Të dhënat e mbledhura nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pajisur me Miratim Paraprak një sërë projektesh për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga era në zonën e Gadishullit të Karaburunit, që gëzon statusin “Rezervat Natyror i Menaxhuar” e ku zhvillimi i këtyre projekteve është i ndaluar. Ndërkohë që, edhe një studim i realizuar nga vetë MIE në ndihmë të investitorëve, e klasifikon Gadishullin e Karaburunit si zonë të ndaluar për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga era.
Në këto kushte, ekspertët flasin për rrezikun që i kanoset vlerave natyrore të zonës, por edhe krijimin e një precedenti të rrezikshëm për imazhin e energjisë së erës, që gjithsesi është domosdoshmëri për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.