike, kuadrin ligjor dhe dokumentet e planifikimit territorial, si dhe ndikimet e mundshme mjedisore të ndërhyrjeve të parashikuara.

Monitorimi evidenton se 198,2 hektarë fond pyjor janë përfshirë në procedura për përdorime ekonomike, me përqendrimin më të madh në Bashkinë Kolonjë. Projektet e energjisë së rinovueshme, veçanërisht centralet fotovoltaike dhe parqet eolike, zënë një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqeve të monitoruara. Raporti trajton gjithashtu përdorime të tjera, si kultivimi i florës së egër, agropylltaria, turizmi, fidanishtet dhe veprimtaritë e kërkim-zbulimit.

Gjetjet ngrenë çështje të rëndësishme mbi përputhshmërinë e vendimmarrjes me dokumentet e planifikimit dhe objektivat e mbrojtjes së pyjeve, transparencën e procedurave dhe vlerësimin e ndikimeve mjedisore. Vëmendje e veçantë i kushtohet ndikimeve të mundshme mbi biodiversitetin, burimet ujore, tokën dhe shërbimet e ekosistemeve, përfshirë efektet kumulative të projekteve të përqendruara në të njëjtat territore.

All Green Centre rekomandon forcimin e transparencës dhe pjesëmarrjes publike, harmonizimin e zhvillimeve ekonomike me planifikimin territorial dhe administrimin e qëndrueshëm të fondit pyjor, si dhe vlerësimin më të plotë të ndikimeve mjedisore. Një vëmendje e veçantë kërkohet për projektet energjetike, në mënyrë që tranzicioni drejt energjisë së pastër të mos krijojë presione të reja mbi ekosistemet pyjore.

Kjo analizë synon të nxisë një debat publik të mbështetur në të dhëna dhe të kontribuojë në përmirësimin e politikave dhe praktikave të qeverisjes së pyjeve, duke forcuar njëkohësisht rolin e komuniteteve lokale dhe të rinjve në vendimmarrjen mjedisore.

Raporti është realizuar në kuadër të projektit “You4est – Youth for Good Forest Governance”, zbatuar nga All Green Centre, me mbështetje nga Agence Française de Développement (AFD), në kuadër të programit BOOST Balkans, koordinuar nga ALDA – European Association for Local Democracy.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn