RAPORTI / Integriteti mjedisor në përdorimin e tokës – Monitorimi i vendimeve dhe vlerësimi i ndikimeve në mjedis nga kthimi i fondit pyjor e kullosor në centrale fotovoltaike

All Green Centre publikon raportin e plotë të monitorimit për periudhën 2022-2024, i cili analizon procedurat e dhënies me qira të fondit pyjor dhe kullosor në bashkitë Kolonjë dhe Devoll, në funksion të ndërtimit të parqeve fotovoltaike. Raporti sjell për herë të parë një pasqyrë të detajuar të vendimmarrjes vendore dhe të ndikimeve mjedisore, sociale dhe territoriale që lidhen me tranzicionin energjetik në juglindje të vendit.

Gjetjet e monitorimit tregojnë mungesë të planifikimit afatgjatë, boshllëqe ligjore, konkurrencë të kufizuar në procedurat e ankandeve dhe rritje të pazakontë të sipërfaqeve të dhëna me qira – me 920 hektarë tokë publike tashmë të zëna për zhvillime energjetike. Raporti evidenton edhe problematika të theksuara mjedisore, si mungesa e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, ndikimet kumulative në ekosisteme dhe rrezikun për tjetërsim afatgjatë të zonave natyrore me vlerë të lartë.

All Green Centre rekomandon rishikimin e të gjitha kontratave të lidhura në këtë periudhë, auditim të thelluar institucional dhe forcim të transparencës e pjesëmarrjes së komunitetit në vendimmarrjet që prekin tokën publike.

Kjo analizë synon të nxisë një debat të informuar dhe të kontribuojë në ndërtimin e një modeli të drejtë, të qëndrueshëm dhe transparent të administrimit të territorit në Shqipëri.

Raporti u realizua në kuadër të projektit “Monitorimi për Qëndrueshmëri”, pjesë e skemës së nën granteve të projektit “Shoqëria Civile kundër Korrupsionit, nga një sfidë lokale në një përgjigje evropiane”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. 

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn