“Bllokim i qëllimshëm”, autoritetet s’matin ndotjen e ajrit

Shkrim nga Ola Mitre

Tre vjet më parë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit publikoi raportin e Gjendjes në Mjedis për vitin 2018, një dokument i përvitshëm që duhet të sigurojë një bazë të dhënash, të cilat përdoren për përgatitjen e informacioneve në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar e që siguron një bazë të rëndësishme për hartimin e politikës mjedisore të ardhshme. Por ndryshe nga vitet e kaluar, ky raport nuk përmbante kapitullin e cilësisë së ajrit urban, ndërkohë që në dokument thuhej se “monitorimi nuk ishte realizuar për shkak të pamundësive për të realizuar kolaudimin e aparaturave”. Ngjashëm me 2018-ën, edhe raportet për 2 vitet në vijim, ndonëse rikthyen këtë kapitull, përmbajnë një numër tejet të kufizuar monitorimesh, çka sipas ekspertëve nuk paraqet aspak situatën reale të ndotjes urbane e për pasojë pamundëson ndërmarrjen e politikave për reduktimin e saj. Paralelisht disa monitorime alternative të financuara nga Bashkimi Evropian kanë nxjerrë në pah tejkalimin e shumë treguesve në Tiranë, Durrës, Shkodër e Elbasan, 4 prej qyteteve me numrin më të lartë të banorëve në vend, ndërsa mjekët flasin për efektet negative që ka në shëndet ajri i ndotur.

DETYRIME LIGJORE PËR MONITORIME

Ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit” përcakton se Agjencia Kombëtare e Mjedisit është autoriteti kompetent për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis, për sigurimin e saktësisë së matjeve si dhe për analizimin e metodave të vlerësimit. Po ashtu, ky ligj specifikon 6 ndotësit kryesorë të ajrit që duhen monitoruar, e ku përfshihen edhe grimcat PM10 dhe PM2.5, dy ndotësit që kanë impaktin më të madh në shëndetin e njerëzve. Por, ndryshe nga ky detyrim, të dhënat e publikuara nga AKM dhe të përpunuara nga emisoni “EkoSkaner” tregojnë se të paktën në 3 vitet e fundit, monitorimi i këtyre treguesve në Tiranë, Shkodër, Korçë, Elbasan, si dhe në pjesën më të madhe të qyteteve të tjerë nuk është kryer aspak. Ndërkohë që, matjet për treguesit e tjerë sikurse është Dioksidi i Squfurit, Dioksidi i Azotit apo Oksidi i Azotit, në 2019 janë kryer vetëm në 6 qytete, ndërsa në 2020-ën pjesërisht në 5 qytete të vendit.

Kjo mungesë monitorimesh është konstatuar edhe nga ekspertët e mjedisit , të cilët adresojnë kritika edhe në drejtim të metodologjisë që përdoret në ato pak matje që kryhen. “Metodologjia e saktë është e para numri më i madh i pikave. AKM për çdo bashki ka 4 nga deri në 8 pika dhe kjo sipas nesh, por edhe sipas BE është një numur shumë i vogël përfaqësues për një bashki siç është Tirana, pasi nuk të tregojnë panoramën e cilësisë së ajrit në të gjithë bashkinë sepse siç e dimë, Tirana po shkon rreth 1 mln banorë dhe zhvillimi urban është me një intesitet shumë të lartë. Gjithashtu, mund të përmendim bashkinë e Durrësit, Elbasanit, pjesën e bashkisë Shkodër, ku AKM ka pasur një numër shumë të reduktuar pikash”,-thotë Arion Sauku, ekspert mjedisi nga Milieukontakt. “Gjithashtu, legjislacioni i BE detyron institucionet mjedisore vendimmarrëse në Shqipëri që të kenë një metodologji të përcaktuar ose të unifikuar për monitorimin e cilësisë së ajrit. Kjo do të thotë shtim i pikave dh zgjerim i zonave të monitorimit, vendosja e këtyre pajisjeve 24 orë për të monitoruar parametra të ndryshëm të cilësisë së ajrit, por edhe të jenë publike dhe online për komunitetin. Pra kush do që të shohë apo të marrë informacion për këto ndotës i ka online dhe mund të futet gjë e cila në vendin tonë nuk realizohet”,-shton më tej ai.

E pyetur mbi këtë situatë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ndonëse ktheu një përgjigje me shkrim, në asnjë rresht nuk shpjegoi se përse monitorimet nuk kryhen. Gjithashtu, ky dikaster nuk dha asnjë përgjigje se kur parashikohet të implementohet Sistemi Kombëtar i Monitorimit sipas standardeve europiane. “Disa projekte të BE kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të mbështetur si aspektet ligjore ashtu edhe ato teknike, që lidhen me çështjet e transpozimit, zbatimit dhe përputhshmërisë së acquis të BE-së në fushën e cilësisë së ajrit”, – ishte përgjigja e AKM-së.

Edhe Ministria e Turizimit dhe Mjedisit nuk dha asnjë argument mbi situatën me monitorimet apo implementimin e sistemit të monitorimit sipas standardeve europiane. Ky dikaster dërgoi për “EkoSkaner”, të njëjtën përgjigje të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, teksa refuzoi të përgjigjet për pyetje specifike mbi hapat e ndërmarrë për bashkërendimin ndërinstitucional të punës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për çështje të ndryshme që lidhen me cilësinë e ajrit, duke mbajtur parasysh faktin që të dhënat e nxjerra nga AKM janë të paplota.

Eksperti i mjedisit, Xhemal Mato kujton se monitorimi i ajrit, të paktën për Tiranën u stabilizua para disa vitesh nëpërmjet disa stacioneve që u vendosën. “E keqja është që ky lloj investimi nuk u bë i qëndrueshëm, pasi filluan këto stacione të mos funksionojnë, jo nuk kanë filtra, jo nuk kanë punonjës dhe kështu degjeneroi kjo punë”,-thotë Mato.

Ndërkaq, teksa në 3 vitet e fundit Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk monitoron treguesit e PM 10 dhe PM 2.5, ndërsa për ndotësit e tjerë ofron të dhëna tejet të mangëta, disa matje alternative, të kryera nga një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, nxjerrin në pah tejkalimin e normave të lejuara nga legjislacioni shqiptar dhe ai evropian, në disa qytete.

“Kemi kryer matjet në 4 prej bashkive kryesore të vendit (Elbasan,Tiranë Shkodër dhe Durrës) me idenë për të kuptuar sesi qëndron përqëndrimi i ndotjes në ajër dhe ekspozimi i qytetarëve të këtyre qyteteve në përditshmërinë e tyre. Matjet kanë nisur që në mesin e vitit 2017 dhe janë përmbyllur në mes të vitit 2021. Ajo e cila na rezulton është që në të shumtën e rasteve, por sidomos në qytete si Tirana dhe Durrësi ndotja është relativisht e madhe dhe popullata e ekspozuar është relativisht e madhe, çka bën që të kemi ndikime sa i takon shëndetit publik”,-thotë Rodion Gjoka nga Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitateve. “Vlerësohet që nga 8 komponentë që ne kemi monitoruar, të paktën 3 janë në konstant duke e tejkaluar standardin e aplikuar nga shteti shqiptar dhe BE dhe këto janë komponentët e grimcave të imta të themi PM2.5 dhe PM 10 si dhe të Dioksidit të Azotit që vjen kryesisht nga djegia e lëndës djegëse nga transporti, ndërsa të parat vijnë kryesisht nga sektori i ndërtimit”, – shton më tej ai, duke theksuar se vetëm gjatë periudhës së karantinës, për shkak të COVID-19 pati reduktim të ndotjes së ajrit.

Për vitet 2019-2020, zona e monitorimit të këtij projekti në Tiranë kishte në total 194 pika, duke përfshirë rrugët dhe lagjet kryesore të kryeqytetit. Ndërkohë që nga matjet rezultoi se përqëndrimi i grimcave PM 2.5 paraqitet dy herë më i lartë se standardi evropian pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Gjithashtu kryqëzimet që ngelen problematike dhe tejkalojnë normat e BE janë “Rruga e Elbasanit”, rrethrrotullimi tek Universiteti Ekonomik i Tiranës dhe unaza e vogël që kalon përreth zonës pedonale të qendrës së qytetit. Ndërkohë që, përqëndrimi i grimcave të pluhurit PM10 kanë arritur deri në 101 μg/m3 tek Bulevardi “Zogu i Parë”, rruga e “Dibrës”, Ambasada Amerikane, universiteti “Ekonomik”, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, Zona Bashkiake Nr. 5, Rruga e “Kavajës” dhe Durrësit, teksa standardi shqiptar është 60 μg/m3, ai I BE-së, 40 μg/m3, ndërsa  i OBSH-së 20 μg/ m3.

Në Durrës monitorimi përfshiu 12 zona, me nga 10-14 stacione matjeje, ndërsa rezultoi se në 10 nga 12 zonat e marra në studim, sasia e PM2.5 në ajër është mbi normën standarde të BE-së. Ndërkohë që, nga përpunimi i vlerave të marra nga të gjithë zonat në studim, rezulton së në Durrës vlerat e PM10 janë mesatarisht brenda normës së vendosur në Shqipëri, por më të larta së norma e përcaktuar nga BE.

Edhe në qytetin e Shkodrës u kryen matjet për disa parametra, ndërkohë që nga të dhënat e matura për grimcat PM2.5 dhe për PM10, në zonën e monitoruar rezultuan pika me vlera më të mëdha se norma e BE-së. Gjithashtu, rezultoi se NO2 dhe SO2 janë në parametra që i kalojnë normat e lejuara të BE-së. Sipas raportit, pikat më problematike kanë qenë në qendër të qytetit.

Sipas mjekëve, ekspozimi ndaj ajrit të ndotur, sidomos grimacat PM10 dhe PM2.5 kanë ndikim të madh në shëndet. “Ndotja e ajrit që ndryshe është e njohur edhe si smogu ka ndikim të madh në organizmin tonë pasi flasim për pjesëza të vogla nga PM10 dhe poshtë që kanë aftësi të futen thellë në rrugët e ajrit dhe disa prej tyre kanë mundësi të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut’,-thotë Arben Tanka, pneumolog pranë Spitalit Universitar të Mushkërive ‘Shefqet Ndroqi”. “Problemet kryesore janë kryesisht tek njerëz, të cilët vuajnë nga problemet e mushkrisë, probleme kronike, njerëz që kanë sëmundje të zemrës, në fëmijë të vegjël, adoleshentë apo moshat e vjetra po themi mbi 60 vjeç e sipër, pasi këto pjesëza mund të acarojnë problemet kardiake të mëparshme mund të acarojnë problemet e mushkërive të mëparshme pra spoku, azma krijon një acarim të rrugëve të ajrit mund tëjapin edhe vështirësi në frymëmarrje gjithashtu japin edhe një kollë bezdisëse për njerzit”,-shton më tej mjeku.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave në vend sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë shkaktari kryesor i vdekjeve, me rreth 50% të rasteve, ndërkohë që sëmundje të aparatit të frymëmarrjes shkatojnë çdo vit rreth 500 vdekje.

“Ne përgjithësisht kemi pasur një stabilitet të këtyre rasteve që vijnë me acarime sepse nuk është vetëm ndotja atmosferike. Mos të harrojmë që futet edhe duhani dhe pjesë të tjera, por ajo që është e njohur botërisht është që ndotja atmosferike i “ndihmon” këta pacientë që kanë pasur probleme të mëparshme dhe kronike të mushkërisë që të bëjnë riacarrime”,-thotë Tanka.

Për shkak të ndikimit që ka në shëndet ndotja e ajrit, ligji “Për shëndetin publik” i ngarkon një sërë përgjegjësish edhe Institutit të Shëndetit Publik, që gjithashtu duhet të monitorojë dhe të evidentojë shkencërisht faktorët e dëmshëm për shëndetin e popullatës dhe pasojat, që rrjedhin prej tyre. Por, edhe ky dikaster ka dështuar të sigurojë të dhëna për nivelin e ndotjes e më pas të ndërmarrë politika për mbrojtjen e shëndetit.

“ISHP, me të dhënat që duhet të merrte nga ajri duhet të nxirrte edha ai raportin e shëndetit urban ku përfshihet edhe mjedisi, por edhe shëndeti i popullatës për të kuptuar se si kjo cilësi ajri ka ndikuar në pjesën e personave që kanë sëmundje kronike apo që i shfaqen sëmundje për herë të parë sidomos tek grupmoshat e vogla, te neonatët, tek gratë shtatzana dhe pjesa e pensionistëve”,-thotë Gjoka.

Instituti i Shëndetit Publik nuk iu përgjigje një kërkese për koment mbi faktin se përse monitorimet nuk kryhen dhe sesi ndërmerren politikat për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, në mungesë të vlerësimeve konkrete mbi nivelet e ndotjes së ajrit urban dhe faktorëve që kontribuojnë në këtë ndotje.

NEVOJA PËR MONITORIME

Ekspertët thonë se monitorimi si proces ndihmon në marrjen e masave për parandalimin e përkeqësimit së gjendjes mjedisore në lidhje me ajrin. Gjithashtu, sipas tyre ai është një mjet, që në kohë reale arrin të gjenerojë të dhëna të cilat shërbejnë për sensibilizimin dhe reagimin ndaj përkeqësimit të nivelit të ndotjes dhe mbajtjes në kontroll të cilësisë mjedisore. “Mos plotësimi i detyrimeve ligjore sjell mos respektimin e masave apo mos hartimin e planeve për të zbutur dhe për të minimizuar situatën me ndotjen e ajrit në vendin tonë”,-thotë Rodion Gjoka.

Në fakt, edhe vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit thekson domosdoshmërinë e monitorimit dhe evidentimit të të dhënave të cilësisë së ajrit. “Si rezultat i zhvillimit të të gjitha fushave të ekonomisë dhe transportit kemi një rritje të faktorit ndotës në zonat urbane, si pasojë e rritjes së numrit të makinave që ndikojnë në rritjen e shkallës së ndotjes në këto zona. Po kështu futja në vendin tonë e makinave të përdorura dhe të lëndëve djegëse të një cilësie të ulët çon në një rritje akoma më të madhe të nivelit të ndotjes në mjediset urbane”,-thuhet në një prej raporteve të Gjendjes në Mjedis, që publikohet nga AKM. “Bazuar në këto kushte monitorimi dhe evidentimi i të dhënave të cilësisë së ajrit në këto qytete, të cilat kanë një zhvillim demografik, ekonomik e social të ndjeshëm, bëhet domosdoshmëri”, shtohet më tej në dokument.

Por, ekspertët e konsiderojnë si të qëllimshme këtë mungesë monitorimesh. “Përsa i takon buxhetimit për të investuar në strukturat e monitorimit, sidomos për cilësinë e ajrit unë do të thosha që është e qëllimshme që nuk bëhet, pasi fakti është që në rast se do të kishim monitorim, atëhere edhe kërkesa e llogarisë do të bazohej në fakte, qoftë për ndërtuesit, qoftë për investimet publike apo edhe për shkarkuesit sado të vegjel që janë biznese apo ata të automjeteve privatë. Në këtë kontekst në mungesë të informacionit, atëhere edhe kërkesa e llogarisë nuk është”,-thotë Gjoka. Ndërsa, sipas Matos “duke mos e ditur se çfarë rreziku ekziston, atëhere popullata është e pa ndërgjegjësuar, e painformuar e para që sëmuret dhe e dyta që nuk e ngre zërin që të përmirësohet kjo gjë. Ndaj mungesa e informacionit që vjen nga monitorimi është njësoj kriminale si edhe dëmi që sjell ndotja e ajrit me sëmundjet kanceroze, të cilat në Tiranë dhe në Shqipëri zënë vendin e dytë pas sëmundjeve të zemres”,-thotë Mato.

Po ashtu, ata thonë se kjo politikë reflekton prioritetet e qeverisë, që dukshëm nuk janë drejt mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit.

“Për të monitoruar cilësinë e ajrit nuk kërkohet një buxhet i madh. Kështu që në këtë kontekst, kjo vjen edhe si pasojë e prioriteteve që jep qeveria shqiptare mjedisit, ku mjedisi përgatë këtij 30 vjeçari është futur në toplistën e 10 sektorëve më pak të financuar apo më të buxhetuar nga qeveritë që kanë qenë apo edhe ajo që është aktualisht”, thotë Gjoka. “Me sa shikoj unë, siç duket është problem lekësh, është problem investimesh, por mbi këtë është një problem tjetër që quhet problem indiferentizmi ose mos vlerësimi për matjet e ndotjes së ajrit nëpër qytetet kryesore, sidomos në Tiranë ku është përqëndruar edhe popullsia më e madhe”,-thotë Mato.

Në këto kushte ekspertët apelojnë për ndërhyrjen e të gjithë institucioneve përgjegjëse.

“Institucionet shtetërore që merren me këtë problem duhet të kryejnë matje periodike dhe pastaj besoj është ndërhyrja e ekzekutivit për të zbatuar më së miri masat për uljen e ndotjes, si nga pjesa e ndërtimit apo edhe nga pjesa e fabrikave, të cilat duhet të kenë filtra për emetimin e gazeve që lëshojnë në atmosferë”,-thotë mjeku Arben Tanka.

“Më e rëndësishmja në raport me cisësinë e ajrit është impakti që ajo ka në shëndetin publik. Përsa kohë strukturat shëndetësore, sidomos ISHP po i jep një zë të fuqishëm menaxhimit të pandemisë, atëhere pse mos të bëhet deri diku e njëjta gjë dhe me menaxhimin e cilësisë së ajrit, pasi po ta shohësh në krahahsim me implikimet që kanë pasur këto të dyja për shkak të mortalitetit janë deri diku të barabarta”,-thotë Gjoka. “Kështu që nuk ka sens që njëra të trajtohet me kronika kryesore të përgjithshme dhe tjetra të mos përmendet përgjatë 5 apo 10 viteve të fundit në vendin tonë”,-shton më tej ai.

Në të njëjtën linjë është edhe Mato. “Në qoftë se në Tiranë vdesin nga ndotja e ajrit 750 veta në vit, atëhere kjo quhet e krahasueshme me një situatë emergjente ose të rëndë siç është pandemia. Atëhere duhet vlerësuar: Ashtu siç dalin fonde për pandeminë, në cdo vend gjenden fonde edhe për një situatë të caktuar të rënde”,-thotë eksperti. “Por e keqja është që këtu nuk tregohet e vërteta, nuk ka monitorim të gjendet e vërteta dhe kalon në heshtje kjo punë, ndërkohë që të sëmurët janë atje në spital. Edhe pasojat janë të mëdha”,-përfundon Mato.

Shpërndaje:

Facebook
Twitter
Pinterest
LinkedIn