Një vendim kontrovers i qeverisë për përjashtimin e programit të rindërtimit nga detyrimet për garantimin e performancës energjetike të ndërtesave, ngre shqetësime për anashkalimin e legjislacionit dhe strategjive të miratuara për ndryshimet klimatike, ndërsa vështirëson rrugën për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, që i jep prioritet politikave mjedisore.
Nga Ola Mitre
Garantimi i performancës energjetike të ndërtesave është detyrim ligjor për ndërtimet e reja, si dhe për ato që kalojnë masën mbi 25% të rikonstruksionit. Megjithatë, Këshilli i Ministrave anashkaloi këto detyrime përmes një vendimi, që përjashton godinat që ndërtohen në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke shkelur prioritetet për eficiencën energjetike që sjellin një sërë përfitimesh në drejtim të reduktimit të ndotjes së ajrit, prerjes së pyjeve, ekomonisë dhe shëndetit. Ekspertët ngrejnë shqetësime për këtë vendim që bie në kundërshtim me strategjitë e vendit dhe angazhimet për uljen e shkarkimeve në ajër, si dhe kritikojnë modelin e krijuar nga qeveria shqiptare, duke kërkuar ndryshimin e tij për sa kohë gati 60% e pallateve të rinj të planifikuar, nuk kanë përfunduar ende. Ata shtojnë se politikat për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike janë të domosdoshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria aspiron të bëjë pjesë.
Rindërtim pa eficiencë!
Sipas legjislacionit në fuqi, çdo ndërtues mund të pajiset me leje ndërtimi, vetëm pasi harton projektin që përmbush masat e eficiencës së energjisë. Këtu bëjnë pjesë termolizolimi, sistemet ngrohëse/ftohëse, të ventilimit, ndriçimit, etj. Ndërkohë që, edhe në përfundimit të ndërtimit çdo objekt duhet t’i nënshtorhet kontrollit, për të verifikuar nëse projekti është zbatuar me përpikmëri.
Kontrolli mbi cilësinë e projekteve dhe ndërtimeve nisi në vitin 2020, një hap që u mirëprit nga ekspertët e sektorit energjetik, mjedisit dhe ekonomisë për shkak të efekteve pozitive që sjell.
Por, përmes një vendimi kontrovers të miratuar në 3 mars 2021, qeveria kërkoi moszbatimin e këtij detyrimi për qindra godina që do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit 2019. Sipas të dhënave të grumbulluara nga emisioni “EkoSkaner” përmes kërkesave për informacion, vetëm numri i pallateve të rinj që do të ndërtohen në 10 nga 11 bashkitë e prekura nga tërmeti arrin në 300. Gjithsesi, kjo shifër e mësipërme nuk përfshin pallatet që kanë nevojë për rinovim të rëndësishëm, si dhe godinat individuale që gjithashtu përfshihen në programin e rindërtimit.
Për ekspertët, vendimi për përjashtimin e programit të rindërimit nga detyrimet për garantimin e performancës së energjisë në ndërtesa përbën anashkalim të ligjeve, si dhe kepërdorim të parave publike.
“Fatkeqësia që ne patëm me tërmetin, na solli nuk po them diçka të mirë, por na solli një mobilizim fondesh, të cilat u përdorën për rindërtimin. Siç e dimë të gjithë, ndërhyrjet për të patur ndërtesa me eficiencë energjie kërkojnë gjithmonë disa kosto, që do të thotë shpesh janë nga këto lloj ndërhyrjesh, për të cilin ti ke një investim fillestar, që më vonë gjithmonë ke përfitimin prej saj. Në këtë prizëm, unë e shikoj si një shans të humbur, për të cilin ne nuk mund të kemi aq shumë fonde në të ardhmen, të cilin mund ta zbatojmë në atë shkallë sa ç’ishte programi i rindërtimit”, – thotë Rezart Kapedani nga Programi për Mbështetjen e Negociatave të Shqipërisë në Mjedis, kapitulli 27 (SANE 27).
Rezart Kapedani, Programi për Mbështetjen e Negociatave të Shqipërisë në Mjedis, kapitulli 27 (SANE 27)
“Natyrisht, ajo ka një kosto të caktuar, por është shumë kontradiktore që nga njëra anë qeveria rregullon kuadrin ligjor, ngre grupe dhe synon që të vendosë pasaporta apo dokument teknik për të gjitha ndërtesat ekzistuese, duke filluar me ato të Këshillit të Ministrave, me ndërtimet zyrtare dhe nga ana tjetër përjashton ndërtimet e reja, për të cilat të gjitha teknologjitë japin mundësitë për të patur ndërtime vërtet bashkëkohore, vërtet eficiente dhe që realisht u shërbejnë qytetarëve. Duket sikur po kursen 5 lekë sot, por praktikisht ke kompromentuar të ardhmen sepse në klasifikimet e eficiencës së energjisë nesër do të jenë më poshtë, do të kenë kosto më të madhe mirëmbajtjeje dhe kosto më të lartë të jetesës brenda tyre nga qytetarët”, -thotë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.
Zef Preçi, ekspert ekonomie
Edhe sipas ekspertit të mjedisit, Kristi Bashmili, “rindërtimi pas tërmetit edhe si një barrë financiare për qeverinë apo dhe për vetë vendin ishte një mundësi e mirë që ne të ndërtonim në standard dhe kushte optimale sa i përket efiçencës së energjisë në këto banesa”. “Rasti konkret që po flasim fatkeqësisht është një precedent demoralizues përsa i përket politikave të kursimit të energjisë, por edhe politikave mjedisore të vendit tonë. Them demoralizues sepse ishte një rast të cilin mund ta bënim më së miri për ta treguar që ne kemi vullnet dhe duam që gjërat t’i bëjmë sa më mirë në të ardhmen kryesisht në kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e cilësisë së ajrit që është jashtëzakonisht e nevojshme sidomos në zonat urbane ku ndikimi është më i drejtpërdrejtë në popullata”, – thotë ai.
Kristi Bashmili, ekspert mjedisi
Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga “EkoSkaner” mbi aryset, që e çuan drejt marrjes së vendimit për përjashtimin e këtyre godinave nga detyrimet për garantimin e eficiencës së energjisë.
“Unë mendoj, që për pjesën e rindërtimit, u mendua më shumë pjesa e afateve, që të ndërtojmë sa më shpejt për të përmbushur pjesën e detyrimit për të futur njerëzit brenda, sesa për pjesën e asaj që të shikonin edhe për të ardhemn. Do të thotë të ndërtonin ndërtesa të mira dhe cilësore, por që të ishin dhe si shembull për ndërtimin në të ardhmen”, – thotë Kapedani.
“Pavarësisht zbulimeve të shkencës së sotme energjia ka për të qenë mall defiçitar, mall i preferuar, i rëndësishëm, strategjik në të gjitha kohërat dhe në këto kushte çfarëdolloj mase që çon në përdorimin racional, eficient të saj do të thotë që është investim për të ardhmen. Në këtë kuptim përjashtime të tilla janë të çuditshme dhe që shprehin pikërisht interesa të ngushta, papërgjegjshmëri, mediokritet dhe njëkohësisht nxitim siç ndodh në shumicën e punëve që vazhdon të bëjë qeveria”, – thotë Preçi.
Ndotja dhe detyrimet për eficiencë energjisë
Sipas një raporti të hartuar nga organizata mjedisore “All Green Centre”, sektori rezidencial konsiderohet një nga burimet kryesore të ndotjes së ajrit në vend. Ky sektor përdor rreth 23,6% të gjithë energjisë totale së konsumuar, teksa mbi 40% e energjisë së përdorur në banesë i dedikohet ngrohjes dhe ftohjes së ambientit.
Në dallim nga strukturat e tjera, te strukturat e termoizoluara, sasia e nxehtësisë që humbet nga muret ulet me rreth 50%, çka përkthehet direkt në reduktim të konsumit të energjisë për ngrohjen e banesës, duke ulur presionin mjedisor, kryesisht uljen e shkarkimeve në ajër të elementëve ndotës dhe gazeve serrë. “Së fundmi kryefjala ka qenë në efiçencën e energjisë, jo vetëm në vendin tone, por edhe në vende të tjerë të zhvilluar, sepse shikohet si zgjidhje e cila do të reduktojë shkarkimet në atmosferë”, – thotë eksperti i mjedisit Kristi Bashmili. “Termoziolimi apo rritja e performancës energjetike të banesave do të ulë ndjeshëm shkarkimet e gazeve me efekt serrë, të cilët ne si vend zotohemi që t’i ulim deri në 11.5% deri në vitin 2030. Pra, është një zotim dhe sektori i banesave, sektori rezidencial është i treti në radhë, i cili do të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi”, – shton ai.
Në Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, eficienca e energjisë në ndërtesa zë një vend të rëndësishëm, si pjesë e objektivit mjedisor për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe përshtatjen ndaj tyre deri në vitin 2030.
“Duke qenë se Shqipëria është në fazën e negociatave me BE dhe vetë BE e ka gjithmonë e më shumë vëmendjen te ndryshimet klimatike, një nga pjesët që ndikojnë në ndryshimet klimatike është edhe sektori i energjisë. Në detyrimet që ka një nga rregulloret e reja që ka nxjerrë BE (Rregullore për Qeverisjen e BE për Ndryshimet Klimatike) është detyrim edhe për vende si ne përgatitja e një Plani Kombëtar për energjinë dhe Klimën”, të cilën ne e kemi miratuar në vitin 2019”,- shpjegon Kapedani. “Ky plan kombëtar, në standardet që kërkon BE ka disa shtylla, mes të cilave edhe ajo për eficiencën e energjisë, në të cilën kërkohen të vendosen targete të ndryshme për secilin nga vendet për t’u arritur në një periudhë afat shkurtër dhe afatgjatë. Ne, në fakt edhe përpara këtij plani kemi patur një ligj “Për eficiencën e energjisë” dhe kemi patur një Plan Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, që ka patur disa targete që duhet thënë jo vetëm, në Shqipëri, por edhe ne BE vijnë gjithmonë e në rritje”, -shton ai.
Sipas Kapedanit, Shqipëria është e detyruar të përmbushë një sërë detyrimesh, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe si anëtare e Komunitetit të Energjisë.
“Duhet theksuar se Shqipëria nuk është vetëm pjesë e negociatave me BE-në, por është edhe anëtare e Komunitetit të Energjisë. Ky sekretariat, që përfshin edhe gjithë vendet e Ballkanit ka monitorim të vazhdueshëm mbi shumë targete, një prej të cilëve është edhe ky i eficiencës së energjisë për të arritur ato përqindje të cilat janë caktuar dhe Shqipëria ka marrë detyrimet e saj”, – shpjegon eksperti.
Përfitimet mjedisore
Një vlerësim i kryer nga All Green Centre, përmes auditimit energjetik në banesë, nxjerr në pah se aplikimi i masave të eficiencës së energjisë në banesë, mund të ulë deri në mbi 65% emetimin e ndotësve në ajër. Në rajonet, që kanë si burim ngrohjen me dru zjarri kjo nënkupton edhe reduktim të nevojës për lëndë drusore e rrjedhimisht më pak pyje të prerë.
“Gjithashtu, duhet theksuar që kursimi i energjisë sjell mbrojtjen e burimeve energjitike në vend. Energjia elektrike është kryesisht nga burimet e rinovueshme, por ka pasoja të tjera në mjedis. Energjitë e tjera të rinovueshme siç është ajo e diellit apo erës gjithashtu janë të rinovueshme, por do të kenë gjurmë ndikimi në mjedis: Zënia e tokës, probleme me biodiversitetin apo ndikime të tjera që vijnë si rrjedhojë e ndërtimit apo operimit të tyre. Kursimi i energjisë na çon në reduktimin e nevojës për shfytëzimin e këtyre burimeve e si pasojë ne marrim një reduktim më të ulët në biodiversitet apo në kushte natyrore që ne kemi”, – thotë Bashmili.
Sipas Kapedanit, me përjashtimin e godinave që po ndërtohen në kuadër të programit të rindërtimit, qeveria nuk po krijon një model pozitiv në drejtim të kursimit të energjsë, por edhe për sektorin privat.
“Pjesa e ndërtesave publike, ka qenë gjithmonë edhe nga direktivat e BE-së, ajo që quhet një model shembull. Në masat afatmesme, nëse të gjitha këto ndërtesa do të bëheshin duke patur parasysh këto kritere të eficiencës së energjisë dhe jo të përjashtoheshin,do të krijonte një farë shembulli, jo vetëm në ndërtimet e mëtejshme të ndërtesave publike, që është dhe detyrim, por dhe për ndërtesat private, që ndërtohen nga operatorët privatë për të parë përfitimet që kanë këto ndërtesa me eficiencë energjie”, – thotë ai.
Të rishikohet vendimi!
