Banorët e Pogradecit i kërkojnë bashkisë marrjen e masave për uljen e ndotjes së ajrit

Dhjetra qytetarë të Pogradecit marshuan të premten, duke i kërkuar bashkisë marrjen e masave konkrete për reduktimin e ndotjes së ajrit gjatë stinës së dimrit
Përdorimi i lartë i druve të zjarrit për ngrohje dhe gatim është shkaku kryesor për situatën problematike gjatë stinës së ftohtë, ndërkohë që sipas mjekëve pasojat në shëndet nga ekspozimi i gjatë ndaj tymit janë të rënda. Bashkitë kanë detyrime ligjore për të siguruar masa për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, ndaj qytetarët kërkuan zbatimin e këtyre detyrimeve

“All Green Centre” dhe “Arti në Duart e Gruas” kanë identifikuar hapa konkretë që mund të ndërmerren e një prej tyre është termoizolimi i banesave, si një masë e eficencës së energjisë. Termoizolimi redukton përdorimin e druve të zjarrit e për pasojë ul emetimin e ndotësve në ajër. Megjithatë, kostot për realizimin e këtyre investimeve janë të konsiderueshme e për pasojë shumë qytetarë e kanë të pamundur të kryejnë investimin. Për këtë arsye është e nevojshme që Bashkia Pogradec të planifikojë në buxhet “Fondin e Komunitetit”, një masë bashkëfinancimi, si formë për të stimuluar këto investime nga ana e qytetarëve.

Paralelisht, qytetarët u njohën me alternativat e ngrohjes në banesë dhe gjurmën e ndikimit në cilësinë e ajrit, përmes dokumentit “Fact-Sheet”, që u shpërnda për të gjithë të pranishmit. Ky dokument përmban të gjithë informacion mbi kosto-përfitimet e secilës prej alternativave të ngrohjes, duke përfshirë: Gazin, ngrohjen me pelet, drutë e zjarrit, energjinë elektrike dhe panelet diellore. Aktiviteti u organizua nga organizatat “All Green Centre” dhe “Arti në Duart e Gruas”, në kuadër të projektit ”Dua ajrin tim – Rritja e presionit qytetar për bashki më të pastra”, që mbështetet financiarisht nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn