Emisioni me titull “Energjia kërcënohet nga ndryshimet klimatike” nxjerr në pah se fenomenet ekstreme të motit në Shqipëri, si: valë të nxehti, thatësira të zgjatura, netë tropikale, zjarre apo bomba shiu, që janë reshje me intensitet të lartë të përqendruara në zona të vogla janë në rritje. Ekspertët i shpjegojnë këto fenomene ekstreme të motit me ndryshimet klimatike. Por, teksa sektori elektoenergjetik është një nga më të rrezikuarit nga ndryshimet, të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se reagimi i qeverisë për t’i zbutur këto pasoja nuk është i mjaftueshëm.
Mungesa e prodhimit në hidrocentralet e Kaskadës së Drinit pasohet me shpenzime që shkojnë në miliona euro për buxhetet e kompanive shtetërore të energjisë dhe buxhetin e shtetit. Në dy vitet e thatësirës 2019-2020, kur kriza e çmimeve të energjisë nuk kishte nisur, u shpenzuan rreth 200 milionë euro, për të plotësuar nevojat konsumatore. Viti 2021 ishte edhe më i rëndë për financat publike, duke qenë se fatura shkoi në mbi 240 milionë euro, ndërsa, 2022-i shënoi rekord me mbi 446 milionë euro të harxhuara. Totali për 4 vitet e fundit arrin në gati 900 milionë euro shpenzime për blerje energjie. Shifra nuk përfshin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Për të ndjekur emisionin e plotë mund të klikoni në linkun e mëposhtëm.