Raport Monitorimi / Buxheti i viteve 2022–2024 për ndryshimet klimatike në bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas

Skenarët tregojnë se vendi do të përballet me problematika serioze si pasojë e ndryshimit të klimës. Njëjtë mund të thuhet edhe për territoret e bashkive Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas. Konkretisht, ndikimet negative përqendrohen në bujqësi, energji, burime ujore, turizëm, biodiversitet dhe në shëndetin e njeriut.

Prej kohësh, në debatin publik, diskutohet nevoja urgjente për ndërmarrjen e masave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me fokus përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Për sa i përket nivelit lokal, bashkitë mund të japin një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e efekteve të këtyre variacioneve për të reduktuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në territorin dhe komunitetin e tyre. Në këtë drejtim, detyra kryesore e bashkive është ndërmarrja dhe administrimi i projekteve në shkallë lokale, duke ndjekur parimet udhëzuese të përcaktuara në nivel kombëtar.

Në këtë kontekst, All Green Centre ka përgatiur këtë raport, që ka si qëllim monitorimin e buxhetit për projektet me fokus përshtatshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike të ndërmarra nga bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas, për periudhën 2022–2024, si dhe orientimin e tyre drejt buxhetimit të qëndrueshëm, zbutjes së rreziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës dhe zbatimit të strategjive të miratuar prej tyre.

Dokumenti nxjerr në pah problematikat, ndërsa propozon një plan masash të realizueshme për rritjen e buxhetimit në të ardhmen, për sa i përket përshtatshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike në territorin e bashkive të përfshira në monitorim. Përballimi dhe zgjidhja e problematikave, nisur edhe nga kapaciteti aktual i bashkive, mbetet sfidë e jashtëzakonshme për to. Duhet nënvizuar fakti se ndërhyrjet në fazë të hershme janë më efektive dhe të mundshme për t‘u përballuar ekonomikisht nga bashkitë.

Publikimi përfshin tabela me të dhëna të përpunuara nga buxhetet vjetore të miratuara, krahasime me bashki të ngjashme në vendet e rajonit, si dhe rekomandime që vijnë nga gratë dhe vajzat që jetojnë në Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas, pas një procesi të hapur konsultimi të zhvilluar.

Ky raport është një burim i rëndësishëm informacioni për punonjësit e bashkive të monitoruara, për Këshillat Bashkiake të tyre apo autoritetet e tjera vendimmarrëse, pasi integron informacion të domosdoshëm mbi menaxhimin e financave të tyre dhe propozon zgjidhje të mundshme për t’u aplikuar në të ardhmen. Ai përqendrohet në masa të drejtpërdrejta për mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimatike, si: përmirësimi i infrastrukturës rezistente ndaj fatkeqësive natyrore (përmbytje, zjarre apo degradimi i tokave bujqësore), krijimi i hapësirave të gjelbra (pyjet), promovimi i efikasitetit energjetik dhe ulja e emetimeve të gazeve serrë.

Raporti i Monitorimit “Buxheti i viteve 2022–2024 për ndryshimet klimatike në bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas” u hartua në kuadër të projektit “Budget 4 Balance” me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga IDM Albania në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn