Rishikimi i kufijve të zonave të mbrojtura u bë në shkelje të ligjit dhe kritereve shkencore

Shkrim nga Ola Mitre

Në vitin 1996 një grup ambientalistësh  hodhën idenë për të krijuar një sistem të zonave të mbrojtura përreth brigjeve shqiptare të të dy liqeneve: të Prespës dhe atij të Ohrit. Me ndihëm e qeverisë gjermane, ata arritën të gjenin fondet e nevojshme për të zbritur në terren, me qëllim përcaktimin e vlerave natyrore të zonës, një punë që kërkoi gjysmën e një dekade. “Për të shpallur Parkun Kombëtar dhe Peizazhin e Mbrojtur të Ohër-Prespës kemi punuar pesë vjet, me grupe ekspertësh vendas dhe të huaj, kemi bashkëpunuar me fqinjët për të vënë kufijtë e zonimit, kufij që janë ekologjikë, zonimi me zonë qëndrore, zonë buferike dhe zona e zhvillimit dhe kriteret që duhet të ketë një zonë zhvillimi brenda një zone të mbrojtur”, – kujton prof. Aleko Miho, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, i cili ishte pjesë e grupit të punës në atë kohë. “Kështu është bërë për Nartën, për Karavastanë, për Lezhën, për Shkodrën për shpalljen zonë Ramsar”,-shton profesori.

Prof. Aleko Miho, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Por  ndryshe nga kjo praktikë, që kërkoi shumë vite punë në terren, për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, përmes një shoqate të autorizuar prej saj, u nevojit rreth 1 vit për të realizuar një rishikim tërësor të të gjithë rrjetit të zonave të mbrojtura në vend, duke propozuar heqjen e shumë prej territoreve brenda zonave ekzistuese e që tashmë janë finalizuar edhe me vendime qeverie. Ekspertët e konsiderojnë të paligjshëm procesin e ndërmarrë, ndërsa theksojnë se rishikimi është bërë në kohë rekord, pa përmbushur kriteret shkencore, si dhe duke mos marrë aspak në konsideratë rekomandimet e institucioneve shkencore dhe akademike. Nga ana tjetër, ata shtojnë se vendimet për“copëzimit” e këtyre territoreve i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi apo në afërsi të tyre, rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, varfërojnë habitatet dhe speciet, si dhe godasin larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë.

RISHIKIMI I RRJETIT TË ZONAVE TË MBROJTURA

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, sipërfaqja e përgjithshme e rrjetit të zonave të mbrojtura arrin në 504,826 ha ose 17.56% e të gjithë territorit të vendit. Rivlerësimi i kësaj sipërfaqeje iu besua Shoqatës Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë, që ndërmori procesin përgjatë vitit 2019, ndërsa në mars të vitit 2020 prezantoi një studim rreth 350 faqësh, në të cilin bazohen edhe propozimet për ndryshimin e hartave ekzistuese. Në prezantimin e studimit, ish-ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi mburri dokumentin dhe vlerësimet e kryera. “Prej një viti është bërë një punë e madhe për të ndërtuar këto harta, që janë vlerësime të ekspertëve mjedisorë”,- tha Klosi në atë kohë.

Por, ekspertët kritikojnë procesin, duke e cilësuar si të pamundur mbledhjen e të dhënave shkencore për të gjithë rrjetin e zonave të mbrojtura në një periudhë kaq të shkurtër kohore, ndërsa shtojnë se themelimi i shoqatës së ngarkuar me kryerjen e vlerësimit përkon pikërisht me atë periudhë.

“Këtë proces ne e ndoqëm që në fillim, që kur disa nga kolegët tanë u rekrutuan nga një Shoqatë e Parqeve Kombëtare e ngritur enkas për të riparë kufijtë e zonës së mbrojtur, dhe nga një qasje e AKZM-së që ne e njohim se çfarë mendimi ka. Shohim dhe politikën e zhvillimit, gjithë ato planet e zhvillimit që jepen sot rëndom, nga mëngjesi deri në darkë, për zhvillimin e Vlorës, për zhvilimin e turizmit, etj. Të gjitha përputheshin me këtë qasje që çoi në këtë grup, për të rishikuar zonat”, – thotë prof. Miho, ndërsa ngre pyetjen sesi është e mundur që të zhbëhen studimet shkencore disavjeçare. “Si mundet ky grup të hyjë e të mendojë që Pogradeci nuk duhet, Pojska  jo, Lini jo, u janë hequr 15 mijë hektarë zonave. Po me Dushkajën e Levanit ç’patën që e hoqën nga lista? Ne i kemi shkatërruar dushkajat, ende ka mbetur atje një njollë, ishte zonë e mbrojtur, e kanë hequr bashkë me atë dhe të tjera”,- thotë profesori.

Dorina Ndreka, eksperte ligjore

Në të njëjtën linjë është edhe ekspertja ligjore, Dorina Ndreka, e cila ka monitoruar të gjithë procesin nga pikëpamja ligjore, duke shtuar se studimi i prezantuar është shumë larg asaj që kërkon një proces i rregullt vlerësimi mjedisor. “Kur realizohet një projekt për një biznes qoftë edhe me ndikim shumë të vogël, kërkohet nga vetë AKZM që të bëhet një studim, i cili shkon nga 40-90 faqe në varësi të llojit të projektit. Ka projekte që janë me ndikim shumë të madh dhe janë më voluminozë. Atëhere si mund të realizohet me një studim të vetëm rishikimi i gjithë zonave të mbrojtura që kemi aktualisht, që në gjendjen aktuale janë diku tek 18 % e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë?!”, -thotë Ndreka. “Ka një diversifikim shumë të madh, janë zona ligatinore, janë zona të niveleve të ndryshme. Atëhere me një studim të vetëm nuk ka asnjë ekspert që mund ta marrë përsipër që ta kryejë, nuk mund të jetë as nga pikëpamja e kapaciteteve. Por në fakt kjo ka ndodhur dhe pretendohet që ky dokument diku te 400 faqe të përmbushë kushtet ligjore për të rishikuar të gjithë sistemin e zonave të mbrojtura, nga veriu në jug të Shqipërisë, duke përfshirë edhe zona që janë në mbrojtje shumë të veçantë, zona Ramsar apo zona Emerald sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjerë”,-shton më tej ajo.

Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi këto qëndrime. Ndërkohë që, Ministria e Turizimit dhe Mjedsiit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në një përgjigje të përbashkët me shkrim, thanë për “EkoSkaner” se studimi ka kontribuar në sqarimin e shumë çështjeve, ka grumbulluar gjithë informacionin e nevojshëm dhe ka kaluar në disa etapa diskutimi. Po ashtu, në shkresë listohen emrat e 10 ekspertëve që kryen studimin tërësor, ndërsa hidhet poshtë fragmentimi i zonave, duke theksuar se vendimet shtojnë sipërfaqen totale të zonave të mbrojtura nga rreth 18% në rreth 21%.

Por, pas shpalljes së vendimeve 25 organizata të mjedisit dhe të shoqërisë civile në vend, si dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës argumentuan se ata reduktojnë me 11% sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura Ligatinore, heqin prej tyre habitate të vyera, i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi apo në afërsi të tyre dhe rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura. “Vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro”,-thuhej në deklaratën e shpërndarë për mediat.

Kristi Bashmili, ekspert mjedisi

“Divjakë-Karavastaja, ka një reduktim të sipërfaqes që ne e konsiderojmë të rëndësishme diku te 8-9 %. Gjithashtu Butrinti ka një heqje të sipërfaqes me nje përqindje pak a shumë të njejtë. Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë ka mbi 26 % të zvogëlimit të sipërfaqes. Gjithashtu, në peizazhi i mbrojtur Bunë-Velipojë ka një reduktim që shkon nga 15-16 %. Pra është e njëjta skemë, e cila bën një çarje në brendësi të zonës së mbrojtur, pra krijon kufijtë e jashtëm në brendësi të një zone së mbrojtur, e cila është nje problematikë jashtëzakonisht shumë e madhe për integritetin ekologjik të zonës”,-thotë Kristi Bashmili, ekspert mjedisi pranë Shoqatës Shqiptare të Ornitologjisë.

PROCES UNIK!

Profesor Aleko Miho thotë se këto modele të rishikimit tërësor të zonave të mbrojtura nuk janë ndërmarrë në asnjë vend të botës, ndërkohë që sa i takon copëzimit, ato mund të hasen vetëm në rastet kur një zhvillim urbanistik ka ndodhur përpara dhënies së një statusi të caktuar mbrojtjeje.

Edhe Ndreka pohon se kjo është një situatë unikale. “Ne në fakt i kemi parë pikërisht për të parë edhe qasjet e përgjithshme. Në asnjë vend nuk ka ndodhur një rishikim tërësor i zonave të mbrojtura, pra kjo është një praktikë unikale që tregon edhe njëherë paligjshmërinë e gjithë procesit, sepse është e pamundur edhe praktikisht për t’u realizuar në mënyrën e duhur”,-thotë ajo.

Por, ekspertja ligjore liston edhe një sërë shkeljesh të tjera që janë konstatuar, duke përmendur fillimisht një hetim administrativ të ndërmarrë prej zyrës së saj ligjore, që arrin në përfundimin se mbi 90% e bashkive, që kanë në territoret e tyre zona të mbrojtura, nuk kishin fare informacion për çfarë po ndodh. Po ashtu, ajo thotë se rizonimi është bërë pa u miratuar plani i këtyre zoanve.

“Ligji për zonat e mbrojtura ka të parashikuar që në dispozitat e para të tij, që duhet të ketë një plan për zonat e mbrojtura, i cili përcakton objektivat, ku do të shkohet, cila është edhe lidhja midis zonave të mbrojtura, cilat janë masat që duhet të ndërmerren për t’i mbrojtur dhe për t’i ruajtur në gjendjen natyrore apo dhe për t’i përmirësuar. Në Republikën e Shqipërisë ky plan mungon dhe pretendohet që të ndryshohen të gjithë hartat pa bërë planin”, – thotë Ndreka. “Shkeljet përmbajtësore, pastaj siç vlerësohen nga ekspertët e mjedisit janë shumë të mëdha. Po ashtu, nëse shikojmë studimin pretendohet për shembull që nevoja për këto ndyshime vjen për shkak se ne kemi një rrjet shumë të vjetër dhe ka nevojë për t’u përshtatur për shkak të urbanizimeve dhe zhvillimeve të viteve të fundit. Po zona e Parkut Lurë-Mali i Dejës, VKM-ja e së cilës për t’u zgjeruar i përket tetorit të vitit 2018? Çfarë ka ndodhur në dy vite për ta rishikuar këtë zonë? Pra nuk gjejmë as arsye të logjikshme në shumë nga veprimet që po bëhen përveç, siç ju thashë shkeljeve proceduriale dhe ligjore”,-shton ajo.

SUGJERIMET, NË VESH TË SHURDHËR!

Që prej zhvillimit të procesit, kundërshtimet nga organizatat mjedisore dhe institucionet shkencore nuk kanë munguar, ndërsa u shprehën edhe në një tryezë të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura korrikun e vitit të kaloi. Në të njëjtin takim, përfaqësuesi i Ambasadës Suedeze, paralajmëroi qeverinë dhe AKZM-në për tërheqjen e mbështetjes financiare për rrjetin e zonave të mbrojtura Natura2000, në rast se i gjithë procesi nuk kalonte fazat e duhura të konsultimit publik e të jepeshin argumentet e duhur shkencorë.

“Do të doja t’i qartësoja ministrisë dhe agjencisë, që nëse këto vendime qëndrojnë dhe nëse nuk ka konsultime të duhura, që tregojnë sesi këto vlerësime, këto rishikime të sistemit bazohen në prova, në të dhëna dhe kritere shkencore, mendojmë se baza prishet dhe nuk mund të vazhdojmë më bashkëpunimin,- tha Tomas Nystrom, nga Ambasada Suedeze në Tiranë.

Ndërkaq, edhe progresraporti i Komisionit Europian për vitin 2021 kritikoi hapat e ndërmarrë në këtë proces.

“Në dhjetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi pa konsultime të duhura publike hartën e kufijve të rishikuar të Zonave të Mbrojtura, ku shumë zona të mbrojtura parashikohen të jenë më të fragmentuara dhe më të vogla në përmasa, pavarësisht rritjes së përgjithshme të përmasave. Kjo rrezikon funksionalitetin ekologjik të zonave të caktuara të mbrojtura. Shqipëria duhet të marrë parasysh komentet e komunitetit shkencor dhe aktorëve të tjerë përpara se të marrë një vendim për rishikimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura”,- thuhet në progresraport.

Në përgjgijen me shkrim, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e konsideroi Raportin e Komisionit Europian të bazuar në kundërshtimin që kanë pasur një grup shoqatash.

Qeveria nuk mori në konsideratë asnjë prej këtyre sugjerimeve, ndërkohë që ekspertët thonë se miratimi i hartave të fragmentuara i hap rrugë urbanizimit të këtyre zonave, me vlera të larta natyrore.

“Kjo që është bërë është me paramendim për t’i hapur mundësinë këtyre investimeve që janë duke u bërë. Thjesht për të shkarkuar AKZM-në nga disa detyrime që ka, sepse po qe një qytet brenda zonës së mbrojtur, AKZM do të japë një firmë dhe lodhet së firmosuri!”,-thotë prof. Miho.

“ Kjo përbën një precedent, i cili lejon më tej zhvillimin e këtyre zonave tashmë jo në sajë të një zone të mbrojtur, jo në sajë të përdorimit tradicional që ato kanë patur, por jep mundësinë të zhvillimit pa kritere që përcaktohen nga ligji “Për zonat e mbrojtura” apo për zonat të cilat kanë një zhvillim të limituar përsa i përket pikëpamjes ligjore”, – thotë Bashmili.

Ekspertët shtojnë se dëmet në këto zona me vlera të larta natyrore do të jenë të mëdha, jo vetëm nga pikëpamja mjedisore, por edhe e zhvillimit të turizmit natyror, me të cilin vendi ynë mund të konkurrojë edhe vendet e Evropës.

“Unë dua të fokusohem tek zonat më të rëndësishme përsa i përket biodiversitetit, të cilat janë dhe zonat të cilat janë ultësirën apo zonat bregdetare, zonat ligatinore të cilat kanë një status të mbrojtur kombëtar dhe janë me një status ndërkombëtar, pasi kanë një rëndësi jo vetëm për ne, por edhe për BE por edhe më gjërë. Janë zonat Ramsar, ligatina të rëndësishme me një status ndërkombëtar, gjithashtu janë zona të rëndesishme për shpendët. Janë zona të rëndësishme për Këshillin Evropian, gjithashtu janë edhe zona pilot për Natyra2000, që në momentin që ne do të jemi afër BE-së ose të kemi aderuar në Bashkimin Evropian këto do të jenë zonat me prioritet për mbrojtje dhe konservim”,-thotë Bashmili.

“ Ndikimi më i madh që shikohet në pikëpamje të këtyre ndryshimeve në kufij, është zvogëlimi i sipërfaqes që ne cilësojmë si më të rëndësishme nga pikëpamja e biodiversitetit. Kjo çon në fragmetimin e habitatit, çon në prishjen e integritetit ekologjik të zonës së mbrojtur. Kthehet në një precedent që investitiorë të ndryshëm të vijnë për të zhvilluar zona që janë urbane, pasi një precedent i jep të drejtën që të zhvillojmë dhe prapë ne të bëjmë një rishikim të kufijve dhe të heqim prapë nga zonat e mbrojtura”,-shton ai.

“Një zonë e mbrojtur është gjithnjë tërheqëse ndaj turizmit. Nëse ne themi që do zhvillojmë turizmin, çfarë turizmi pretendojmë të zhvillojmë? Turizëm që e shkatërrojmë gjithë natyrën, e bëjmë me hotele me resorte, pa ajër të pastër, që ndot ujin? Apo një turizëm që të ketë dhe vlera natyrore, që të ketë dhe ajër të pastër, të ketë edhe prodhime biologjikisht të pastër? Zhvillimi i agroturizmit mbetet akoma potencialisht i rëndësishëm për vendin. Shumë turistë vijnë në Shqipëri me dëshirën për të parë natyrën, për ajër të pastër, jo për të parë hotele të mëdha, sepse këto hotele i ka bërë bota gjithandej. Kështu që, kjo mbrojtje e fragmentuar që është sot ligjërisht e mbrojtur, nuk është një mbrojtje e mençur e kësaj qeverie”,-thotë prof. Miho.

RRUGË GJYQËSORE

Ekspertët kërkojnë që procesi të rifillojë nga e para, si e vtemja mënyrë për të garantuar një vlerësim të saktë e të bazuar në të dhëna shkencore. Ndërkohë që, në kushtet kur kërkesat e tyre prej kohësh nuk merren parasysh, ata shikojnë rrugën gjyqësore, si të vetmen zgjidhje.

“Ne si ekspertë mjedisi, studiues mjedisorë, në rastin konkret opinioni im personal, por edhe i diskutuar gjerësisht, në tryezat e shoqërisë civile që kanë aktivitet në mbrojtje të mjedisit dhe ekspertëve të fushës, kërkojmë që ky proces i jashtëligjshëm, ky proces i nxituar, për arsye të cilat personalisht nuk i kuptoj, se pse duhet të jetë kaq i nxituar, nga një institucion që duhat ta marrë sa më shtruar dhe të jetë sa më i qëndrueshëm në politikat që bën në këtë drejtim, të ripërsëritet. Për çdo zonë të mbrojtur rishikimi të shoqërohet me një studim specific për zonën në fjalë, të kryhet një proces i drejtë i konsultimit me publikun, duke përfshirë të gjithë palët e interesuara, duke zbatuar ato pak rregulla që kemi të listuara në legjislacionin tonë të cilat, pa to, nuk bëjmë dot. Dhe gjithashtu të shoqërohet me një plan të mirëfilltë se çfarë ndikimi ka në aspektet social-ekonomike të banorëve”, -thotë Bashmili.  “Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia e ndërmarrjes së veprimeve ligjore, të cilët ne si shoqëri civile, si pjesë e Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë bashkë me partnerë të tjerë t’i drejtohemi gjykatës që ky proces të rifillojë dhe të jetë konform rregullave dhe ligjeve tona”, – shton ai.

Edhe Ndreka thotë se rruga gjyqësore është  vetmja zgjidhje.

“Ne jemi edhe optimist duke pasur parasysh që vitet e fundit edhe gjykatat në vendin tonë kanë ndryshuar qasje kundrejt çeshtjeve mjedisore, për më tepër që kjo është një çështje për interesin kombëtar. Për mendimin tim është çështja më e rëndësishme mjedisore e 30 viteve të fundit sepse dëmton rëndë dhe në mënyrë të parikuperueshme të gjitha zonat e mbrojtura”,-përfundon ajo.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn