Nga Ola Mitre
Në vitin 2014, gjatë një vizite në Lurë, ish – ministri i Mjedisit, Lefter Koka premtoi se do të mbilleshin 2 mln fidanë për t’i rikthyer shkëlqimin këtij Parku Kombëtar. Dikur një nga zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut, pyjet e larta u shfarosën si pasojë e shfrytëzimit pa kriter, ndaj vetëm një program rehabilitimi mund të ndryshonte situatën. Por, gati 10 vjet më pas rigjallërimi i parkut duket i largët, teksa sipërfaqja e rehabilituar është shumë e vogël.
Ky nuk është i vetmi premtim bujar, por i pambajtur në lidhje me pyjet.
Në vitin 2018, ish- ministri i Mjedisit, mori përsipër një tjetër angazhim ambicioz: mbjelljen e 20 milionë e 20 mijë pemëve deri në vitin 2020 apo mbi 10 milionë pemë të reja në vit. Por, të dhënat e siguruara nga emisioni “EkoSkaner” përmes një kërkese për informacion pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në 2 vite nuk u mbollën as 2 milion fidanë, çka do të thotë se nuk u arrit as10% e premtimit. Me këtë ritëm do të duhen edhe 18 vite të tjerë për të përmbushur angazhimin për mbjelljen e 20 milionë pemëve.
“Situata në fakt është shumë komplekse dhe duke u nisur vetëm nga numrat. Sa herë që numrat janë shumë të mëdhenj, janë të fryrë, të bën të diskutosh dhe me veten që a është ky numër ideal si rezultat i një studimi apo është thjesht një numër sepse tingëllon bukur në publik. Nga çfarë është parë, ka rezultuar që këto në fakt janë vetëm premtime në një fushatë elektorale që përgatiten zakonisht para zgjedhjeve që të pompojë dhe të ngelet si numër”, – thotë Doriana Musai, planifikuese urbane dhe arkitekte.
Doriana Musai, planifikuese urbane dhe arkitekte
Premtimet për pyllëzime nuk janë kursyer as nga bashkitë. Krijimi i Pyllit Orbital nga Bashkia Tiranë është më i bujshmi.
“Është një tjetër premtim 2 mln pemë që është një premtimi elektoral. Që të ndërtosh pyje dhe të mbjellësh pyje, pra të shtosh popullatën e pyjeve kërkon një angazhim dhe një ndërgjegjësim dhe një investim shumë të madh nga ana e shtetit i cili nuk është kryer. Pyjet nuk mund të ndërtohen as në photoshop as në dokumente. Pylli orbital ka ngelur në atë gjurmën e photoshop-uar të planit të përgjithshëm që u propozua nga Boeri dhe nuk ka asgjë në territor”, – argumenton Musai.
Edhe sipas profesorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Elvin Toromani, “nëse u referohemi investimeve direkte që janë kryer në sektorin e pyjeve, natyrish është një premtim i pamundur për t’u realizuar sepse kërkon investime”. “Ka edhe një ndryshim filozofie, pas viteve 90-të flasim me numër fidanësh, përpara ka qenë me sipërfaqe”, – thotë ai.
Elvin Toromani, profesor, Universiteti Bujqësor të Tiranës
Niveli i ulët i realizimit të Pyllit Orbital u konstatua edhe në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa pranohej edhe nga vetë Bashkia Tiranë në dokumentet e një tenderi për blerje pemësh.
Por, teksa mbarështimi i pyjeve mbetet modest, të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se politikat e ndjekura deri më tani bien në kundërshtim me planet e miratuara apo nevojën reale për rehabilitimin e pyjeve.
PA FIDANISHTE SHTETËRORE!
Studime të ndryshme tregojnë se gjatë tranzicionit janë shfrytëzuar pa kriter, djegur apo prerë në mënyrë të paligjshme qindar mijëra hektarë pyje. Gjithsesi, treguesi më domethënës i situatës në pyje është volumi pyjor. Sipas inventarit të fundit, Shqipëria zotëron një volum pyjor në këmbë prej 57.7 mln m3, nga 73.5 mln m3 që kishte në vitin 2004. Përvç prerjes së paligjshme, zjarreve apo mungesës së pyllëzimeve, duke analizuar shkaktarët e humbjes prej rreth 16 mln m3, në më pak se 20 vite, Agjencia Kombëtare e Pyjeve identifikon edhe mungesën e punimeve për përmirësimin e tyre, si pastrime apo rrallime.
Nga viti 2014 deri në vitin 2022, Ministria e Mjedisit deklaron se janë mbjellë 11.4 milionë pemë. Sipas ekspertëve po të flasim për një skemë pyllëzimesh 2 me 2, kemi 2500 fidanë të mbjellë në 1 ha. Pra në 9 vite janë pyllëzuar vetëm 4574 ha, shumë larg nevojave për rigjenerim që kanë pyjet shqiptare.
“Nuk kemi realisht statistika të sakta sesa është sipërfaqja reale e pyllëzuar të paktën për një periudhë kohore disavjeçare dhe të shikojmë se kush është ritmi mesatar me të cilin ne jemi investuar për ta shtuar këtë sipërfaqe nëpërmjet pyllëzimeve artificiale”, – thotë Toromani.
Mungesa e financimit është një nga pengesat kryesore, por ekspertët kritikojnë shumë politika të ndjekura deri më tani. Mungesa e fidanishteve shtetërore është një prej tyre. Të vetmen fidanishte publike që ndodhej në Cerrik, shteti ia dha me koncension kompanisë “Almex green Ëood”, në vitin 2014. Kontrata shtrihet mbi një sipërfaqe prej 10 mijë m2 dhe ka një afat 35 vjeçar, po nuk parashikon që kjo fidanishte të prodhojë fidanë edhe për shtetin. Si pasojë vetë shteti i blen fidanët e rinj në tregun privat.
Kjo fidanishte ishte një investim i kryer nga qeveria turke dhe ishte menduar të zbuste problemin e sigurimit të fidanëve pyjorë. Projekti parashikonte që ajo të ishte fidanishtja kryesore, duke qenë se ndodhet në një zonë të ulët dhe jo të gjithë fidanët mund të zhvillohen në atë klimë. Për të plotësuar nevojat do të ngriheshin edhe disa fidanishte në rajone të tjera, që do të mundësonin prodhiminm e llojeve që duan lartësi të madhe detare siç është rrobulli, pisha e zezë, apo armeni.
“Problemi është që kjo fidanishte kaloi me koncension mirëpo nuk kemi të dhëna, statistika reale sesa fidanë ka prodhuar, a ka një plan të dhënë nga ministria apo Agjencia Kombëtare e Pyjeve sesa fidanë do të prodhojë, çfarë lloji do të jenë ato dhe ku do të jenë sipërfaqet ku do të mbillen. Por, me kapacitetit që ka ajo nuk plotëson nevojat që ka vendi ynë për prodhimin e fidanëve”, – thotë Toromani.
Vetë ministria e Mjedisit, duke iu referuar reformës së vitit 2016, ku pyjet i kaluan pushteti lokal, thotë se blerja e fidanëve të rinj për mbjellje nuk është detyrim i ministrisë, por i institucioneve respektive që administrojmë e planifikojnë punime mbi fondin pyjor.
Ajo pranon se nuk ka një politikë të veçantë për sigurimin e tyre falas apo me çmim të favorshëm, por sqaron “se fidanët e rinj sigurohen nga subjekte vendase të licencuara, të cilat merren me prodhimin e fidanëve, të certifikuar për këtë qëllim”.
Gjithsesi, ekspertët thonë se është e domosdoshme që fidanishtet të ngrihen afër zonave ku bëhen pyllëzimet në mënyrë që fidanët të klimatizohen me mjedisin.
“Duke patur parasysh që për këtë vit është parashikuar dhe një program i madh për pyllëzime në vendin tonë, ky program duhet patjetër të mbështetet dhe nga krijimi i një fidanishte shtetërore. Tjetër është kur ke një fidanishte, dimë dhe llojet që do mbjellësh në kuadrin e programit, tjetër është të shkosh t’i kërkosh fidanishteve private që më duhet ky lloj. Përshembull, nëse ti merr një fidan në Lezhë dhe do ta mbjellësh në Pukë, nuk e ka vlerën sikur fidanishtja të ishte në Pukë. Pra, dhe fidanët që të përshtaten, është mirë të jenë sa më afër objektit”, – thotë Fatmir Laçej, profesor i Fakultetit të Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Fatmir Laçej, profesor i Fakultetit të Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës
Në fakt, thuajse një dekadë pasi e dha me koncension, Ministria e Mjedisit ka aplikuar pranë Bashkimit Evropian për të ngritur një tjetër fidanishte publike, me justifikimin e situatës ku ndodhen pyjet në Shqipëri.
PROBLEME, EDHE PAS MBJELLJES!
Përveç mungesës së fidanishtes, ekspertët e mjedisit thonë se edhe ato pak fonde që jepen për pyjet shpenzohen vetëm për një fushatë mbjelljeje, por fidanët nuk ndiqen me shërbime të nevojshme që bima e re të mos thahet.
“Mungesa e investimeve në pyje dhe sidomos sa i takon rigjenerimit ka qenë tepër e theksuar, por edhe në rastin kur ka patur investime, ka patur probleme që lidhen me shkallën e zënies, të krijuara edhe nga mosparashikimi i fondeve për kryerjen e shërbimeve kulturale ose të përkujdesit, që quhen ndryshe”, – thotë Toromani.
“Ne kemi dhe një defekt tjetër për mendimin tim që dhe aty ku bëjmë pyllëzime nuk mbrohen më, nuk ruhen. Duhet të bëhet dhe një investim që aty duhet të lësh një njeri që të kujdeset, ta mbrojë sepse shkon dikush i ve zjarrin, ta dëmtojnë, etj., etj.”, – thotë Laçej.
Për ekspertët pas mbjelljes duhet të kryhen shërbimet kulturale për së paku dy vite. Shërbimet kulturale janë procese të përkujdesjes dhe janë të domosdoshme për bimën e re sepse fidanët janë trajtuar në fidanishte dhe kur dërgohen në një terren të ri kanë nevojë për një kohë përshtatjeje me kushtet e reja.
“Në muajit qershor, korrik dhe gusht, që janë dhe periudhat më problematike duhet të kryhen punimet e shërbimit, të cilat konsistojnë kryesisht në prashitjen që nënkupton që në një rreze të caktuar nga fidani duhet të hiqen të gjithë barërat e këqija, bëhet plehërimi dhe më pas të kryhet vaditja”, – shpjegon Toromani.
Kjo procedurë standarde, që do të garantonte një rezultat të mire gjatë procesit të pyllëzimeve, është harruar krejtësisht nga institucionet. Ligji ia ngarkon këtë detyrë instituconit që ka hartuar projektin e pyllëzimeve. Pra nëse projektin e ka hartuar bashkia atëhere përgjegjëse është bashkia.
“Në qoftë se nuk kryhen duke respektuar edhe këtë standard të shërbimeve kulturale, atëhere risku për të dështuar rritet dhe një një situatë të tillë ka raste kur sipërfaqja e pyllëzuar, ka dështuar dhe nuk është arritur suksesi i domosdoshëm”, – thotë Toromani. “Është bërë investimi për kryerjen e pyllëzimit, por nuk janë parashikuar fondet e nevojshme sa i përket shërbimeve kulturale për të paktën një periudhë kohore 2-vjeçare”, – shton ai.
Në të njëjtën linjë është edhe profesori Fatmir Laçej.
“Janë neglizhuar disa gjëra! Ka bërë pyllëzimin dhe e kanë quajtur të kryer. Duhet të jenë më të organizuar! Përshembull, ajo firmë që bën pyllëzimin, të mos bëjë vetëm pyllëzimin, por të bëjë vitin tjetër zëvendësimin. T’i jepet një fond që ai ta ndjekë derisa të bëhet fidani 10 – vjeçar. Atëhere mund ta quash pyllëzim të krye. Jo ti vë një fidan që është 2-vjeçar në fidanishte dhe nuk i bën asnjë shërbim. Ajo dihet që më tepër do dështojë”, – argumenton profesori.
PAK INVESTIME, EDHE NË DEKADËN E ARDHSHME
E ardhmja e pyjeve nuk duket optimiste as në dekadën e ardhshme, kohë gjatë së cilës Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikon të shpenzojë një shumë prej 33 mln euro, ose 3.3 mln euro në vit.
“Nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve është hartuar “Plani Kombëtar për mbjellje drurësh pyjorë dhe pyllëzime”. Në kuadër të këtij plani, parashikohen që në 10 vitet në vijim të mbillen rreth 20.5 milion fidanë, ose të kemi një shtesë sipërfaqeje të fondit pyjor prej 8273 hektarë”, – thotë ministria e mjedisit në përgjigjen me shkrim për “EkoSkaner”. Kjo shifër, prej afërsisht 800 ha në vit, është shumë larg nevojave të pyllëzimeve që ka vendi ynë.
Në vitin 2016, sektori i pyjeve iu nënshtrua një reforme të re dhe ato kaluan në varësinë e pushtetit lokal. Bashkitë e kanë marrë këtë pronë “de jure” por “de facto” ato po përballen me vështirësi të mëdha në menaxhimin e tyre duke filluar që nga administrata e reduktuar, fonde të pamjaftueshme si dhe mungese logjistike.
“Duhet të bëjmë një analizë, të shikojmë problematikat dhe pastaj të shikojmë se çfarë mund të bëhet, por është një proces që ka të metat e veta. Bashkitë aktualisht kanë numër të vogël specialistësh, së dyti është mungesa e logjistikës, s’kanë mjete për kontrollin e territorit, së treti është buxheti i papërfillshëm përsa i përket investimeve në pyje”, – thotë profesor Toromani.
“Nëse i referohemi ligjit, të gjitha të ardhurat që sigurohen nga aktivitetet në fondin pyjor, si: qiratë, kontrata për bimë mjekësore, apo drutë e zjarrin duhet të investohen 100% në burim. Këto nuk investohen nga bashkitë, por i mbyllin gojën stafit, që ne po ju japim nga ky fond pagat, por kjo nuk është e vërtetë sepse stafi i pyjeve në shumicën e rasteve kanë një fond të dedikuar nga Ministria e Mjedisit”, – shton më tej ai.
Kjo reformë prodhoi edhe një tjetër ngërç të madh sa i përket përkujdesjes ndaj pyjeve. Bashkitë e marrin fondet në bazë të numrit të popullsisë që kanë, por shumë prej tyre që kanë numër të vogël banorësh, kanë sipërfaqe të mëdha pyjesh për t’u administruar.
“Nuk është bërë një shpërndarje homogjene në raport me popullatën apo në raport me menaxhimin e burimeve, por janë përdorur të tjera parametra përsa i përket ndarjes dhe administrimit të 61 bashkive. Pra në territore shumë të thyera, shumë malore që kanë nevojë për administrim sidomos dhe në mbikëqyrje të këtyre sipërfaqeve të gjelbërta jemi para faktit që nuk kemi as investime dhe as popullsi të mjaftueshme që t’i menaxhojë apo monitorojë”, – thotë planifikuesja urbane dhe arkitektja, Doriana Musai.
Planet vendore janë ato që përcaktojnë rrugën nëpër të cilën do të kalojë zhvillimi i një rajoni, por zbatimi i tyre mbetet problematik.
“Bashkitë e mëdha i kanë kryer Planet e Përgjithshme Vendore, që kanë efektshmëri 15 vjet, pra jemi në gjysmë të rrugëtimit. Tirana e ka miratuar që në 2016 planin e vet. Pra jemi në momentin që mund ta diskutojmë dhe të themi që realisht ose objektivat janë shumë utopikë, pra ne nuk i arrijmë dot për kaq pak kohë, ose kemi një problem në mënyrën sesi i zbatojmë këto objektiva nga pikëpamja e vendimmarrjeve”, – shprehet Musai.
Përballë problemeve të shumfishta, qeveria shqiptare ka shpallur ndër prioritetet e veta çështjet mjedisore prej disa vitesh, por rrugëdalja nga kjo situatë sipas ekspertëve shihet vetëm nëse mjedisi shpallet emergjencë kombëtare.
“Unë do t’ia nisja gjithmonë nga sistemi arsimor, edukimi, ndërgjegjësimi, por për këtë ne do të duhet që ta shpallim emergjencë kombëtare çëshjen e mjedisit, jo thjesht prioritet kombëtar”, – përfundon Musai.