Ndotja e ajrit në dimër, qytetarët korçarë kërkojnë nga bashkia vendosjen e Fondit të Komunitetit

Qytetarët e Korçës i kërkojnë bashkisë të marrë masa konkrete për reduktimin e ndotjes së ajrit gjatë dimrit! Bashkitë kanë detyrime ligjore për të siguruar masa për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, ndaj dhjetra korçarë marshuan dhe kërkuan zbatimin e këtyre detyrimeve. Vendosja e “Fondit të Komunitetit”, duke bashkëfinancuar termoizolimin e banesave është një masë që do të pasohej me rezultate pozitive për qytetin. Kjo, pasi termoizolimi redukton përdorimin e druve të zjarrit e për pasojë ul emetimin e ndotësve në ajër.

Paralelisht, qytetarët u njohën me alternativat e ngrohjes në banesë dhe gjurmën e ndikimit në cilësinë e ajrit, përmes dokumentit “Fact-Sheet”, që u shpërnda për të gjithë të pranishmit. Ky dokument përmban të gjithë informacion mbi kosto-përfitimet e secilës prej alternativave të ngrohjes, duke përfshirë: Gazin, ngrohjen me pelet, drutë e zjarrit, energjinë elektrike dhe panelet diellore.

Marshimi i komunitetit korçar përmbylli Javën e Demokracisë Vendore 2022, organizuar nga LevizAlbania.

Aktiviteti u organizua nga “All Green Centre” dhe “Arti në Duart e Gruas”, në kuadër të projektit ”Dua ajrin tim – Rritja e presionit qytetar për bashki më të pastra”, që mbështetet financiarisht nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn