Tranzicioni i gjelbër / Konferenca për sfidat e vendeve të Ballkanit: Në fokus energjia e qëndrueshme

Nga Ola Mitre

Përfshirja e temave mbi tranzicionin e gjelbër dhe energjinë e qëndrueshme në sistemin arsimor është një hallkë që duhet të marrë më tepër vëmendje në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim arritjen e objektivave për të cilat këto vende janë angazhuar”. Konstatimi vjen nga Iniciativa për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore – ERI SEE, që thekson se tranzicioni i gjelbër duhet të mbështetet nga të gjithë aktorët që kanë një rol në këtë drejtim, përmes arsimit për zhvillim të qëndrueshëm, si dhe duke adresuar kërkesën në rritje për aftësi të gjelbra, punë dhe kushte të qëndrueshme punësimi. Duke marrë në konsideratë faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë të përfshira në kurrikulat arsimore këto çështje, Iniciativa për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, në bashkëpunim me GIZ do të organizojë konferencën me temë “Edu-Energy: Ndërtimi i urave për mësim mbi energjinë e qëndrueshme”, që ka si qëllim pikërisht hapjen e diskutimit mbi rëndësinë e tranzicionit të gjelbër për sektorin e arsimit dhe energjisë dhe ndikimin e përgjithshëm social që pritet të ndodhë në Ballkanin Perëndimor. Konferenca, që do të mbahet në formatin online në datën 15 mars, është e karakterit ndërkombëtar dhe synon të bashkojë palët e interesuara nga sektorët e arsimit dhe energjisë, duke përfshirë politikëbërësit, ministritë dhe agjencitë përkatëse, ekspertë në zbatimin e agjendës së gjelbër, zhvillimin e arsimit dhe qëndrueshmërinë sociale, sipërmarrësit, profesionistët e sektorit privat që përmirësojnë aftësitë, kompanitë, etj. Janë 9 folës kryesorë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, por edhe nga Kroacia e Irlanda që do të japin ekspertizën e tyre në këtë drejtim. Ndërkohë që, vendi ynë përfaqësohet nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Ejvis Gishti. “Duke bashkuar përfaqësues nga institucionet përkatëse, ekspertë dhe praktikues, konferenca synon hapjen e një dialogu social se si të mbështetet tranzicioni i gjelbër përmes arsimit të qëndrueshëm”, – shpjegojnë organizatorët e konferencës.

Në fakt, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar të ndërmarrin politika të qëndrueshme të energjisë dhe një të ardhmeje më të gjelbër, përmes nënshkrimit të Deklaratës për Sigurinë e Energjisë dhe Tranzicionin e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, më 3 nëntor 2022. Deklarata pranon urgjencën e transformimit të ekonomive dhe sektorit të energjisë, për t’u lidhur me angazhimet ndërkombëtare të parashikuara në Marrëveshjen e Parisit, Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Gjithsesi, në një raport të Sekretariatit të Komuniteti të Energjisë mbi zbatimin e kësaj deklarate, ndonëse njihet progresi i bërë deri më tani, theksohen sfidat që vazhdojnë të jenë prezente në 6 vendet e Ballkanit, duke përfshirë dobësitë e sektorit të energjisë, çështjet e qeverisjes dhe nevojën për reforma. Forcimi i sigurisë energjetike dhe reduktimi i kërkesës për energji, krijimi i një tregu të integruar të energjisë elektrike, krijimi i një mjedisi më të mirë apo avancimi i axhendës së dekabornizimit janë disa nga fushat ku palët kanë marrë angazhime drejt një të ardhmeje të gjelbër. Për Shqipërinë, rritja e sigurisë energjetike, diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë dhe siguria energjetike është domosdoshmëri, duke marrë në konsideratë se 99% e energjisë prodhohet nga hidrocentralet, çka bën që në periudha thatësirash të rriten shpenzimet për importin e energjisë. Ndërkohë që, për prodhimin e energjisë nga dielli në total kapaciteti i instaluar është 48 MW, teksa potenciali i erës mbetet edhe i pashfrytëzuar në vendin tonë.

Ndërkaq, edhe zbatimi i parimeve të eficiencës së energjisë, që pasohet me reduktimin e nevojës për energji, është një prej angazhimeve të ndërmarra përmes nënshkrimit të Deklaratës për Sigurinë e Energjisë dhe Tranzicionin e Gjelbër. Sipas raportit të Komuniteti të Energjisë, pavarësisht përmirësimeve të rëndësishme në eficiencën e energjisë, vendet e Ballkanit Perëndimor ende përballen me sfida kryesore. Kjo përfshin përditësimin e ligjeve për eficiencën e energjisë, zbatimin e akteve nënligjore dhe miratimin e strategjive afatgjata të rinovimit të ndërtesave. Burimet financiare për masat e eficiencës dhe rinovimet në shkallë të gjerë janë gjithashtu thelbësore dhe për të tërhequr investime publike dhe private, duhet të ngrihen mekanizma efektivë të financimit rajonal dhe kombëtar. Ndërkaq, konferenca me temë “Edu-Energy: Ndërtimi i urave për mësim mbi energjinë e qëndrueshme” do të jetë e hapur për publikun dhe të interesuarit mund të bëhen pjesë e saj duke u regjistruar në linkun https://us02web.zoom.us/webinar/register/WN_kRfEYYaDRru4EiWnS9qGng#/registration e vënë në dispozicion nga organizatorët.

 

 

 

 

 

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn