Nga Ola Mitre
Tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energji të rinovueshme nuk janë vetëm sfidë, por edhe mundësi që duhet të shfytëzohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Kjo në drejtim të hapjes së vendeve të punës e në këtë kuadër është e nevojshme rritja e aftësive profesionale. Gjatë konferencës me temë “Edu-Energy: Ndërtimi i urave për mësim mbi energjinë e qëndrueshme” ekspertë shqiptarë, nga rajoni, por edhe më gjerë theksuan nevojën për promovimin e aftësive të reja, që i përgjigjen tregut të punës.
“Tranzicioni i gjelbër dhe burimet e rinovueshme të energjisë janë diçka që kërkon vendime strategjike të aktorëve të ndryshëm në nivelin më të lartë dhe duke thënë këtë, sistemi arsimor duhet të përshtatet, me rrethanat kombëtare dhe rajonale me qëllim që të përmbushë kërkesën në tregun e punës. Këtu duhet të përfshihen të gjithë politikbërësit, kompanitë, sektori i biznesit. Duhet të kemi parasysh se transformimi i gjelbër nënkupton dhe transformimin shoqëror”, – tha Tina Saric, drejtore e Iniciativës për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, ERI SEE.
Tina Saric, drejtore e Iniciativës për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, ERI SEE
“Më shumë se 40 mln vende pune janë hapur në fushën e energjisë së rinovueshme dhe mendojmë se në të ardhmen do të kemi akoma më shumë vende të reja pune në këtë sektor. Prandaj, tregu i punës duhet t’i përgjigjet rritjes së nevojave. Kjo kërkon edhe programe për zhvillimin e aftësive”, – tha Ergi Bregasi nga GIZ Shqipëri.
Ergi Bregasi, GIZ Shqipëri
Gjatë konferencën u theksua se pas vitit 2022 në vendet e Ballkanit Perëndimor është vënë re një tendencë në rritje e projekteve në energji të rinovueshme, që konsiderohen si magnet për të tërhequr investime të huaja, por sipas ekspertëve këto iniciativa mund të dështojnë për shkak të mungesës së profesionistëve të kualifikuar.
“Gjëja më e rëndësishme është arsimi. Kur përpiqemi të përcaktojmë se përse kanë dështuar disa iniciativa, përse nuk kanë patur një ndikim të mirë, gjithçka kishte të bënte me kapacitetet. Kapaciteti është një problem i madh në Ballkanin Perëndimor dhe kur them kapacitet po flas këtu për tre elemente: Arsimi, pra nuk kemi arsim të mjaftueshëm për të zbatuar dekarbonizimin, nuk kemi aftësi dhe nuk kemi procedura”, – tha Vedad Suljic nga Qendra për Ekonomi, Teknologji dhe Zhvillimi i Mjedisit – CETEOR.
Vedad Suljic, Qendra për Ekonomi, Teknologji dhe Zhvillimi i Mjedisit – CETEOR
Sipas drejtores së Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Ejvis Gishti, vendi ynë po bën përpjekje për të përshtatur kurset profesionale me tregun e punës, në kuadër të politikave për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.
“Kemi filluar të përcaktojmë kualifikime të reja për të cilat kemi rëndë dakord. Këto kualifikime kanë të bëjnë me teknikun e lartë për burimet e rinovueshme të energjisë. Gjithashtu do të fokusohemi në energjinë diellore dhe në energjinë e erës”, – tha Ejvis Gishti, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve në Shqipëri.
Konferenca ndërkombëtare u organizua nga Iniciativa për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, në bashkëpunim me GIZ. Në të morën pjesë palë të interesuara nga sektorët e arsimit dhe energjisë, duke përfshirë politikëbërësit, ministritë dhe agjencitë përkatëse, ekspertë në zbatimin e agjendës së gjelbër, zhvillimin e arsimit dhe qëndrueshmërinë sociale, sipërmarrësit, profesionistët e sektorit privat që përmirësojnë aftësitë, kompanitë, etj.