Por, teksa emergjenca e krijuar nga tërmeti ka hyrë në vitin e katërt, të dhënat e përpunuara nga emisoni “EkoSkaner” tregojnë se gati 60% e godinave të reja të planifikuara, nuk kanë nisur ndërtimin ose nuk kanë përfunduar. Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga vetë bashkitë, vetëm Bashkia Kamëz deklaron përfundimin e pallateve të rinj. Bashkitë e tjera e më konkretisht, Bashkia Tiranë, Durrës, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë bëjnë me dije se nga 280 pallate, kanë përfunduar vetëm 109 prej tyre. Në Bashkinë Rrogozhinë nuk ka pallate të rinj të planifikuar, ndërsa Bashkia Kavajë refuzoi të japë informacion mbi numrin e pallateve të rinj apo fazën në të cilën ndodhet programi.
Nisur nga kjo situatë, ekspertët thonë se qeveria është ende në kohë për të rishikuar vendimin për përjashtimin e këtyre ndërtimeve, nga detyrimet për garantimin e perfomancës së energjisë në ndërtesa.
“Duke qenë se jemi në faze le të themi deri në gjysmë të ndërtimit, pra nuk ka mbaruar procesi i rindërtimit, disa ndërtesa ende nuk kanë filluar dhe është një përqindje jashtëzakonisht e lartë e cila nuk ka filluar ende punimet, kërkojmë nga qeveria që të reflektojë duke shtuar termoizolimin apo materialet me performancë energjitike në ndërtimin e këtyre banesave që të japim mundësinë të kursejë sa më tepër, të kursejmë energji, të rrisim rehatinë e banorëve në ato banesa si dhe të kursejmë dëmet që do t’i shkaktojnë mjedisit kur ato banesa të jenë ekzistuese në territor”, – thotë Bashmili.
“Për sa kohë që ndërtimet e para 50 apo 100 vjetëve mund të përshtaten, mundësia edhe për ato që janë të përfunduara po të pambushura me banorë apo që kanë hyrë banorë dhe ato kanë mundësi të përshtaten, sepse kjo është çështje e vullnetit për të respektuar një standard. Këtu, nuk ka problem as teknologjia. S’ka asnjë pengesë, përveçse përpjekjeve për të maksimizuar fitimet nga lobet e biznesit dhe për ato që janë në process të ndërtimit dhe s’kanë përfunduar akoma, kjo do të jetë diçka që as duhet vënë në dyshim”, – thotë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.
Në të njëjtën linjë është edhe Kapedani.
“Gjithmonë është një dëm më i vogël nëse rekuperohet, por edhe kjo kërkon një vendim politik. Kalimi i këtij vendimi do të kërkonte disa fonde shtesë. Nëse fondet që janë alokuar, kanë kaluar, bazuar në ndërtimet e vjetra, padyshim që do kishte vështirësi, por nëse këto fonde akoma kanë mundësi të rishikohen do të ishte diçka e mirë apo një shembull i mirë, që të paktën ndërtesat që janë të pandërtuara akoma, të mund të kenë këtë lloj standardi eficencë energjie”, -shprehet ai.
Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj “EkoSkaner” nëse planifikon të miratojë ndryshime në vendimin e vitit 2021. Gjithsesi, në fillim të muajit maj miratoi një tjetër vendim, që le në fuqi përjashtimin e progamit të rindërtimit nga detyrimet për eficiencë energjie, ndërsa përfshiu edhe disa tipologji të tjera godinash në këto përjashtime.
“Mendoj që pjesa rregullatore, legjislative po rregullohet gjithmonë e më shumë, por duhet vënë theksi te pjesa e zbatimit. Këto janë, që kërkojnë investime dhe investimet duhet të fillojnë kryesisht nga qeveria e më pas të ndiqen nga pjesa e privatit. Në gjitha BE-në, kështu ka ecur: Është nisur me shtetërorin për të treguar benefitet dhe pastaj duhet ta ndjekin privatët”, -thotë Kaqedani.
“Si në çdo fushë tjetër dhe në aspektin e rindërtimit të banesave, duhet të rrespektojmë ligjet tona. Duhet të krijojmë një traditë të zbatimit të ligjeve. Është shumë e thjeshtë që ne të ndryshojmë e të ndryshojmë ligje, por ka ardhur koha qëne duhet t’i bindemi ligjit në mënyrë sa më të detajuar. Është shumë e thjeshtë të themi që ligji duhet të funksionojë por është vetë institucioni që duhet të zbatojë ligjet e veta”, – thekson Bashmili. “Është e rëndësishme që politikat mjedisore të shtyhen nga një vullnet pozitiv, të shtyhen përpara sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshjen ndërkombëtare, marrëveshje që kanë të bëjnë me klimën, zotimet që qeveria jonë ka, pra duhet të udhëhiqen nga një motivim për t’i bërë sa më mirë”, – përfundon ai.